Historia e lajmeve botërore

Lansimi i projektit për Personat e Pagjetur në Kosovë

Fjalimi i Ambasadorit Ruairí O'Connell

Launch of the project on Missing Persons

I nderuar Kryeministër, I nderuar Zëvendës Ministër, Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Kosovës, Të nderuar familjarë të Personave të Pagjetur, Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i nderuar që sot, së bashku me Kryeminstrin e Republikës së Kosovës, dhe me të gjithë ju prezent në këtë sallë, ta lansojmë një prej projekteve më të rëndësishme të Qeverisë së Britanisë së Madhe në Kosovë, për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës, që të zbardhë fatin e Personave të Zhdukur. Kur erdha në Kosovë, një mike e imja më tregoi në lidhje me dhimbjen e shkaktuar, kur gjyshja e saj ishte zhdukur gjatë luftës në vitin 1999. Unë i premtova asaj që do të angazhohem për të ndihmuar në fushën e personave të zhdukur, për të lehtësuar dhimbjet e përbashkëta të shqiptarëve, serbëve, romëve, ashkalinjve, egjiptianëve, boshnjakëve dhe familjeve të tjera.

Zonja dhe zotërinj,

Lufta e la Kosovën me 6,044 persona të zhdukur që kishin prejardhje të ndryshme fetare dhe etnike. Deri më tani, më shumë se 4,000 persona janë identifikuar, disa prej tyre për fat të mirë u gjetën gjallë, por shumica, për fat të keq, ishin të vdekur ose të humbur. Dua së pari të falenderoj të gjithë për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm për gjetjen e rreth 70% të personave deri atëherë të pagjetur, duke përfshirë: UNMIK-un, EULEX-in, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, qeveritë e ndryshme, SHBA-të, ICMP (Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur), familjet dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë.

Kanë kaluar 17 vjet nga konflikti, por mbeten ende 1665 persona të pagjetur. Familjet e personave të pagjetur kanë të ‘drejtë të dijnë’ se ku janë të dashurit e tyre.

Historia peshon rëndë në Ballkan. Njerëzit kujtojnë dhimbjen dhe nuk harrojnë padrejtësitë që u kanë ndodhur atyre dhe familjeve të tyre. Kjo është e natyrshme dhe njerëzore. Por ne duhet të ndihmojmë shoqërinë t’i shërojë plagët. Hapi i parë është të dëgjojmë atë që njerëzit kanë për të thënë, për të pranuar atë që ndodhi, dhe pastaj ne mund të përpiqemi t’u ofrojmë atyre përmbylljen dhe ndjenjën e drejtësisë.

Nuk ka asnjë moment në kohë në të cilën mund të tërheqim një vijë përfundimtare, e për të cilën njerëzit mund të pajtohen se lufta dhe pakënaqësitë e rrënjosura thellë që lidhen me të janë në të kaluarën. Disa kanë frikë se nëse hapim plagët e vjetra, kur marrëveshjet afatgjata politike janë ende shumë larg, vetëm sa do t’i dëmtonin mëtej marrëdhëniet. Por nëse këto plagë nuk shërohen kurrë dhe mbeten të hapura do të jetë e vështirë të bisedohet për këto gjëra kur ende nuk pajtohemi në të ardhmen. Nëse plaga mbetet e hapur, do të jetë vështirë të ndërtohet paqja.

Shumë prej jush e dini, kur Lartmadhëria e Tij, Princi i Uellsit vizitoi Kosovën në mars ai u takua me disa familje të personave të pagjetur. Kjo ishte kërkesë e tij personale. Lartmadhëria e Tij u prek dukshëm nga historitë e tyre personale dhe u zotua për të ndihmuar ata, për aq sa është e mundur.

Merakosem se përparimi drejt gjetjes së personave të pagjetur ka stagnuar. Shumë më tepër mund të bëhet nga të gjithë. Disa aktivitete që janë shumë teknike dhe rrjedhin nga ligji për Personat e Pagjetur që u miratua në vitin 2011, duhet përfunduar. I bëj thirrje Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur të përfundojnë regjistrimin e të dhënave në regjistrin qendror të personave të zhdukur, e cila u mbështetet bujarisht nga KNKK-ja dhe të finalizojnë legjislacionin sekondar, për themelimin e këtij regjistri qendror dhe mbylljen e rasteve. Për të shënuar ditën e të Drejtave të Njeriut, Ambasada Britanike dhe Qeveria e Kosovës janë duke lansuar një projekt për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ambasada Britanike do të punojë me miqt e përkushtuar në Qeveri, për të fuqizuar kapacitetet për të trajtuar në mënyrë efektive dhe efikase çështjet që kanë të bëjnë me personat e pagjetur. Ne do të ndihmojmë Qeverinë e Kosovës për të rishikuar ligjet në lidhje me këtë çështje përmes Kuvendit, duke i ndryshuar ato nëse është e nevojshme, për të krijuar mekanizma më të mirë për të identifikuar personat e pagjetur. Ne do të ndihmojmë në rritjen e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë për të nxitur zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur si një shqetësim i përbashkët.

Ballafaqimi me të kaluarën është thelbësor për ndërtimin e mundësisë për një të ardhme më të mirë. Unë personalisht besoj fuqishëm që është e pamundur të arrihet deri tek një e ardhme më e mirë nëse nuk pranohet, degjohet dhe përpiqet të zgjidhet dhembja dhe plagët e së kaluarës. Do të ketë sfida, do të jetë vështirë. E dijmë këtë, por e vetmja mënyrë për të ecur përpara është që të gjithë të punojnë së bashku. E di që Kosova mund ta bëjë këtë, e di që shoqëritë në Ballkan munden dhe ne jemi këtu për t’ju ndihmuar.

Faleminderit!

Publikuar 9 December 2016