Historia e lajmeve botërore

Ambasada Britanike mbështetë publikimin e raportit vjetor të Fondit për të Drejtën Humanitare mbi gjykimet për krime lufte në Kosovë

Fjalimi i Ambasadorit Britanik Ruairí O’Connell’s me rastin e publikimit të raportit ‘Koha kalon, drejtësia për krime lufte zbehet’, përkrahur nga Ambasada Britanike.

As Time Passes, Justice for War Crimes fades

I nderuar z. Blakaj, E nderuar Ministre Hoxha, E nderuara znj. Dominik, Të nderuar përfaqësues të Institucioneve,

Jam i nderuar që sot publikojmë raportin vjetor të Fondit për të Drejtën Humanitare lidhur me ‘Monitorimin e gjykimeve për krime lufte dhe vepra penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë.’

Të flasësh për luftën, për krimet e luftës dhe për gjykimet e këtyre krimeve nuk është e lehtë. Lufta krijoi dhimbje dhe pasoja. Lufta e la Kosovën me mbi 12000, të vrarë, 6000 persona të zhdukur të etnive dhe feve të ndryshme, nga të cilët mbeten ende të zhdukur me shumë se 1600 persona.

Ne jemi dëshmitar se familjarët e të vrarëve kërkojnë drejtësi, familjarët e të zhdukurve kërkojnë të dinë për fatin e të zhdukurve, viktimat dhe dhunës seksuale kërojnë drejtësi.

Unë personalisht kam vizituar Gjakovën, Drenicën dhe viktimat e luftës në pjesë të ndryshme të Kosovës. Më lejoni të them se ndjej dhimbjen me këto familje të cilat ende nuk dinë për fatin e familjarëve të tyre. Njerëzit kujtojnë dhe nuk e kanë të lehtë të harrojnë padrejtësitë dhe çfarë u ndodhi familjeve të tyre. Kjo është normale, është njerëzore.

Por tani jemi 18 vite pas konfliktit. Të gjithë kemi obligim që të ndihmojmë shoqërinë të i shëroj plagët. Por për t’u shëruar këto plagë duhet fillimisht të përballemi dhe të dëgjojmë ate që ka ndodhur, pa marrë parasysh etninë apo fenë. Të gjithë jemi njerëz dhe të gjithë meritojmë drejtësi.

Siç e dini, shkëlqësia e tij, Princi i Wales, ka vizituar Kosovën në mars 2016 ku ka takuar familjet e të zhdukurve. Si vazhdimsi e këtij takimi, Princi i ka mirëpritur në Londër familjet e personave të zhdukur të Kosovës, Kroacisë, Bosnjës dhe Sërbisë në mars të këtij viti. Ai është prekur ndjeshëm nga historitë e treguara dhe është zotuar që ta jap ndihmën e tij aty ku do ketë mundësi. Ky takim ka theksuar vuajtjet e përbashkëta të familjeve të prekura pavarësisht origjinës etnike.

Unë kam parë vështirësitë në Cambodia, Bosnje, Siri dhe në shumë vende të tjera, e për më tepër unë e ndjej më mirë se vet jam Irlandez. Irlanda është shembull i mirë për të parë se me kohë dhe vullnet mund të vimë deri tek pajtimi dhe bashkëjetesa. Prandaj, e kuptoj vështirësinë dhe sfidat e këtij procesi. Pajtimi dhe zgjidhja e konflikteve nuk janë të lehta. Fillimisht, duhet filluar të mundohemi të kuptojmë se si ndjehet tjetri. Pajtimi duhet ta ketë si themel drejtësinë. Individët meritojnë drejtësi, ndërsa shoqëria ka nevojë për të. Gjeneratat e reja e meritojnë të jetojnë në të tashmën, dhe nuk duhet të rriten dhe ndërtohen me urrejtje.

Nuk ka patur asnjëherë luftë pa krime lufte. Matësi më i mirë i shoqërisë është reagimi dhe përgjigja e tyre në trajtimin e kësaj çështje. Dhe në këtë drejtim, Kosova ka shprehur gadishmërinë në krijimin e Gjykatës Speciale si përgjigje për të pastruar të kaluarën. Kosova ka dëshmuar se nuk ka frikë për të gjykuar krimet që mund të jenë bërë. Gjykimi i individëve për krime që supozohet të jenë kryer gjatë asaj periudhe nuk e ndryshon historinë apo dëmton imazhin e një organizate të tërë. Mënyra se si i përgjigjemi supozimeve të tilla është matës i fuqisë së demokracisë dhe institucioneve të një shteti.

