Udhëzuesi juaj për kontrollin e qafës së mitrës nga NHS (Albanian)
Përditësuar 1 Korrik 2025
Applies to England
Ju mund të zgjidhni nëse do të merrni pjesë në kontrollin e qafës së mitrës. Kjo fletëpalosje synon t’ju ndihmojë të vendosni. Kontrolli i qafës së mitrës dikur quhej “pap test”.
1. Pse NHS (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar) ofron kontrollin e qafës së mitrës
Ne ofrojmë kontrollin e qafës së mitrës për të kontrolluar shëndetin e qafës së mitrës dhe për të ndihmuar në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Ne kontrollojmë për praninë e papillomavirusi njerëzor me rrezik të lartë (HPV). Kjo sepse ai mund të shkaktojë ndryshime jonormale që mund të çojnë në kancerin e qafës së mitrës.
Gjetja dhe trajtimi i hershëm i çdo ndryshimi mund të parandalojë shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Kanceri i qafës së mitrës prek më së shumti gratë dhe personat që kanë qafën e mitrës nën moshën 45 vjeç, por ndryshime jonormale mund të ndodhin në çdo moshë.
Kontrolli i qafës së mitrës shpëton mijëra jetë çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar.
Është shumë e rëndësishme që kontrolli i qafës së mitrës të kryhet në mënyrë të rregullt. Ju jeni ende në rrezik për kancer të qafës së mitrës edhe nëse:
-
keni marrë vaksinën kundër HPV-së
-
keni pasur vetëm 1 partner seksual
-
nuk keni pasur marrëdhënie seksuale me penetrim
-
keni pasur të njëjtin partner, ose nuk keni kryer marrëdhënie seksuale për një kohë të gjatë
-
jeni lesbike ose biseksuale
-
jeni burrë transgjinor ose person jobinar që ka qafë mitre
-
keni pasur histerektomi të pjesshme që nuk ka përfshirë heqjen e qafës së mitrës
Nëse keni pasur histerektomi totale, nuk keni më mitër apo qafë mitre. Kjo do të thotë se nuk keni nevojë për kontroll të qafës së mitrës.
2. Kë ftojmë për kontrollin e qafës së mitrës
Ne ftojmë rregullisht gratë e moshës 25 deri në 64 vjeç çdo 5 vjet. Shumica e kancereve të qafës së mitrës zhvillohen gjatë këtyre moshave.
Klinika e mjekut tuaj të përgjithshëm na jep informacionin tuaj të kontaktit. Ju lutemi sigurohuni që ata të kenë të dhënat e sakta, përfshirë:
-
emri
-
datëlindja
-
adresa
-
numri i celularit
-
adresa e emailit.
Ftesa juaj do t’ju japë informacion në lidhje me kontrollin e qafës së mitrës. Mund ta prenotoni sapo të merrni ftesën.
Burrat transgjinorë dhe personat jobinarë që kanë qafë të mitrës janë gjithashtu të përfshirë në programin e ekzaminimit për qafën e mitrës. Mënyra se si jeni të ftuar varet nga mënyra se si gjinia juaj është e regjistruar në kartelën e pacientit në qendrën tuaj të mjekut të familjes:
-
Nëse jeni të regjistruar si femër, do të merrni automatikisht ftesa për ekzaminim.
-
Nëse jo, mund të “zgjidhni të përfshiheni” për të marrë ftesa rutinë. Ju mund ta bëni këtë duke kontaktuar një ofrues të shërbimit për kontrollin e qafës së mitrës, siç është mjeku i familjes, një klinikë e shëndetit seksual apo një klinikë për shëndetin e personave transgjinorë.
Nëse nuk jeni të sigurt, kontaktoni mjekun tuaj të familjes. Lexoni informacione për personat transgjinorë dhe jobinarë rreth programeve të ekzaminimeve të NHS.
3. Kanceri i qafës së mitrës dhe HPV
Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri që gjendet në çdo pjesë të qafës së mitrës.
