Historia e lajmeve botërore

Ambasadori Britanik Ruairí O'Connell shkruan për rëndësinë e barazisë gjinore në Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të festojmë suksesin e grave që i kanë bërë shtetet tona krenare.

The British Ambassador Ruairi O'Connell

Unë jam feminist.

Është një frazë që dëgjohet mjaft rrallë, fatkeqësisht, në vitin 2017. Rreth botës, mund të shihet refuzimi i fjalës, e me të, edhe refuzimi i përparimeve që janë bërë gjatë shekullit të fundit në mbështetje të grave, përparime që sigurisht janë të mirëpritura, por jo të mjaftueshme. Por, si mund të mos jem feminist? Kur isha dhjetë vjeç, e pyesja nënën nëse një djalë mund të jetë sundimtar; isha kaq shumë i mësuar me shembullin e Kryeministres së atëhershme, Margaret Thatcher, si dhe sigurisht të Lartmadhërisë së Saj Mbretëreshës, por edhe duke u rritur nga një nënë e fuqishme, ishte kaq e natyrshme për mua që t’i mendoja liderët si gra.

Sekretari i Jashtëm shkroi javën e kaluar për një të vërtetë të thjeshtë, që nëse duam të rrisim prosperitetin; të stabilizojmë rritjen e popullatës në botë; të përmirësojmë ushqyeshmërinë e fëmijëve, që fatkeqësisht është ende problem në shumë komunitete në Kosovë; të zvogëlojmë martesat e hershme; atëherë rruga e vetme më efektive për veprim është që të sigurojmë që të gjitha vajzat të shkojnë në shkollë.

Është një politikë e rrallë, me një ide kaq të thjeshtë, që mund të ndihmojë në trajtimin e kaq shumë problemeve. Por është e dukshme. Lënia e gjysmës së njerëzimit në pozitë sekondare sigurisht që do të shkaktojë probleme.

E mu këtu është zemra e feminizmit. Për mua, është ideologji që ka barazinë në zemër. Duke pyetur nëse një ide, institucion, ligj, rregull, traditë apo politikë funksionon për gra ashtu si për burra, nuk “favorizojmë gratë” e as nuk merremi thjesht me “çështjet e grave”. Nëse diçka nuk funksionon për gjysmën e popullatës, atëherë dyshoj që kjo do të jetë ide e mirë. Shoqëria që nuk ka liri për të gjithë nuk është e lirë. Shoqëria që diskriminon gjysmën e pjesëtarëve të saj nuk mund të pretendojë të ketë barazi. Për këtë, Sekretari i Jashtëm këtë javë ka emëruar Joanna Roperin si të Dërguarën e parë të Posaçme të MB për Barazi Gjinore.

Këto fakte më janë bërë edhe më të qarta sot, më shumë se kurrë. Rreth botës, sukseset dhe arritjet e grave do të shënohen. Në Kosovë, ndoshta edhe më shumë se në vendet tjera, njerëzit me të drejtë krenohen me ato gra që shënojnë arritje si Majlinda Kelmendi, që bëjnë shumë për të përfaqësuar Kosovën para botës. Por ne duhet të krenohemi, dhe krenohemi çdo ditë me këto. Ndoshta sot është ditë më e mirë që të mendojmë për ato që mund t’i bëjmë për të siguruar që çdo vajzë që është e re sot të ketë të njëjtat mundësi sikurse djemtë që të lënë shenjën e tyre në botë.

Pata fatin këtë javë të takoj Vllaznim Xhihën, themeluesin e organizatës së jashtëzakonshme Bonevet, që i jep të rinjve në Kosovë mundësinë që të hulumtojnë inxhinierinë, robotikën, teknologjinë e shkencën në një ambient praktikë, të menaxhojnë projektet vetanake e të krijojnë veprat e tyre. Është ide e jashtëzakonshme. Por, ajo që më mbush me gëzim është që çdo veprimtari e kryer aty është e ndarë në: 50% vajza, 50% djem.

Kjo nuk ka qenë e lehtë; familjet duken të jenë më të gatshme të gjejnë paratë për studimet e djemve, por jo për vajzat e tyre. Por, Vllaznimi i ka qëndruar parimeve të tij, si dhe ka luftuar që të gjejë financimin për vajzat; megjithatë, asnjë aktivitet nuk fillon pa ndarjen 50/50.

Kjo është e shkëlqyeshme për tashmë qindra vajza të Kosovës që kanë pasur qasje në botën e shkencës e teknologjisë, që mund të kenë qenë të mbyllura për to. Kush e di? Ndonjëra prej këtyre vajzave mund të vazhdojë tutje e të bëhet inxhiniere e madhe, shpikëse apo liderë. Mesazhi që përçohet është edhe më fuqiplotë: shoqëria e fuqishme e moderne ndërtohet, që nga themeli i saj, mbi barazinë ndërmjet gjinive. Një person që i qëndron besnik parimeve të tij apo saj mund të sjellë ndryshimin e madh. Ata mund të ecin tutje e të frymëzojnë gjeneratën e re të vajzave që ta kuptojnë liderin si grua.

E mendoj edhe punën e organizatës The Ideas Partnership. Tashmë për vite me radhë, ata kanë siguruar qasje në arsim për komunitetin Ashkali, që për vite me radhë ishte përjashtuar nga arsimimi për një mori arsyesh. Ata sfidojnë stereotipin e tmerrshëm që familjet Ashkali nuk kanë interesim për arsimimin; kam vizituar qendrën e tyre, si dhe mund t’ju them që asnjëherë nuk kam parë fëmijë më të përkushtuar e të dedikuar për mësimin e tyre. The Ideas Partnership, organizatë e mrekullueshme, e bazuar mbi idealet e vullnetarizmit e aktivizmit qytetar, ashtu si Bonevet, i ka qëndruar besnike parimeve të saj: të gjithë fëmijët, vajza e djem, kanë të drejtën e barabartë që të kenë fëmijëri e shkollim. Jemi krenarë që mbështesim përpjekjet e tyre. Ata po sjellin ndryshimin, por janë familjet, komuniteti e autoritetet lokale që duhet ta shtyjnë këtë edhe më tutje.

Nuk kam nevojë t’ua them njerëzve në Kosovë se çfarë rëndësie jetike ka arsimi; kemi parë njerëzit që kanë luftuar për atë të drejtë gjatë viteve të 90-ta. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në anën e atyre njerëzve në Kosovë që janë të përkushtuar të sigurojnë shkollim për të gjithë. Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të festojmë suksesin e grave që i kanë bërë shtetet tona krenare. Por, edhe të zotohemi që do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar gjeneratën e re. Arsimi është vendi më i mirë për ta filluar këtë.

Publikuar 8 March 2017