Skip to main content
Udhëzime

Programi i NHS-it për kontrollin e qafës së mitrës – vetëtestimi për HPV (Albanian)

Publikuar 24 Gusht 2026

Applies to England

Rreth vetëtestimit për HPV

NHS-i u ofron disa grave dhe personave me qafë mitre vetëtestimin për HPV si një kontroll alternativ për një virus të quajtur papilomavirusi njerëzor – i njohur gjithashtu si HPV.

HPV-ja është një virus i zakonshëm dhe zakonisht i padëmshëm, por disa lloje me rrezik të lartë mund të rritin mundësinë për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës. Vetëtestimi për HPV mund të bëhet personalisht, në mjedis privat.

Pse jeni ftuar

Jeni ftuar për kontrollin e qafës së mitrës (i njohur më parë si “smear test”), por nuk keni marrë pjesë. Vetëtestimi për HPV ju jep një mundësi tjetër për të marrë pjesë.

Testimi mund të bëhet:

  • në shtëpi ose në një hapësirë private
  • në një kohë që ju përshtatet
  • pa pasur nevojë për takim.

Udhëzimet në kompletin e testimit do t’ju tregojnë se si ta bëni analizën. Nëse keni nevojë për ndihmë shtesë – për shembull, nëse keni aftësi të kufizuara fizike ose vështirësi në nxënie – mbështetja është e disponueshme. Detajet e kontaktit do t’i gjeni në ftesën tuaj për vetëtestim.

Cili është dallimi midis kontrollit të qafës së mitrës dhe vetëtestimit për HPV

Kontrolli i qafës së mitrës është një nga mënyrat më të mira për mbrojtjen nga kanceri i qafës së mitrës.

Ende nuk kemi prova që tregojnë se kalimi te vetëtestimi për HPV është po aq efektiv në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës sa pjesëmarra e rregullt në kontrollet e qafës së mitrës. Por nëse nuk keni kryer kontroll, vetëtestimi është mundësia tjetër më e mirë.

Kontrolli i qafës së mitrës

  • Kryhet në klinikën e mjekut tuaj të përgjithshëm ose në klinikën e shëndetit seksual.
  • Një infermier/e ose mjek/e merr një mostër të vogël nga qafa e mitrës.
  • Mostra kontrollohet për llojet e HPV-së me rrezik të lartë.
  • Nëse gjendet HPV me rrezik të lartë, mostra kontrollohet më pas për ndryshime qelizore që mund të rritin rrezikun e kancerit të qafës së mitrës.
  • Këto ndryshime mund të trajtohen.

Vetëtestimi për HPV

  • Marrja e mostrës bëhet personalisht, në shtëpi ose në një hapësirë private.
  • Testi përfshin futjen e një tamponi (paksa si një kunj pambuku) disa centimetra në vaginë për të marrë një mostër. Ka udhëzime të plota në kompletin e testimit.
  • Më pas, mostra dërgohet me postë te NHS-i, ku kontrollohet për HPV me rrezik të lartë.
  • Nëse gjendet HPV me rrezik të lartë, do t’ju kërkohet të lini një takim për kontroll të qafës së mitrës në klinikën e mjekut të përgjithshëm ose në klinikën e shëndetit seksual.
  • Një infermier/e ose mjek/e do të marrë një mostër të vogël nga qafa e mitrës, e cila mund të kontrollohet për ndryshime qelizore që mund të rritin rrezikun e kancerit të qafës së mitrës.
  • Këto ndryshime mund të trajtohen.

Një diagram që tregon pozicionin e qafës së mitrës dhe vaginës

Një diagram që tregon pozicionin e qafës së mitrës dhe vaginës

Si ta merrni kompletin e vetëtestimit

NHS-i do t’ju ftojë të merrni pjesë në vetëtestimin për HPV. Ftesa juaj mund të vijë përmes aplikacionit NHS App, një mesazhi (SMS), një emaili ose një letre.