Qafa e mitrës është hyrja në mitër nga vagina. Cerviksi është pjesë e sistemit riprodhues dhe ndonjëherë quhet edhe “qafa e mitrës”.

Diagrami tregon pozicionin e qafës së mitrës
Pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës shkaktohen nga një infeksion me disa lloje të veçanta dhe me rrezik të lartë të papillomavirusit njerëzor (HPV).
HPV është emri për një grup shumë të zakonshëm virusesh. Shumica e viruseve HPV janë me rrezik të ulët dhe nuk shkaktojnë ndonjë problem.
Viruset HPV përhapen lehtë. Ju mund ta merrni HPV-në nga çdo lloj kontakti seksual, duke përfshirë:
-
çdo kontakt lëkurë më lëkurë në zonën gjenitale
-
marrëdhënie seksuale vaginale, anale ose orale
-
ndarjen e lodrave seksuale
Ju mund ta merrni HPV-në edhe nëse nuk keni pasur marrëdhënie seksuale me penetrim. Shumica e njerëzve infektohen me ndonjë lloj të HPV gjatë jetës së tyre. Nuk ka asgjë për t’u ndier i turpëruar apo në siklet.
Ju mund ta keni HPV-në për shumë vite edhe nëse nuk keni qenë seksualisht aktiv apo nuk keni pasur një partner të ri. HPV-ja nuk shkakton gjithmonë simptoma, ndaj mund të mos e dini nëse e keni.
Trupi juaj zakonisht e largon vetë HPV-në, por nëse një lloj i rrezikshëm i HPV-së mbetet në trup, ai mund të shkaktojë ndryshime në qelizat e qafës së mitrës. Këto ndryshime mund të kthehen në kancer të qafës së mitrës nëse nuk trajtohen.
Nëse nuk keni një lloj të rrezikshëm të HPV-së, është shumë e pamundur që të prekeni nga kanceri i qafës së mitrës. Kjo vlen edhe nëse keni pasur më parë ndryshime jonormale të qelizave në qafën e mitrës.
4. Si funksionon kontrolli për qafën e mitrës
Kontrolli për qafën e mitrës zakonisht bëhet nga një infermiere ose mjeke. Ju mund ta kërkoni këtë kur të bëni takimin, dhe qendra juaj mjekësore ose klinika e shëndetit seksual do të sigurohen që një profesioniste shëndetësore femër të jetë në dispozicion.
Ata do të marrin një mostër qelizash nga qafa e mitrës me një furçë të butë për analizë në laborator. Pas kësaj, shumica e personave nuk kanë nevojë për ndonjë analizë tjetër.
Nëse në mostrën tuaj gjendet HPV me rrezik të lartë, kontrollohet gjithashtu nëse ka ndonjë ndryshim jonormal në qeliza. Kjo ndihmon që rezultatet e kontrollit për qafën e mitrës të jenë më të sakta.
Nëse gjenden ndryshime, ju mund të keni nevojë për një test tjetër të quajtur kolposkopi për të parë më nga afër qafën e mitrës. Nëse është e nevojshme, do t’ju ofrohet një takim për ta diskutuar këtë.
5. Gjatë takimit tuaj
Infermierja ose mjekja do t’ju shpjegojë çfarë të prisni në çdo hap të kontrollit:
-
Do të keni privatësi për t’u zhveshur nga mesi e poshtë. Ju mund të zgjidhni të vishni diçka që mund ta mbani veshur, si një bluzë e gjatë, fustan ose fund.
-
Do t’ju jepet një çarçaf letre ose peshqir për të mbuluar pjesën e belit gjatë kontrollit.
-
Zakonisht, do të shtriheni me këmbët e përthyera, shputat bashkë dhe gjunjët e hapur. Ju mund të kërkoni të pozicionoheni ndryshe, për shembull, në njërën anë. Ndonjëherë, gjatë testit mund të jetë e nevojshme të ndryshoni pozicion.
