Fjalim

Fjalimi i Ambasadorit Britanik në Kosovë Nicholas Abbott gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Publikimi i raportit të parë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike ‘Zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Kosovë’.

Nicholas Abbott

Mirëmengjesi të gjithëve,

I nderuar Kryesues Hyseni,

I nderuar Kryeprokuror i Shtetit Lumezi, E Nderuara znj Loxha,

Të nderuar ju të pranishëm,

Para se të filloj, më duhet të them që më vjen keq që nuk shof asnjë përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës por megjithatë i përshëndes të njejtit gjithashtu.

Kam kënaqësinë të jem sot në këtë tryezë që organizohet nga partneri jonë zbatues - Grupi për Studime Juridike dhe Politike - në publikimin e raportit të tyre të parë mbi ‘Zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Kosovë’.

Roli i shoqërisë civile është kyc në shtetet demokratike. Andaj, dua të besoj që edhe në Kosovë roli konstruktiv i shoqërisë civile, në përgjithësi, dhe i GLPS-së, në veçanti, vlerësohet lartë.

Është tryeza ime e dytë që marr pjesë, por sërish kjo ditë shënon dicka të veçantë, e që është hapja zyrtare e fushatës zgjedhore.

Shpresoj që, përmes kësaj tryeze, të përqojmë mesazhet e nevojshme tek partitë politike të cilat duken se kanë prioritet sundimin e ligjit.

Ashtu siç vlerëson raporti i GLPS-së, dua edhe unë të i bëj jehonë praktikës demokratike dhe transparente që Këshilli Prokurorial ka ndërmarrë me rastin e hartimit të një prej Rregulloreve më të rëndësishme për emërimin e kryeprokurorëve. Jo vetëm që partnerët ndërkombëtar janë konsultuar nga afër por Këshilli ka vendosur që për herë të parë të mbajë dëgjim publik për ta marrë vlerësimin e shoqërisë civile. Kjo direkt ndikon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Fatkeqësisht nuk e kemi parë të njejtën gatishmëri nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ne mbesim të përkushtuar që të njejtën mbështetje të ofrojmë në mënyrë të barabartë për të dy Këshillat.

Në këtë kohë fushate elektorale, më vjen mirë të dëgjoj dhe të lexoj që sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe dukurive tjera negative është në programet e pothuajse të gjitha partive politike. Nuk ështe e mjaftueshme që të kemi vetëm deklarat për luftim të korrupsionit. Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë të dëgjojnë masat konkrete që partitë politike do i ndërmarrin në këtë drejtim.

Deri tani Kosova ka pranuar atë që i është servuar. Unë nuk dua ta bëj këtë. Por dua të theksoj atë që tashmë është e qartë për të gjithë: Kosova ka nevojë për reforma gjyqësore! Por këto duhet të bëhen nga analizat tuaja që burojnë nga konteksti i vendit tuaj. Ne padyshim që do ju mbështesim!

Theksoj se nuk është e drejtë të flitet kaq shumë për luftimin e korrupsionit para fushatës, dhe pas fushatës të theksohet se pushteti ekzekutiv nuk ka kompetenca ligjore në këtë drejtim.

GLPS ka dhënë rekomandime konkrete organeve të drejtësisë. Do veçoja disa: e para, duhet të ketë efikasitet pasi që ‘Vonimi i drejtësisë është mohim i drejtësisë’; e dyta, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial duhet të reagojnë fuqishëm në rastet kur prokurorët e shtetit apo gjyqtarët linqohen publikisht nga politikanë të pushtetshëm; e treta, duhet të ketë rezultate konkrete të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar të profilit të lartë.

Por shtetet demokratike kanë tri pushtete ku secili pushtet do duhej të kontrolloj dhe mbikqyr njëri tjetrin (checks and balances as we call it). Andaj edhe ekzekutivi edhe legjislativi kanë të drejtë të marrin iniciativa ligjore për përmirësimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë.

Për fund, më lejoni të ju njoftoj që kemi interes të theksuar të përcjellim procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Deri tani Këshilli Prokurorial ka treguar gatishmërinë dhe vullnetin që ky proces të shkoj sa më mirë. Ne do e monitorojmë nga afër këtë proces dhe presim që kandidatët më meritor të marrin këto pozita kaq të rëndësishme. Kjo do ishte një hap i rëndësishëm drejt arritjes së rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Ju uroj suksese dhe ju falenderoj për vëmendjen tuaj!

Publikuar 1 October 2019