Ajo që askush s’mund të bëj, është ta ndryshoj të kaluarën. Mirëpo, ajo çfarë mund të bëjmë është ta ndërtojmë të ardhmen më të mirë. E ardhmja ka nevojë të ndërtohet mbi të vërtetën dhe të drejtën, pavarësisht se sa e dhimbshme mund të jetë. Ne duhet të fillojmë të flasim të vërtetën dhe të jemi të hapur të dëgjojmë perspektivat e njerëzve tjerë. Fatkeqësisht, është shumë e rrallë të dëgjosh njerëzit të flasin se çfarë u ka ndodhur fqinjit të tyre. A kanë filluar ta pranojnë njerëzit se cfarë ka bërë regjimi serb ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve gjatë konfliktit?

Në anën tjetër, sa njerëz në Kosovë e dinë që nga 1600 të zhdukur, rreth 400 prej tyre janë serb? Prandaj, a je shqiptar apo serb nuk ka rëndësi. Drejtësia duhet të jetë e paanshme.

Për shembull, Kuvendi largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte ndërsa Ministrja Hoxha inicoi amandamentimit e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penal ku do përfshihet edhe zgjatja e afatit të hetimeve për krime të luftës. Këto janë shembuj të mirë dhe që duhen inkurajuar. Në anën tjetër, Tribunali i Hagës ka 8 të dënuar për krime lufte, nga të cilët gjashtë serb të profilit të lartë duke përfshirë ministra dhe komandant dhe dy shqiptar.

Por nëse jemi të sinqertë me veten, e dimë shumë mirë që kjo nuk mjafton. Në zgjidhjen e lëndëve të krimeve të luftës duhet bërë më shumë nga vetë institucionet e gjyqësorit. Fillimisht, ndjekja e krimeve të luftës do të duhej të bëhej prioritet. Në të gjithë e dimë që në Prokurorinë Speciale vetëm dy prokuror merren me lëndë të krimeve të luftës. Kjo tregon mungesë të një qasje proaktive në trajtimin dhe gjykimin e këtyre rasteve. Në anën tjetër, të gjeturat e raportit të Fondit të së Drejtës Humanitare tregojnë se gjyqtarët nuk posedojnë përvojë të gjerë në ndjekjen penale të krimeve të luftës. Këta prokurorë dhe gjyqtarë kanë nevojë për staf mbështetës dhe mbi të gjitha për trajnimet e nevojshme specifike duke e ditur interesimin e madh të mediave dhe të publikut të gjerë, por edhe me trysninë si nga jashtë ashtu edhe nga brenda.

Prandaj, duke qenë të gjithë dëshmitarë që deri tani nuk është organizuar asnjë trajnim, unë ftoj institucionet relevante si Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe në veçanti Institutin Gjyqësor të Kosovës të organizoj trajnime efikase dhe afatgjate për gjyqtarët dhe prokurorët lidhur me ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Dua ta përsërisë se ne e dimë fort mirë historinë e Kosovës që bëri NATO-n të intervenojë më 1999. Ne nuk kërkojmë që të harrohet ajo cka ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, ne iu inkurajojmë që qytetarët të kërkojnë drejtësi, sikurse iu këshillojmë se rruga e vetme është pajtimi dhe ndërtimi i urave të bashkëpunimit në mes popujve që jetojnë në këtë hapësirë.

Ju keni shembuj të shumtë në Evropë, se si konfliktet e luftës së dytë botërore mes popujve të Evropës, me dhjetëra miliona njerëz të vrarë, shkatërrimet massive, janë tejkaluar. Popujt e Evropës kanë ditur të gjejnë rrugën e pajtimit dhe gjitha energjitë i kanë kanalizuar në ngritjën e bashkëpunimit ekonomik dhe me këtë edhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të tyre. Le të mos harrojë që edhe Kosova është pjesë e Evropës.

Ne besojmë se kjo është mënyra e duhur që duhet ndjekur.

Faleminderit.

Publikuar 27 March 2017