Historia e lajmeve botërore

Mbështetja e reformimit të partive politike në Kosovë

Ambasadori Britanik Ruairí O’Connell lanson fazën e dytë të programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në mbështetje të partive politike në Kosovë.

Supporting reform of political parties in Kosovo

I nderuar z. President,

Të nderuar Deputetë, perfaqësues të partive politike,

Të nderur përfaqësues të shoqërisë civile dhe ju të gjithë të pranishëm,

Është kënaqësi që sot jemi mbledhur për të lansuar fazën e re të programit WFD në Kosovë, për mbështetjen dhe zhvillimin e partive politike gjatë viteve në vijim 2017 – 2019.

Sekretari i Jashtëm Britanik, Boris Johnson gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë në nëntorin e kaluar, tha se ashtu si shumë sisteme të tjera politike, edhe sistemi politik i juaj duhet vazhdimisht të përshtatet dhe të përmirësohet.

Qeveria dhe donatorët kane një bashkëpunim të mirë me Parlamente dhe qeveritë. Jam krenar me atë që është arritur që 17 vjet së bashku. Eshtë pak e vështirë për qeveritë për të punuar me partitë politike, por partitë janë forcë shtytëse e demokracisë. Ata e transferojnë vullnetin e popullit tek politikanët dhe qeveritarët. Nëse nuk punojmë me partitë politike, atëherë nuk jemi duke bërë veprimin e duhur demokratik.

Por, së fundmi, kemi parë sondazhe të zhvilluara nga UNDP dhe nga KDI. Rezultati ka dalë se partitë politike janë institucioni që i besojnë më së paku qytetarët. Kjo është shumë e rrezikshme për demokraci.

Qeveria Britanike është e vendosur që Kosova të jetë shtet i fortë, i sigurt dhe prosperues në të gjitha lëmitë, e sidomos që partitë politike të Kosovës t’i forcojë e zhvillojë. Prandaj, Britania ofroi eksperiencën dhe ekspertizën e vetë t’ju ndihmojë partive politike të Kosovës të bëhen më të hapura, demokratike, më përgjegjëse dhe transparente, gjithnjë të gatshme t’a luftojnë të keqen.

Procesi i reformës dhe ripërtëritjes në Kosovë nuk duhet të lejohet të stagnojë. Qytetarët i konsiderojnë partitë politike më shumë si makinë për pushtet dhe patronazh. Por, partitë politike duhet të përpiqen t’i shërbejnë interesave të çdo qytetari.

Populli vetë e ka një detyrim - të kërkojë më shumë nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe t’i mbajë ata llogaridhënës. Për fat të keq partitë, institucionet lokale e qendrore e shumë agjencione tjera ende në rradhët e veta, kanë njerëz të cilët aktualisht janë nën hetime për krime serioze. Si mund të presim, pra, që kriminelët t’i japin llogari qytetarëve të vet? Mënyra e vetme që ta luftojmë krimin, korrupsionin e mospërfilljen e ligjit që na lëndojnë si Kosovën ashtu edhe neve në Britani, është të kemi parti politike të shëndosha, demokratike e transparente. Por, ato duhen të jenë llogaridhënëse dhe përgjegjëse për sjelljet e veta para qytetarit, për sundimin e ligjit, të dihet saktë prejardhja e financimit vetanak, për përmbushjen e premtimeve të dhëna te elektoratit. Me një fjalë, t’u qëndrojnë sa më afër qytetarëve duke e kultivuar komunikimin e ndërsjellt.

Pajtohem me President Thaçi për inicimin e procesit të dekriminalizimit të politikës kosovare. Ai më 12 Maj në vitin e kaluar tha: “Kam inicuar disa ndryshime të nevojshme në Kodin Penal të Kosovës. Kjo nënkupton aspektin prokurorial, gjyqësor por edhe të qendrave korrektuese. Në të njejtën kohë, kemi amandamentime të rëndësishme – që askush të mos jetë mbi ligjin”. Plotësisht pajtohem me këtë parim që ka thënë Presidenti Thaçi që askush të mos jetë mbi ligjin. Në Mbretërinë e Bashkuar, nëse një parti ka një vrasës të dënuar, ose një Kryetar Komune të dënuar për korrupsion në rradhë e veta, kjo do ta dëmtonte tej mase politikisht. Kosova mund ta krijojë të njejtën kulturë.

Unë poashtu i mbështes përpjekjet e Ministres së Drejtësisë për të implementuar reformat e agjendës Evropiane sa i përket suspendimit dhe largimit nga detyra të zyrtarëve të lartë publik, duke përfshirë këtu edhe deputetët, në rast të ngritjes së aktakuzës apo në rast të verdiktit final të gjykatës. Brengosem me amandamentin gjithashtu për zvogëlimin e kohëzgjatjes së vuajtjes së dënimit me burg, që është folur kohën e fundit, për çfarë unë dyshoj se shkaktar janë disa politikanë të cilët duan që shokët e tyre dhe disa kriminelë të tjerë recidivistë të lirohen nga burgjet sa më herët.

Kosova dhe populli i saj meriton për të jetuar në një vend ku sundon ligji, ku njerëzit e korruptuar hetohen, ndiqen penalisht dhe gjykohen për sjelljet dhe veprimet e tyre të kundërligjshme. Ne kemi të njejtin interes: që mos ta lëmë Kosovën të shembet për shkak të apetiteve të njerëzve të korruptuar. Por, për fat të keq, ka njerëz të tillë, që pa keqardhje dhe pa pikë turpi vazhdojnë t’a kërkojnë votën e popullit për t’u zgjedhur si përfaqësues i tyre.

Kujtoj edhe disa nga rastet që edhe kur shqiptohet dënimi, individë të caktuar gjejnë mënyrat e ndryshme për t’i ikur drejtësisë, dhe vazhdojnë të jetojnë në liri, si për shembull zotëri Zharku. Kultura e pandëshkueshmërisë duhet të ndalohet.

Por, jam i lumtur që shoh të gjitha partitë politike prezent sot këtu. WFD është këtu për t’ju ndihmuar, për të bërë dhe arritur më të mirën në Kosovë. Ne do t’i ndihmojmë gjithashtu. Sot do të kemi rast të diskutojmë e këmbejmë mendime rreth demokratizimit dhe të transparencës të partive politike. Unë mendoj që Presidenti ka shpjeguar shumë mirë këto parime. Me padurim pres me i pa të gjithë oponentët politik këtu me të vetmin qëllim: për ndërtimin e një sistemi demokratik të fortë partiak Evropian për Kosovën.

Duam t’i ndihmojmë shokët e mi nga komuniteti Serb. Duam që ata të marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Askush nuk mund t’i ndihmojë poqese ata vet nuk duan.

Nëse keni vullnet të gjithë për të vepruar, do ta keni ndihmën e Britanisë së Madhe.

Ju uroj sukses në këto diskutime. Ne jemi këtu gjithmonë si shokë për të ju ndihmuar.

Ju faleminderit,

Publikuar 21 March 2017