Historia e lajmeve botërore

Ambasadori Ruairí O'Connell flet për korrupsionin në Kosovë

Ambasadori O’Connell flet për prezantimin e raportit të fundit nga Institutit i Kosovës për Drejtësi (IKD) për sektorin e drejtësisë, projekt i mbështetur nga Ambasada Britanike.

Ambassador Ruairí O'Connell speaks on corruption in Kosovo

I nderuar z. Idrizi, E nderuara znj. Milic, E nderuara znj. Hoxha, Ambassador Delawie, I nderuar z. Musliu,

Të nderuar gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të institucioneve publike, agjencioneve të pavarura, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile dhe ju të gjithë të pranishëm.

Është kënaqësi që sot sërish jemi mbledhur në këtë tryezë ku të pranishëm janë përsëri akterët kryesore të sistemit të drejtësisë dhe miqtë ndërkombëtarë për të diskutuar luftimin e korrupsionit. Tashmë jemi dëshmitarë, se sa kjo dukuri e rrezikon Kosovën.

Unë jam Ambasadori Britanik. Puna ime është të shikoj interesin e shtetit tim në Kosovë. Mirëpo ne kemi interesa të përbashkëta. Është në interesin e Britanisë që Kosova të jetë e fortë, e sigurtë dhe prosperuese. Kjo është mënyra e vetme që ta luftojmë krimin dhe korrupsionin që na lëndojnë si Kosovën ashtu edhe neve. Dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë është të kemi një gjyqësor të fortë.

Nga perspektiva ime personale, e di që Kosova dhe populli i saj meriton për të jetuar në një vend ku sundon ligji, ku njerëzit e korruptuar hetohen, ndiqen penalisht dhe gjykohen për sjelljet dhe veprimet e tyre të kundërligjshme. Ne kemi të njejtin interes: që mos ta lëm Kosovën të shembet për shkak të apetiteve të njerëzve të korruptuar.

Siç e kam thënë disa herë, korrupsioni është kanceri i këtij shteti të ri.

Tani, ta themi troç. Ky raport kaq profesional i IKD-së tregon që Rezultatet konkrete mungojnë. Ky tregon që qytetarët e Kosovës janë skajshmërisht të pakënaqur me punën e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Kjo tregohet edhe nga të gjeturat e Pulsit Publik i UNDP-së që rezulton se kënaqshmëria e qytetarëve ka shënuar pothuajse rënien më të madhe të të gjitha kohërave, duke rënë në 18.4% për gjyqësorin dhe 16.9% për prokuroritë.

Ashtu siç e dimë të gjithë, luftimi i korrupsionit është edhe njëri ndër kriteret e mbetura të liberalizimit të vizave. Organet e drejtësisë, në të gjitha nivelet, duhet të dëshmojnë luftimin e korrupsionit, në përgjithësi, dhe korrupsionit të nivelit të lartë në veçanti.

Në këtë drejtim, le te lavdërojmë punën kur kryhet mirë. Organet e drejtësisë kanë bërë një punë të mrekullueshme në krijimin e databazës elektronike që do të reflektoj dhe përcjellë të gjitha fazat e procedurës penale, që nga ndjekja deri tek vendimet përfundimtare dhe konfiskimet e aseteve, të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Ky është një hap i rëndësishëm dhe ne e vlerësojmë shumë si një të arritur të organeve të drejtësisë.

Mirëpo, tani është koha të kemi rezultate konkrete të luftimit të korrupsionit. Është koha që organet e drejtësisë të dëshmojnë se guxojnë të ndjekin dhe dënojnë të korruptuarit e nivelit të lartë. Është koha që pasuria e fituar përmes veprave penale të sekuestrohet dhe konfiskohet nga organet e drejtësisë.

Gjetjet e raportit tregojnë fatkeqësisht se shumica e personave të akuzuar i takojnë personave të profilit të ulët, eventualisht të mesëm, por rastet ndaj profilit të lartë rrallë formalizohen në aktakuza. Edhe atëherë kur shndërrohen në aktakuza, rrëzohen në gjykata, ose nëse dënohen, dënimi jepet me kusht edhe pse konstatohet se dëmet e shkaktuara kapin shifra milionëshe.

Por, raporti gjithashtu tregon që disa prokurorë kanë gjetur guximin për të luftuar korrupsion duke ngritur aktakuza edhe për profil të lartë. Shpresojmë të kemi aktakuza të qëndrueshme dhe profesionale, prandaj presim gjykimin me prioritet në këto raste për të parë rezultate konkrete.

Kujtoj edhe disa nga rastet që edhe kur shqiptohet dënimi, individë të caktuar gjejnë mënyrat e ndryshme për t’i ikur drejtësisë, largohen nga Kosova dhe gjejnë kohë të marrin pjesë në ceremoni e manifestime të ndryshme.

Shembull tjetër mund të jenë edhe dy të dënuarit kryesor të rastit ‘Medicus’, urologu Lutfi Dervishi dhe Arben Dervishi të cilët u dënuan me nga 8 vjet burg për vepra penale mirëpo nuk e vuajnë dënimin për shkak se kanë gjetur mundësinë për të i ikur drejtësisë në Kosovë.

Ky sistem gjyqësor i Kosovës krijon zbrastësira që u mundëson individëve të caktuar t’i ikin drejtësisë. Kjo është shokuese dhe e papranueshme.

