Promovimi i të Drejtave të Njeriut të qytetarëve LGBT në Shqipëri
Përfaqësuesi i Spectrum për Europën takoi të Dërguarin e Posaçëm të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut të Personave LGBT, në Tiranë
Përfaqësuesi i jashtëm i Spectrum për Europën pranë Ministrisë së Brëndshme të Mbretërisë së Bashkuar u takua me Randy W. Berry, i Dërguari i Posaçëm, i pari në histori, i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut të Personave LGBT, në Tiranë më 1 nëntor 2015.
I Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për të Drejtat e Njeriut të Personave LGBT, Randy Berry, ndaloi në Shqipëri gjatë një turneu në rajon që përfshinte Kosovën, Serbinë, Bosnjen, Malin e Zi, Greqinë, Italinë, Selinë e Shenjtë, dhe Izraelin. I Dërguari i Posaçëm Berry ka marrë pjesë në takimet me përfaqësues të qeverisë dhe me anëtarë të biznesit, organizatave akademike, fetare, dhe shoqërisë civile për të vlerësuar përparimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Mike Kane, përfaqësuesi i rrjetit të stafit LGBT, i cili punon pranë Ambasadës Britanike në Tiranë, nxorri në pah disa bashkëpunime të shkëlqyera ndërmjet misioneve diplomatike, qeverisë dhe OJQ-ve lokale LGBT në promovimin e të Drejtave të Njeriut të qytetarëve LGBT në Shqipëri. Ambasada Britanike mbetet aktive në këtë çështje duke ndihmuar në krijimin e Strehës, shtëpia e parë LGBT në Shqipëri për të pastrehët, e cila është hapur bashkarisht nga Ambasada e SHBA-së dhe Ambasada Britanike së bashku me Ministrin Veliaj të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në dhjetor të vitit të kaluar.
Përkushtimi i Mbretërisë së Bashkuar për të promovuar të drejtat e njeriut është pjesë e politikës së saj të jashtme. Ne punojmë për të hequr pengesat në menyrë që lezbiket, gay, biseksualët dhe transeksualët mund të përballen dhe të ecin përpara me mundësitë e tyre në të gjitha fushat e jetës, përfshirë këtu familjen, punën dhe shkollat. Mike ishte shumë i kënaqur me mundësinë për të diskutuar këto çështje me të Dërguarin e Posaçëm të SHBA-së, takim të cilin të dy e shohin si një mundësi për të inkurajuar dhe mbështetur partnerët tanë ndërkombëtarë në zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse të të drejtave të njeriut. Mike i uroi të Dërguarit të Posaçëm Berry sukses në pjesën e mbetur të udhëtimeve të tij dhe në ndjekjen e politikave për të përmirësuar qeverisjen demokratike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, pa përjashtuar personat LGBT.