Hyrje dhe film vizatimor përmbledhës (Albanian)
Përditësuar 3 Qershor 2026
Applies to England
Ky film vizatimor i shkurtër tregon testet e ekzaminimit që ofrohen gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes së foshnjës suaj.
Hyrje dhe film vizatimor përmbledhës
Filmi vizatimor është gjithashtu i disponueshëm me titra dhe në gjuhën britanike të shenjave. Versionet me titra përfshijnë gjuhën angleze dhe përkthime në gjuhën arabe, bengali, kineze, frëngjisht, letonisht, lituanisht, polonisht, portugalisht, punjabi, rumanisht, somalisht dhe urdu.
Testet e ekzaminimit
Testet e ekzaminimit përdoren për të gjetur njerëz me rrezik më të lartë për një sëmundje shëndetësore. Kjo do të thotë që ata mund të marrin trajtim më të hershëm, mundësisht më efektiv, ose të marrin vendime të informuara në lidhje me shëndetin e tyre. Mund të jetë e dobishme që ekzaminimi të imagjinohet sikur t’i vendosësh njerëzit në një sitë. Shumica e njerëzve kalojnë menjëherë, por një numër i vogël ngecin në sitë. Njerëzit e ngecur në sitë janë ata që konsiderohen se kanë një mundësi më të lartë për të pasur sëmundjen shëndetësore për të cilën po ekzaminohen.
Testet e ekzaminimit nuk janë të përsosura. Disa njerëzve do t’u thuhet se ata ose foshnja e tyre kanë një mundësi të lartë që ta kenë një sëmundje shëndetësore, kur në fakt nuk e kanë këtë sëmundje (pozitive e rremë). Gjithashtu, disa njerëzve do t’u thuhet se ata ose foshnja e tyre kanë një mundësi të ulët që ta kenë një sëmundje shëndetësore, kur në fakt e kanë këtë sëmundje (negative e rremë).
Partnerët janë të mirëpritur të marrin pjesë në seancat e ekzaminimit dhe të informimit.
Dallimi midis testeve të ekzaminimit dhe testeve diagnostikuese
Një test ekzaminimi mund të zbulojë nëse ju, ose foshnja juaj, keni një mundësi të lartë ose të ulët për të pasur një sëmundje shëndetësore. Por zakonisht nuk mund t’jua tregojë me siguri, kështu që njerëzve që kanë një mundësi të lartë për një sëmundje, shpesh do t’u ofrohet një lloj tjetër testi. Ky quhet test diagnostikues dhe jep një përgjigje më të përcaktuar ‘po’ ose ‘jo’.
Testet e ekzaminimit gjatë dhe pas shtatzënisë
Testet e ekzaminimit ofrohen gjatë shtatzënisë për të gjetur çdo sëmundje shëndetësore që ju ose foshnja juaj mund të keni. Testet – ekografitë me ultratinguj, analizat e gjakut dhe një pyetësor – mund t’ju ndihmojnë të bëni zgjedhje në lidhje me kujdesin ose trajtimin gjatë shtatzënisë, ose pas lindjes së foshnjës suaj.
Testet e kontrollit për të porsalindurit ofrohen për foshnjën tuaj menjëherë pas lindjes së tij/saj. Ne i ofrojmë këto në mënyrë që foshnja juaj të mund të marrë trajtimin e duhur sa më shpejt të jetë e mundur nëse është e nevojshme.
Disa detaje praktike
Nëse e dini që ju, babai i foshnjës suaj ose një anëtar i familjes tashmë keni një sëmundje shëndetësore, ju lutemi të njoftoni maminë tuaj. Nëse zhvendoseni me shtëpi ndërkohë që prisni rezultatet e ndonjë testi të ekzaminimit, ju lutemi ta njoftoni maminë ose infermieren tuaj shëndetësore për adresën tuaj të re.
Ekzaminimi është zgjedhja juaj
Nëse do ta bëni apo jo çdo test, kjo është një zgjedhje personale dhe vetëm ju mund ta bëni. Mund të diskutoni për çdo test që ju ofrohet me profesionistët e shëndetit dhe të vendosni, bazuar në rrethanat tuaja, nëse ai është i përshtatshëm për ju apo jo. Gjithashtu mund të ndryshoni mendje në çdo fazë.
Disa nga testet e ekzaminimit që përshkruhen këtu, siç janë testet e gjakut për sëmundjet infektive, ekzaminimi i syve nëse keni diabet dhe kontrollet e të porsalindurve, rekomandohen nga NHS-ja. Kjo ndodh sepse rezultatet nga këto teste mund të ndihmojnë për t’u siguruar që ju ose foshnja juaj të merrni trajtim urgjent për sëmundje të rënda.