Kultura e pandëshkueshmërisë duhet të ndalohet. Kjo nuk mund të gjejë zbatim në një shtet, që ndan vlerat Evropiane, së paku në retorikë. Në familjen evropiane funksionon sistemin ku shkelësit e ligjit përballen fuqishëm me drejtësinë. Kur zyrtarët e lartë publik hetohen, ose ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza ose dënohen për vepra penale, ata duhen të suspendohen dhe të largohen nga puna sic përcaktohet me legjislacionin vendor.

Një shembull i fundit të cilin ne e kemi përshëndetur ka qenë edhe i Ministres Hoxha e cila ka vepruar pa ndrojtje duke respektuar dhe zbatuar ligjin për shërbyesit civil.

Ajo që dua të theksoj është se suksesi i sistemit gjyqësor nuk varet vetëm nga prokurorët, ose gjyqtarët ose policët. Sistemi prokurorial dhe gjyqësor janë zingjirë që lidhin akterët e ndryshëm dhe i bën përgjegjës si për dështimet ashtu edhe për sukseset. Funksionimi i të gjitha hallkave të drejtësisë është thelbësor në arritjet e sukseseve jo vetëm në luftën kundër korrupsion por edhe në të gjitha fushat tjera.

Në raport është dokumentuar se mbi 70% e kallëzimeve penale nga qytetarët e Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencioni Kundër Korrupsion dhe institucionet tjera, mbyllen nga prokurorët, duke i hudhur kallëzimet penale apo duke i pushuar hetimet. Ajo që është shqetësuese dhe që dokumentohet nga të gjeturat e këtij raporti është fakti se prokurorët hudhin raportet duke mos iu referuar fare dispozitave ligjore dhe duke shkelur afatet ligjore. Shkeljet e afateve ligjore paraqesin shkelje kushtetuese të të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës për një gjykim të drejtë dhe në afat të arsyeshëm kohor.

Kemi rastin e fundit të z. Nuhi Uka ku dëshmohet se shkeljet e afateve ligjore i’a mundësuan atij të mos dënohet e as të hetohet për shkak të parashkrimit të veprave penale të korrupsionit. Në një rast tjetër të z. Uka, gjykata ka vërtetuar se 60.000.000 euro ka qenë dëmi i shkaktuar. Në këtë rast z. Uka është dënuar me kusht dhe nuk është konfiskuar asnjë cent.

Si ka mundësi që aktakuzat ngrihen nga prokurorët dhe rrinë në zyrat e tyre me muaj e me vite derisa të dorëzohen në gjykatë? Si ka mundësi që aktakuzat e ngritura për korrupsion nga prokuroria, të flenë me muaj në gjykata dhe të mos caktohen seancat gjyqësore? Si ka mundësi që ky sistem gjyqësor vepron brenda dite ndaj qytetarët të thjeshtë që thyejnë rendin dhe ligjin dhe lë anash ata individë të cilët kanë shkaktuar dëme milionëshe? Unë përshëndes çdo rast kur gjykatat dhe prokuroritë veprojnë me efikasitet, mirëpo nuk mund të hesht kur shohim standarde të dyfishta.

Ne jemi të vetëdijshëm që sistemi gjyqësor në Kosovë po funksionon me vetëm 1.7 % të totalit të buxhetit të Republikës së Kosovës. Ky fakt flet shumë. Nëse do të luftohet korrupsioni, sistemi i drejtësisë ka nevojë për mbështetje maksimale buxhetore prej Qeverisë dhe Kuvendit.

Kjo është dicka që i përket institucioneve të Kosovës t’i bëjne detyrat e tyre. Ne mund t’i mbështesim por asesi ta kryejmë punën që u takon institucioneve të vendit.

Por, do të jemi gjithmonë pranë Kosovës në luftimin kundër korrupcionit, dhe sidomos pranë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve të guximshëm që marrin masat edhe kur është e vështirë.

Por pse vazhdojmë te investojmë në një sistem me kaq shumë probleme?

Sepse unë fuqimisht besoj që ka ende prokurorë dhe gjyqtarë, dhe jo pak, që me guximin dhe punën profesionale kanë dëshmuar rezultate të prekshme.

Shpresë mund të krijojë një prokuror special si Admir Shala, i cili ka akuzuar edhe kolegët e tij prokurorë kur janë zënë me vepra penale të korrupsionit. Nuk jam duke paragjykuar rastet konkrete, sepse gjykatësit do ta thonë fjalën përfundimtare. Por, prokurori Shala ka dëshmuar deri tash guxim për të luftuar të korruptuarit dhe për t’i dërguar në gjykatë.

Një shembull tjetër është prokurori Armend Hamiti, i cili ka mbushur buxhetin e shtetit me rreth gjysmë milioni euro, duke ndjekur falsifikatorët e dokumenteve të automjeteve. Prokurori Hamiti gjithashtu ka liruar pronat e uzurpuara në rajonin e Prishtinës, duke akuzuar edhe njerëz që dikur konsideroheshin të paprekshëm nga ligji.

Të nderuar këta janë heronjët e këtij vendi që duhen ndjekur për ta luftuar krimin e korrupsionin.

Ju faleminderit,

Publikuar 27 October 2016