Sëmundjet infektive (Albanian)
Përditësuar 3 Qershor 2026
Applies to England
Ky film vizatimor i shkurtër shpjegon pse është i rëndësishëm ekzaminimi për sëmundjet infektive gjatë shtatzënisë.
Ekzaminimi për sëmundjet infektive rekomandohet nga NHS-ja (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar).
Qëllimi i ekzaminimit
Ne ofrojmë ekzaminime për të zbuluar nëse keni hepatit B, HIV (virusi i imunodeficiencës njerëzore) ose sifiliz. Gratë që jetojnë me HIV, hepatit B dhe/ose sifiliz kanë nevojë për takime të hershme te specialisti. Kjo është për të planifikuar kujdesin e tyre gjatë shtatzënisë.
Gratë që tashmë e dinë se jetojnë me HIV, kanë hepatit B ose kanë marrë trajtim për sifilizin në të kaluarën, këshillohet që të testohen në çdo shtatzëni. Ju lutemi të informoni maminë tuaj ose profesionistin e kujdesit shëndetësor nëse keni një diagnozë të mëparshme për ndonjë nga këto infeksione.
Rreth këtyre sëmundjeve
Hepatiti B, HIV dhe sifilizi transmetohen me anë të gjakut dhe lëngjeve trupore. Kjo mund të ndodhë nëpërmjet kontaktit seksual ose ndarjes së gjilpërave dhe pajisjeve të infektuara që përdoren për drogë intravenoze. Këto viruse mund t’i transmetohen edhe foshnjës gjatë shtatzënisë dhe/ose lindjes.
Hepatiti B
Virusi i hepatitit B prek mëlçinë. Ai mund të shkaktojë probleme shëndetësore akute (të menjëhershme) dhe kronike (afatgjata). Foshnjat që infektohen në lindje ose gjatë vitit të parë të jetës kanë një mundësi 9 në 10 (90%) për të zhvilluar infeksion kronik të hepatitit B. Kjo mund të çojë në sëmundje të tilla si, probleme me mëlçinë dhe kancer. Rreziku zvogëlohet ndjeshëm në rreth 1 në 10 (10%) nëse foshnja e përfundon të gjithë kursin e plotë të vaksinimit.
HIV
HIV dobëson sistemin imunitar, duke e bërë të vështirë luftimin e infeksioneve. Nëse nuk trajtohet, mund t’i transmetohet foshnjës gjatë shtatzënisë, gjatë lindjes, ose me anë të ushqyerjes me gji. Trajtimi gjatë shtatzënisë e zvogëlon shumë mundësinë e transmetimit të HIV-it tek një foshnjë nga 1 në 4 (25%) në më pak se 4 në 1000 (0.4%). Foshnjës mund t’i jepet edhe trajtim që në lindje për të zvogëluar mundësinë që foshnja të infektohet.
Sifilizi
Sifilizi është një infeksion që transmetohet nëpërmjet kontaktit seksual të pambrojtur. Mund t’i transmetohet foshnjës gjatë shtatzënisë. Nëse nuk trajtohet gjatë shtatzënisë, mund të rezultojë në probleme të rënda shëndetësore dhe zhvillimore për foshnjën. Mund të shkaktojë gjithashtu dështim të foshnjës ose lindje të foshnjës së vdekur. Trajtimi gjatë shtatzënisë mund të zvogëlojë mundësinë që foshnja të infektohet.
Testi i ekzaminimit
Merret gjak nga vena juaj, zakonisht në krahun tuaj.

Merret një mostër gjaku.
Një sasi e vogël e këtij gjaku ruhet në laborator. Kjo mund të përdoret për analiza nëse tregoni shenja të infeksioneve ose skuqjeve të tjera gjatë shtatzënisë.
Siguria e testit
Nuk ka rreziqe që lidhen me kryerjen e këtij testi.
Ekzaminimi është zgjedhja juaj
Këto teste rekomandohen fort. Ato mund të mbrojnë shëndetin tuaj gjatë shtatzënisë dhe të lejojnë trajtim dhe kujdes të shpejtë. Ato gjithashtu zvogëlojnë shumë çdo mundësi për ta kaluar infeksionin te foshnja juaj, partneri ose anëtarët e tjerë të familjes.
Moskryerja e testit
Nëse vendosni të mos i nënshtroheni testit, ekzaminimi do t’ju ofrohet përsëri më vonë gjatë shtatzënisë, më e mira do të ishte deri në javën e 20-të. Do të inkurajoheni t’i diskutoni shqetësimet tuaja në lidhje me testimin me një anëtar të ekipit të ekzaminimit të maternitetit ose të ekipit të shëndetit seksual.
Nëse vendosni të mos i nënshtroheni ekzaminimit për sëmundje infektive, ne do ta regjistrojmë këtë. Kjo ndodh sepse Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) i Anglisë dëshiron të kontrollojë se sa njerëz vendosin të mos i nënshtrohen ekzaminimit. Të kuptuarit e kësaj do të ndihmojë në përmirësimin e rezultateve të shtatzënisë si për nënat ashtu edhe për foshnjat.