Testet e ekzaminimit në shtatzëni për sëmundjen e qelizës drapër dhe talaseminë, sindromën Down, sindromën Edwards, sindromën Patau dhe ekografinë në javën e 20-të mund të çojnë në vendime shumë personale. Këto mund të përfshijnë:
-
nëse duhet të kryeni apo jo një test diagnostik me një mundësi të mundshme për dështim
-
nëse duhet ta vazhdoni apo ta përfundoni shtatzëninë
Është e rëndësishme të mendoni me kujdes nëse dëshironi apo jo t’i kryeni këto teste ekzaminimi. Vendimet tuaja do të respektohen dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor do t’ju mbështesin. Duhet të flisni nëse mendoni se vendimet tuaja nuk po respektohen.
Mbështetje e mëtejshme
Për detaje të organizatave që mund të ofrojnë mbështetje në lidhje me cilëndo nga sëmundjet në këtë informacion, shihni NHS.UK.
Ekzaminimi dhe NHS-ja
NHS-ja vendos se cilat teste shqyrtimi do të ofrojë bazuar në prova të mira. Një grup ekspertësh i quajtur Komiteti Kombëtar i Ekzaminimit në Mbretërinë e Bashkuar (UK NSC) ofron këshilla për NHS-në. Të gjitha testet e ekzaminimit të ofruara nga NHS-ja janë falas. Disa kompani private ofrojnë gjithashtu teste ekzaminimi për të cilat duhet të paguani. NHS-ja nuk mund të garantojë cilësinë e ekzaminimit privat. Merrni më shumë këshilla rreth ekzaminimit privat.
Konfidencialiteti
Programet e Ekzaminimit të NHS-së e përdorin informacionin personal nga të dhënat tuaja të NHS-së për t’ju ftuar për një ekzaminim në kohën e duhur. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) i Anglisë gjithashtu e përdor informacionin tuaj për t’u siguruar që ju të merrni kujdes me cilësi të lartë dhe për të përmirësuar programet e ekzaminimit. Mësoni më shumë rreth mënyrës se si përdoret dhe mbrohet informacioni juaj, si dhe mundësitë tuaja.
Ofruesit e shërbimeve të ekzaminimit dhe Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) i Anglisë i përdorin informacionet (të dhënat personale) e mbajtura në të dhënat tuaja shëndetësore për t’ju ftuar ju ose fëmijën tuaj për një ekzaminim.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) i Anglisë gjithashtu e përdor informacionin tuaj për të mbështetur shërbimet e ekzaminimit që të jenë të sigurta, efektive dhe për të ruajtur standardet e cilësisë së lartë të përcaktuara për to. Sa herë që është e mundur, ne e përdorim informacionin në formë anonime. Ne kurrë nuk do ta publikojmë informacionin që mund t’ju identifikojë ju ose fëmijën tuaj.
Përpunimi i të dhënave tuaja personale rregullohet nga Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave të Mbretërisë së Bashkuar (GDPR-ja e Mbretërisë së Bashkuar). Sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave, ju keni të drejta në lidhje me mënyrën se si përdoren të dhënat tuaja (shihni seksionin ‘Programet e ekzaminimit dhe të drejtat tuaja’).
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) i Anglisë dhe ofruesit e ekzaminimit janë Kontrollues të të Dhënave përgjegjës për përpunimin e të dhënave personale për qëllime të ofrimit të shërbimeve të ekzaminimit. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) i Anglisë është Kontrolluesi i të Dhënave për qëllime të sigurisë dhe sigurimit të cilësisë.
Nëse testet e ekzaminimit ose të diagnostikimit para lindjes (PND) sugjerojnë që foshnja juaj ka sëmundje të caktuara shëndetësore, ne do t’ia kalojmë informacionin Shërbimit të sigurt Kombëtar të Regjistrimit të Anomalive Kongjenitale dhe të Sëmundjeve të Rralla (NCARDRS).
Ky është një regjistër kombëtar i sigurt i fëmijëve që lindin me sëmundje të rralla. Na ndihmon të përmirësojmë ekzaminimin dhe të parandalojmë ose trajtojmë sëmundjen.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) i Anglisë mund ta ndajë informacionin tuaj personal ose të fëmijës suaj me regjistrat kombëtarë të sëmundjeve. Përdorimi i këtij informacioni na ndihmon të kuptojmë më mirë se sa mirë po funksionojnë programet e ekzaminimit.
Nëse dëshironi të çregjistroheni nga shtimi i të dhënave të fëmijës suaj në regjistra, ju lutemi ta diskutoni këtë me profesionistin tuaj të kujdesit shëndetësor për t’u siguruar që të merrni vendimin e duhur për ju.
Ne gjithashtu mund ta ndajmë informacionin personal tuajin ose të fëmijës suaj me studiues jashtë Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) të Anglisë, të cilët duan të përmirësojnë ekzaminimet. Kjo do të ndodhte vetëm me miratime dhe masa mbrojtëse të rrepta.
Ju mund të çregjistroheni nga përdorimi i të dhënave tuaja për çdo kërkim dhe planifikim paraprakisht, në mënyrë që të dhënat tuaja të mos përfshihen. Ju lutemi ta diskutoni këtë me profesionistin tuaj të kujdesit shëndetësor për t’u siguruar që të merrni vendimin e duhur për ju.