Pasi të keni marrë ftesën, ndiqni udhëzimet për të porositur kompletin tuaj falas në aplikacionin NHS App ose përmes llogarisë suaj online në NHS. Nëse nuk keni një llogari, mund ta krijoni një të tillë. Ftesa juaj përfshin gjithashtu informacion rreth mënyrave të tjera për të porositur një komplet.

Si t’i merrni rezultatet

Pasi të keni marrë mostrën, dërgojeni atë menjëherë me postë në zarfin e dhënë. Postimi është falas.

Rezultatet duhet t’i merrni brenda 14 ditëve dhe do t’i merrni në aplikacionin NHS App ose me letër.

Çfarë do t’ju tregojnë rezultatet

HPV negativ

Testi juaj nuk gjeti HPV me rrezik të lartë. Do të ftoheni sërish për kontrollin e qafës së mitrës pas 5 vjetësh, nëse jeni ende nën moshën përkatëse. 

Ju mund të infektoheni me HPV në të ardhmen, prandaj është e rëndësishme t’i njihni simptomat e kancerit të qafës së mitrës. Faqja e internetit të NHS i shpjegon ato: nhs.uk/conditions/cervical-cancer/symptoms/

HPV pozitiv

Testi juaj gjeti HPV me rrezik të lartë. Kjo nuk do të thotë se keni kancer të qafës së mitrës. Do t’ju kërkohet të lini një takim për kontrollin e qafës së mitrës në klinikën e mjekut të përgjithshëm ose në klinikën e shëndetit seksual për marrjen e një mostre, me qëllim kontrollin për ndryshime qelizore që mund të rritin rrezikun e kancerit të qafës së mitrës.

Mësoni më shumë rreth HPV-së në nhs.uk/conditions/human-papilloma-virus-hpv/

Rezultati i HPV-së jo i qartë

Nëse nuk kemi mundur të marrim një rezultat të qartë nga vetëtestimi juaj për HPV, mund t’ju kërkohet ta bëni atë përsëri. Kjo nuk është diçka për t’u shqetësuar dhe nuk do të thotë se keni kancer.

Çfarë të bëni nëse nuk dëshironi të kryeni vetëtestimin për HPV

Ende mund të lini një takim për kontrollin e qafës së mitrës në çdo kohë – edhe nëse jeni ftuar për kontroll muaj ose vite më parë.

Nëse kontrolli juaj rutinë i qafës së mitrës duhet të kryhet në ose pas ditëlindjes suaj të 60-të dhe ju nuk merrni pjesë, do të merrni një konfirmim se nuk do të merrni më ftesa rutinë. Ju mund të merrni një ftesë për të kërkuar një komplet vetëtestimi për HPV.

Mësoni më shumë në nhs.uk/cervicalscreening/

Nëse jeni vaksinuar kundër HPV-së

Vaksina nuk mbron nga të gjitha llojet e HPV-së. Edhe nëse jeni vaksinuar kundër HPV-së, duhet të shkoni ende në takimet për kontrollin e qafës së mitrës ose, nëse ftoheni, të kryeni një vetëtestim për HPV. 

Nëse jeni nën moshën 25 vjeç dhe keni humbur vaksinimin kundër HPV-së kur ishit 12 ose 13 vjeç, kontaktoni klinikën e mjekut tuaj të përgjithshëm për t’u vaksinuar. 

Si e përdorim informacionin tuaj

Ne përdorim të dhënat tuaja të NHS-it për t’ju ftuar në kohën e duhur dhe për të përmirësuar programin e kontrolleve.

Lexoni më shumë rreth mënyrës se si e përdorim dhe e mbrojmë informacionin tuaj në Konfidencialiteti i pacientit në kontrollet e NHS-it.

Lexoni më shumë Largimi nga Programet e Kontrollit të NHS-së.

Versione alternative

Ky informacion është i disponueshëm në gjuhë të tjera dhe në formatin “easy-read” (lehtësisht i lexueshëm):

Ju lutemi jepni numrin tuaj të referencës kur telefononi ose dërgoni email. Mund ta gjeni në ftesën tuaj.