Humbja e dëgjimit (Albanian)
Përditësuar 3 Qershor 2026
Applies to England
Kjo video e shkurtër shpjegon ekzaminimin për humbjen e dëgjimit tek foshnjat e porsalindura.
Ekzaminimi për humbjen e dëgjimit rekomandohet nga NHS-ja.
Qëllimi i ekzaminimit
Ne e ofrojmë këtë ekzaminim për të gjetur foshnjat që kanë humbje të dëgjimit, në mënyrë që kujdesi, mbështetja dhe këshillat të mund të ofrohen që nga fillimi.
Rreth kësaj sëmundjeje
Një deri në dy foshnje në çdo 1000 lindin me humbje të përhershme të dëgjimit në njërin ose në të dy veshët. Ky numër rritet në rreth 1 në çdo 100 foshnje (1%) që kanë kaluar të paktën 48 orë në një njësi kujdesi të veçantë. Shumica e këtyre foshnjave lindin në familje pa histori të humbjes së dëgjimit.
Humbja e përhershme e dëgjimit mund të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e një foshnje. Zbulimi i hershëm i humbjes së dëgjimit u jep foshnjave një mundësi më të mirë për të zhvilluar aftësitë gjuhësore, të të folurit dhe të komunikimit. Ndihmon që familjet e tyre të marrin mbështetjen që u nevojitet. Do t’i ndihmojë foshnjat të shfrytëzojnë sa më shumë marrëdhëniet me familjen dhe kujdestarët e tyre që në moshë të vogël.
Testi i ekzaminimit
Testi i ekzaminimit të dëgjimit të të porsalindurve do t’i ofrohet foshnjës suaj ose në spital para daljes nga spitali, ose kur të jeni në shtëpi. Si alternativë, do të ftoheni të merrni pjesë në një takim në klinikë. Më e mira do të ishte që testi i ekzaminimit të bëhet në 4 javët e para, por mund të bëhet në çdo kohë deri në moshën 3 muajshe.
Testi i ekzaminimit, i quajtur AOAE (emetim i automatizuar otoakustik), zgjat disa minuta. Një kufje e vogël me majë të butë vendoset në veshin e foshnjës suaj dhe luhen tinguj të butë klikimi. Kur një vesh merr tinguj, pjesa e brendshme (e quajtur koklea) përgjigjet. Kjo mund të kapet nga pajisjet e ekzaminimit.
Nuk është gjithmonë e mundur të merrni përgjigje të qarta nga testi i parë i ekzaminimit. Kjo nuk do të thotë medoemos që foshnja juaj ka humbje të dëgjimit. Mund të nënkuptojë:
- foshnja juaj ishte i/e shqetësuar kur u krye testi
- kishte zhurmë në sfond
- foshnja juaj ka lëng ose një bllokim të përkohshëm në vesh - kjo është shumë e zakonshme dhe kalon me kalimin e kohës
- foshnja juaj ka humbje të dëgjimit
Nëse foshnja juaj nuk merr një përgjigje të qartë, do t’i ofrohet një test tjetër ekzaminimi. Ky mund të jetë i njëjtë me testin e parë të ekzaminimit, ose një lloj tjetër testi i quajtur testi AABR (përgjigje dëgjimore e automatizuar e trungut të trurit).
Kjo përfshin 3 sensorë të vegjël që vendosen në ballin e foshnjës suaj, në pjesën e pasme të qafës dhe në shpatull. Kufje të buta vendosen mbi veshët e foshnjës suaj dhe luhen tinguj të butë klikimi. Pajisjet e ekzaminimit do të jenë në gjendje të tregojnë nëse nervi i dëgjimit të foshnjës suaj i përgjigjet tingujve. Kjo do të na ndihmojë të zbulojmë nëse foshnja juaj ka humbje të dëgjimit apo jo.
Ky test ekzaminimi mund të zgjasë deri në 15 minuta. Foshnja juaj duhet të jetë e qetë ose të flejë.
Siguria e testit
Nuk ka rreziqe që lidhen me kryerjen e këtij testi të ekzaminimit.
Ekzaminimi është zgjedhja juaj
Ky test ekzaminimi rekomandohet për foshnjën tuaj. Zbulimi i hershëm i humbjes së dëgjimit është i rëndësishëm për zhvillimin e foshnjës suaj.
Moskryerja e testit
Nëse vendosni të mos e kryeni testin e ekzaminimit të dëgjimit tek të porsalindurit, do t’ju jepen listat e kontrollit për t’ju ndihmuar të kontrolloni dëgjimin e foshnjës suaj ndërsa rritet. Nëse keni ndonjë shqetësim, duhet të flisni me vizitoren tuaj shëndetësore ose mjekun e përgjithshëm.
Rezultatet e mundshme
Nëse foshnja juaj ka një përgjigje të qartë në të dy veshët, atëherë nuk ka gjasa që të ketë një humbje të përhershme të dëgjimit. Megjithatë, ekzaminimi i dëgjimit tek të porsalindurit nuk i identifikon të gjitha llojet e humbjes së dëgjimit. Gjithashtu, fëmijët mund të zhvillojnë humbje të dëgjimit më vonë. Është e rëndësishme të kontrolloni dëgjimin e fëmijës suaj ndërsa ai rritet. Lista e kontrollit në kartelën personale shëndetësore të foshnjës suaj (‘libri i kuq’) ju tregon se si ta bëni këtë. Nëse keni ndonjë shqetësim në lidhje me dëgjimin e fëmijës suaj, tregojini vizitores suaj shëndetësore ose mjekut tuaj të përgjithshëm.
Nëse rezultatet e testit të ekzaminimit nuk tregojnë një përgjigje të qartë nga njëri ose nga të dy veshët e foshnjës suaj, do të caktohet një takim audiologjie me një specialist dëgjimi.
Foshnja juaj duhet të vizitohet nga një specialist dëgjimi brenda 4 javësh nga testi i ekzaminimit.
Është shumë e rëndësishme që ta sillni foshnjën tuaj në takimin e audiologjisë. Kjo ndodh sepse nëse ata kanë humbje të dëgjimit, mund të kenë nevojë për teste të tjera për të gjetur një shkak të mundshëm. Këto teste duhet të kryhen brenda javëve të para të lindjes.
Rreth 2 deri në 3 foshnje në çdo 100 (2 deri në 3%) nuk tregojnë një përgjigje të qartë në testet e ekzaminimit.
Rreth 1 në 15 foshnje (7%) të testuara në klinikën e audiologjisë kanë një humbje të përhershme të dëgjimit në njërin vesh ose në të dy veshët. Disa mund të kenë një humbje të përkohshme të dëgjimit.
Marrja e rezultateve të mia
Do t’ju jepen rezultatet e foshnjës suaj sapo të kryhet testi i ekzaminimit të dëgjimit.
Gjeni më shumë informacione dhe detaje mbi grupet e mbështetjes në NHS.UK.