Rezultat negativ
Një rezultat negativ do të thotë që keni qenë negativ kur ju është marrë mostra e gjakut. Ju ende mund të infektoheni në çdo moment gjatë shtatzënisë.
Flisni me maminë ose mjekun tuaj të përgjithshëm sa më shpejt të jetë e mundur nëse zhvilloni simptoma, ose nëse mendoni se keni nevojë për testime të përsëritura.
Ju dhe partneri juaj mund të testoheni në çdo kohë dhe mund të përdorni shërbimet lokale të shëndetit seksual në çdo moment. Ne ju rekomandojmë ta përsërisni testimin nëse:
- ndryshoni partnerin tuaj seksual
- partneri juaj është seksualisht aktiv me njerëz të tjerë
- keni një partner që është diagnostikuar me një infeksion seksualisht të transmetueshëm (STI)
- injektoni droga rekreative
- jeni punonjës seksi.
Rezultat pozitiv
HIV
Nëse jetoni me HIV, trajtimi dhe kujdesi shëndetësor i specializuar mund ta zvogëlojnë shumë mundësinë që t’ia kaloni foshnjës suaj. Zakonisht këshillohet të shmangni ushqyerjen me gji. Megjithatë, kjo mund të mbështetet nëse po merrni trajtim të mirë për HIV-in. Duhet ta diskutoni këtë me ekipin tuaj të kujdesit shëndetësor.
Hepatiti B
Nëse jetoni me hepatit B, është e rëndësishme që ekipet e specializuara të kontrollojnë shëndetin tuaj para dhe pas lindjes. Partneri juaj, çdo fëmijë tjetër dhe anëtarët e ngushtë të familjes këshillohen gjithashtu të bëjnë testime dhe vaksinime.
Foshnja juaj do të bjerë në kontakt me gjakun tuaj kur të lindë. Për shkak të kësaj, virusi mund t’u transmetohet atyre.
Prandaj, është shumë e rëndësishme që foshnja juaj të bëjë të gjitha 6 vaksinat e rekomanduara kundër hepatitit B në kohën e duhur. Kjo do të zvogëlojë rrezikun që foshnja juaj të ketë hepatit B kronik nga një mundësi 9 në 10 (90%) në një mundësi 1 në 10 (10%). Pyesni mjekun tuaj të përgjithshëm, infermieren e praktikës ose vizitoren tuaj shëndetësore nëse ndonjë nga këto nuk ndodh. Vaksinimet duhet të bëhen:
- brenda 24 orëve nga lindja
- në moshën 4 javëshe
- në moshën 8, 12 dhe 16 javëshe (pjesë e programit rutinë të imunizimit të fëmijërisë)
- në moshën 18 muajshe
Foshnja juaj mund të ketë nevojë gjithashtu për një analizë gjaku dhe një injeksion të antitrupave (imunoglobinë e hepatitit B) me vaksinimin e tij të parë.
Foshnja juaj do të bëjë gjithashtu një analizë gjaku në vaksinimin e tij të fundit. Kjo kryhet midis moshës 12 dhe 18 muajshe. Kjo bëhet për të kontrolluar nëse infeksioni është shmangur.
Sifilizi
Nëse keni sifiliz, nevojitet referimi te një ekip specialist për shëndetin seksual. Trajtimi zakonisht bëhet me një kurë antibiotikësh. Këto janë të sigurta për foshnjën tuaj nëse i merrni. Ekipi gjithashtu do t’ju ofrojë që ata të testojnë partnerin tuaj për të parë nëse ai ka nevojë për trajtim.
Nëse keni nevojë për trajtim kundër sifilizit gjatë shtatzënisë, foshnja juaj do të ketë nevojë për një ekzaminim dhe analiza gjaku pas lindjes. Ai gjithashtu mund të ketë nevojë për antibiotikë. Foshnja juaj do të ketë nevojë për një takim pasues në moshën 3 muajshe. Kjo është për t’u siguruar që ai nuk ka shenja infeksioni.
Marrja e rezultateve të mia
Nëse rezultati juaj është negativ, mamia juaj do ta diskutojë atë me ju. Kjo do të ndodhë në takimin tuaj ose para takimit tuaj të ardhshëm para lindjes, rreth javës së 16-të. Rezultati të regjistrohet gjithashtu në shënimet tuaja.
Nëse jeni pozitive në testin për HIV, hepatit B ose sifiliz, një mami specialiste do t’ju kontaktojë. Ata do t’ju caktojnë një takim brenda 5 ditëve nga data e marrjes së rezultatit. Ata do të diskutojnë rezultatin, do të kryejnë teste të mëtejshme dhe do të planifikojnë kujdesin tuaj me ju.
Gjeni më shumë informacione dhe detaje mbi grupet e mbështetjes në NHS.UK.