Kitet e vetëtestimit për HPV: mënyra e përdorimit (Hologic) (Albanian)
Publikuar 24 Gusht 2026
Applies to England
Faleminderit që kërkuat një kit vetëtestimi për HPV.
Ky kit vetëtestimi për HPV është vetëm për ju, ndaj nuk duhet t’i jepet apo të përdoret nga askush tjetër.
Ndiqni udhëzimet e përfshira në kitin tuaj.
Nëse keni nevojë për ndihmë shtesë (për shembull, për shkak të një aftësie të kufizuar fizike ose një vështirësie në të nxënë), telefononi 0300 303 2724.
Mos e merrni mostrën gjatë menstruacioneve, gjatë shtatzënisë ose brenda tre muajve pas shtatzënisë ose një ndërhyrjeje gjinekologjike.
Mos e merrni mostrën nëse, gjatë 3 ditëve para kryerjes së vetëtestimit, keni përdorur ovula vaginale, kontraceptivë vaginalë, kremra, larës vaginalë, lubrifikantë ose prezervativë.
Mos e merrni mostrën nëse dyshoni se mund të keni kancer të qafës së mitrës ose nëse keni simptoma të shfaqura së fundi ose të pazakonta. Kontaktoni mjekun e familjes sa më shpejt të jetë e mundur. Simptomat përfshijnë:
- Rrjedhje gjaku gjatë ose pas marrëdhënieve seksuale, ndërmjet menstruacioneve ose pas menopauzës
- Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale
- Sekrecione vaginale më të shumta se zakonisht ose me erë të pazakontë
Mos e përdorni vetëtestimin derisa këto simptoma të jenë studiuar.
Kthejeni vetëtestimin brenda 24 orëve nga marrja e mostrës duke përdorur zarfin e përfshirë të kthimit.
Nëse nuk i keni marrë rezultatet brenda 14 ditëve, keni pyetje rreth vetëtestimit ose kiti juaj ka mbërritur i dëmtuar, telefononi 0300 303 2724.
Programi i ekzaminimit të qafës së mitrës në NHS
Ky kit përfshin
Informacion sigurie
Mbajeni larg fëmijëve. Mos e gëlltisni lëngun në tubin e mbledhjes së mostrës. Nëse lëngu gëlltitet ose bie në kontakt me sytë, shpëlani mirë me ujë dhe kontaktoni NHS 111 ose një profesionist të kujdesit shëndetësor për këshilla. Nëse simptomat janë të rënda ose jeni të shqetësuar, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
E rëndësishme
Ky kit po përdoret për një përdorim të ndryshëm nga ai i parashikuar nga prodhuesi i testit HPV (“off-label”). Kjo nuk do të thotë se testi HPV nuk është i sigurt apo i besueshëm, por po përdoret në një mënyrë tjetër nga ajo e përcaktuar fillimisht. Në këtë rast, tamponi u dërgohet personave për ta përdorur në shtëpi, në vend që të përdoret në klinikë, ndërsa laboratori përdor një proces të përshtatshëm për mostrat e mbledhura nga vetë personi.
Para se të filloni
- Kontrolloni që të gjitha pjesët e paraqitura në figurë të jenë të përfshira në kit. Nëse mungon ose është dëmtuar ndonjë pjesë, mos e përdorni kitin. Telefononi linjën e ndihmës në 0300 303 2724.
- Lani duart me ujë dhe sapun para dhe pas kryerjes së vetëtestimit.
- Pasi t’i keni lexuar udhëzimet, kryerja e vetëtestimit do të zgjasë vetëm disa minuta.
1. Lani duart
- Lani duart me ujë dhe sapun para dhe pas kryerjes së vetëtestimit.
2. Hiqni përbërësit
- Hiqni tamponin dhe tubin nga paketimi i jashtëm transparent.
3. Hiqni kapakun
- Hiqni kapakun nga tubi. Vendosni kapakun dhe tubin mbi një sipërfaqe të sheshtë.
- Tubi përmban lëng dhe nuk duhet të derdhet.
4. Hiqni tamponin
- Hapeni me kujdes paketimin e tamponit pa prekur majën e butë.
- Mos e vendosni tamponin në tubin e mbledhjes së mostrës përpara se të kryeni vetëtestimin.
5. Mbajtja e tamponit
- Mbajeni tamponin te vija e zezë. Kjo do të sigurojë që të mos e fusni tamponin më thellë seç duhet.
- Sigurohuni që tamponi të mos prekë asgjë përpara se të kryeni vetëtestimin.
- Do të mund ta ndieni vijën e zezë në tampon.
6. Vendosuni në një pozicion të rehatshëm
- Vendosuni në një pozicion të rehatshëm, për shembull si kur vendosni një tampon.
- Kitin e vetëtestimit mund ta përdorni ulur, në këmbë ose shtrirë.
7. Përgatituni për ta futur
- Me këmbët e hapura, largoni me kujdes lëkurën në pjesën e jashtme të vaginës.
- Drejtojeni majën drejt pjesës së poshtme të shpinës dhe futeni ngadalë majën e tamponit 5 cm në vaginë (afërsisht 2 inç, ose sa gjatësia e dy nyjeve të para të gishtit tregues).
- Kjo është poshtë vijës së zezë.
8. Futeni tamponin
- Nëse tamponi nuk futet lehtë, rrotullojeni me kujdes ndërsa e futni. Gishtat tuaj të vendosur mbi vijën e zezë do të sigurojnë që të mos e fusni shumë thellë.
- Nuk është e nevojshme që maja e tamponit të arrijë deri te qafa e mitrës.
- Nuk duhet të ndieni shqetësim, por nëse ndieni shqetësim, mos vazhdoni. Telefononi linjën e ndihmës në 0300 303 2724.
9. Rrotullojeni me kujdes tamponin
- Rrotullojeni tamponin brenda vaginës për 10-30 sekonda, duke u siguruar që të prekë muret e vaginës.
- Nxirreni me kujdes tamponin.
10. Vendoseni tamponin në tub
- Vendoseni tamponin në tub me majën e butë të drejtuar nga fundi i tubit.
- Mos e derdhni lëngun brenda tubit.
11. Thyeni tamponin brenda tubit
- Vendoseni vijën e zezë në nivel me buzën e tubit dhe përkuleni tamponin derisa të thyhet.
- Do të mund ta ndieni vijën e zezë në tampon.
- Tamponi duhet të mbetet në tub.
12. Vidhoseni përsëri kapakun e tubit
- Vidhoseni fort kapakun e tubit dhe vendoseni tubin përsëri në paketim për ta mbrojtur.
- Nëse lëngu derdhet, mos e ktheni vetëtestimin. Telefononi linjën e ndihmës në 0300 303 2724.
13. Plotësoni etiketën
- Me një stilolaps, shkruani datën kur kryet vetëtestimin në etiketën që ndodhet në pjesën e pasme të SafeTPouch.
14. Përgatitni tubin për dërgim
- Vendoseni tubin, me tamponin brenda, në SafeTPouch.
- Hiqni shiritin e verdhë dhe paloseni pjesën e sipërme për ta mbyllur, duke u siguruar që tubi të jetë brenda.
- Udhëzimet gjenden në pjesën e përparme të SafeTPouch.
15. Vendoseni SafeTPouch në zarf
- Vendoseni SafeTPouch në zarfin e kthimit dhe mbylleni.
16. Çojeni në një kuti postare
- Çojeni në çdo kuti postare në Mbretërinë e Bashkuar brenda 24 orëve nga kryerja e vetëtestimit.