Njoftimi shtypi

Kryeministrja Theresa May shpalli një paketë masash për të promovuar një Ballkan Perëndimor më të sigurt, të begatë dhe demokratik.

Mbretëria e Bashkuar mbetet plotësisht e angazhuar pas Brexit, për prosperitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, konfirmon Kryeministrja si mikpritëse e Samitit.

Kryeministrja Theresa May shpalli sot një paketë masash për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të përparojnë duke përmirësuar sigurinë kolektive dhe stabilitetin ekonomik të rajonit.

Kryeministrja do të mirëpresë në Londër gjashtë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me figura të tjera evropiane si Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Kryeministrin Polak Mateusz Moraëiecki për Samitin e pestë të Ballkanit Perëndimor nën Procesin e Berlinit.

Procesi i Berlinit, që zuri fill në vitin 2014, ka arritur rezultate të dukshme në rajon - përparimin e integrimit ekonomik, ndërtimin e lidhjeve energjetike dhe të transportit si edhe krijimin e lidhjeve midis shoqërisë civile dhe të rinjve.

Paketa e shpallur sot do ta plotësojë këtë progres, duke ndihmuar në ndërtimin e një Ballkani Perëndimor më paqësor, më të suksesshëm dhe më demokratik.

Do ta ndihmojë rajonin të trajtojë sfidat komplekse të sigurisë, veçanërisht ato të krimit të rëndë dhe të organizuar dhe kontrabandës së drogës, çka do të ndihmojë në parandalimin e aktivitetit të paligjshëm në rrugët e Britanisë së Madhe.

Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor kanë një prani të domethënëse mbarëkombëtare në Britani të Madhe. Bashkëpunimi mes Mbretërisë së Bashkuar dhe partneët evropianë e atyre në rajon ka dhënë rezultate pozitive më parë, përfshirë neutralizimin e një rrjeti kriminal, i cili vlerësohet të ketë importuar një mesatare prej më shumë se 8,000 kg kokainë në vit në Britani të Madhe, me një vlerë tregu të përcaktuar rreth £800 milionë.

Të inkurajuar nga këto rezultate dhe duke njohur rëndësinë e Ballkanit Perëndimor, Kryeministrja dëshiron të shkojë më tej për të forcuar sigurinë dhe integritetin ekonomik të rajonit.

Kryeministrja Theresa May tha:

Jam krenare që do të mikpres samitin e Ballkanit Perëndimor të këtij viti, duke bërë bashkë liderët nga i gjithë rajoni dhe partnerët evropianë për të parë se si ne mund të sigurojmë stabilitetin ekonomik dhe sigurinë kolektive të Ballkanit Perëndimor.

Historia dëshmon se një Ballkan i qëndrueshëm dhe i sigurt nënkupton një Evropë më të qëndrueshme dhe më të sigurt. Ne do të largohemi nga BE-ja marsin e ardhshëm, por mbetemi plotësisht të përkushtuar për të përmirësuar prosperitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës, tani dhe në vitet në vijim.

Paketa që unë kam prezantuar sot do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor të adresojë rreziqet që i kanosen progresit të tyre, si krimi i rëndë dhe i organizuar, trafiku i drogës dhe terrorizmi, ndërkohë që do të ketë një efekt pozitiv edhe në Britani të Madhe, duke reduktuar aktivitetin kriminal në burim dhe duke ndihmuar që krimi të mos mbërrijë në rrugët e Britanisë.

Paketa e re, e cila tregon angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë për rajonin, përfshin:

  • Rritjen e fondeve të Mbretërisë së Bashkuar për rajonin me mbi 95% nga £ 41 milion në 18/19 në £80 milion në 20/21 për Fondin e Konfliktit, Sigurisë dhe Stabilitetit.
  • Dyfishimin e numrit të punonjësve të Mbretërisë së Bashkuar që punojnë në rajon për çështjet e sigurisë që prekin Mbretërinë e Bashkuar dhe Ballkanin Perëndimor. Këta ekspertë do të ndihmojnë në pakësimin e krimit në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar dhe gjithashtu do të ndihmojnë në forcimin e përgjigjes së vetë rajonit ndaj krimit të rëndë dhe të organizuar, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
  • Krijimin e Observatorit të Krimit të Organizuar në Ballkan, së bashku me qeveritë austriake dhe norvegjeze që do t‘i krijojë mundësi shoqërisë civile të luajë një rol më efektiv në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. I udhëhequr nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, Observatori do të shërbejë si një rrjet virtual për aktorët kryesorë të shoqërisë civile që të punojnë së bashku për të monitoruar, raportuar dhe ekspozuar krimin e rëndë të organizuar dhe korrupsionin, për të ndarë studimet dhe praktikat e mira dhe për të përmirësuar koordinimin strategjik dhe operativ.
  • Përmirësimi i aftësive kibernetike të rajonit përmes një investimi prej £1 milion në trajnime dhe aktivitete këshillimore. Kjo përfshin mbështetjen e drejtpërdrejtë për Ekipet e Reagimit të Urgjencave Kompjuterike në Serbi dhe Mal të Zi, shpalljen e një bursë studimi mbi Sigurinë Kibernetike,ofrimin e mbështetjes strategjike për qeveritë e të gjithë rajonit, si dhe krijimin e një Diskursi të Sigurisë mes Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë e Bashkuarmbi Sigurisë Kibernetike, për të forcuar marrëdhëniet rajonale dhe ato dypalëshe në lidhje me shkëmbimin e informacionit midis zyrtarëve të lartë të sigurisë kibernetike.
  • Miratimin e një deklarate të përbashkët mbi Parimet e shkëmbimit të informacionit në fushën e zbatimit të Ligjit, i cili do t’i ndihmojë agjencitë ligjzbatuese në rajon të ndajnë informacionin më lehtësisht në luftën kundër krimit të rëndë të organizuar dhe terrorizmit. Vendet gjithashtu do të angazhohen në veprime konkrete për të luftuar korrupsionin.
  • Kryesimi i një Grupi Drejtues i nivelit të lartë mbi Angazhimet e Sigurisë, për të nxitur shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira, duke përfshirë krijimin e forumeve rajonale; e para syresh për nëpunësit e doganave. Këto do të takohen rregullisht në nivel të lartë dhe operacional për të diskutuar qasjet strategjike dhe hetimet e ndërlikuara kriminale financiare.
  • Vazhdimesia e Forcës Strategjike të Rezervës Pan-Ballkanike (SRF) edhe për një vit tjetër, forcë që do të jetë e gatshme të hyjë në Ballkanin Perëndimor nëse situata e sigurisë përkeqësohet ose nëse Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhet të mbështesë stabilitetin në rajon. Angazhimi aktual i Mbretërisë së Bashkuar për të mbajtur SRF përfundon më 31 dhjetor. Ne po e zgjerojmë këtë për një vit tjetër si një tregues i angazhimit tonë për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
  • Ofrimin e £10 milionë për të ndihmuar në krijimin e aftësive dixhitale dhe perspektivave të punësimit për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor. Këshilli Britanik do të ofrojë trajnime për fëmijët në mbi 4,500 shkolla, për të rritur aftësitë digjitale dhe aftësitë bazë në të gjithë rajonin. Duke siguruar qasje në arsimin digjital, ky financim do të ndihmojë në nxitjen e gjeneratës së ardhshme të inovatorëve dhe sipërmarrësve.
  • Sigurimin e £1 milion shtesë për të ndihmuar rajonin të adresojë çështje të vështira të trashëgimisë politike, duke përfshirë mbështetjen e organizatave që punojnë për të gjetur dhe identifikuar 12,000 viktima që ende mungojnë nga konfliktet e viteve 1990.
Publikuar 9 July 2018
Përditësuar së fundi 11 July 2018 + show all updates
  1. Added translation

  2. First published.