-
Infermierja ose mjekja do të vendosë me kujdes një instrument të lëmuar në formë tubi, të quajtur spekulum, në vaginën tuaj. Ato mund të përdorin një sasi të vogël lubrifikanti për të reduktuar çdo shqetësim. Ju mund të kërkoni një spekulum më të vogël. Ju mund të kërkoni gjithashtu ta vendosni vetë spekulum-in fillimisht.
-
Pasi të jetë vendosur, spekulum-i do të hapet për të parë qafën e mitrës tuaj. Duke përdorur një furçë të butë, ato do të marrin një mostër të vogël qelizash nga qafa e mitrës suaj. Mund të ndjeni pak shqetësim. Mund të provoni ushtrime frymëmarrjeje për t’ju ndihmuar të relaksoheni.
-
Pastaj ato do të mbyllin dhe heqin spekulum-in dhe do t’ju lënë të visheni. Mund t’ju japin letra për të fshirë çdo mbetje lubrifikanti.
Vetë testi i kontrollit të qafës së mitrës zgjat më pak se 5 minuta. I gjithë takimi zgjat rreth 10 minuta.
Infermierja ose mjekja janë të trajnuara për t’ju mbështetur. Mund të sillni gjithashtu dikë me vete për mbështetje, si një mik, të afërm, partner apo kujdestar mbështetës. Ata mund të jenë në dhomë me ju gjatë takimit.
Nëse keni nevojë të zbrazni fshikëzën para kontrollit, njoftoni infermieren ose mjekun. Mund të kërkoni për ndryshime që t’ju bëjnë të ndiheni më rehat dhe duhet të tregoni nëse ndjeni ndonjë dhimbje.
Mund të shikoni një video mbi kontrollin e qafës së mitrës në NHS.UK. Ajo tregon një pamje të ilustruar nga brenda trupit dhe shpjegon se çfarë ndodh gjatë testit.
6. Këshilla praktike dhe mbështetje
Ju mund të keni nevojë për mbështetje për të marrë pjesë në kontrollin e qafës së mitrës. Kur rezervoni, njoftoni qendrën tuaj mjekësore të mjekut të familjes ose klinikën e shëndetit seksual nëse keni nevojë për ndonjë përshtatje të arsyeshme, si për shembull:
-
një takim më të gjatë ose të dyfishtë
-
informacion në gjuhë ose formate të tjera ose përkthyes
-
një person shoqërues në dhomë me ju (një anëtar tjetër i trajnuar i stafit)
-
një takim me një mjeke ose infermiere të besuar me të cilën tashmë keni marrëdhënie të mirë
Ju duhet të:
-
rezervoni kontrollin kur nuk jeni me menstruacione – kjo përfshin edhe 2 ditët para ose pas gjakderdhjes
-
prisni derisa të përfundoni çdo trajtim për rrjedhje të pazakonta vaginale ose një infeksion në legen
-
informoni nëse jeni ose mund të jeni shtatzënë, pasi mund t’ju duhet të shtyni kontrollin tuaj
Shumica e njerëzve duhet të shmangin përdorimin e barnave vaginale, lubrifikantëve dhe kremrave për 2 ditë përpara kontrollit të qafës së mitrës. Megjithatë, nëse mendoni se takimi juaj mund të jetë më i vështirë për shkak të tharjes vaginale, mund t’ju përshkruhet një krem ose një ovul me estrogjen përpara kontrollit.
Disa njerëz ndihen me të drejtë të shqetësuar për kontrollin e qafës së mitrës. Kjo mund të lidhet me një gjendje të shëndetit mendor, përvoja traumatike në të kaluarën, abuzim seksual ose dhunë në familje. Ju jeni në kontroll të plotë gjatë kontrollit të qafës së mitrës dhe mund të kërkoni ta ndërprisni atë në çdo moment. Mund të lexoni udhëzim për personat që e kanë të vështirë të marrin pjesë në kontroll në GOV.UK.
7. Rezultatet e kontrollit të qafës së mitrës
Infermierja ose mjeku do t’ju tregojë se kur mund të prisni rezultatet tuaja. Ka 3 rezultate të mundshme.
-
HPV negative
-
HPV pozitive, pa qeliza anormale
-
HPV pozitive me qeliza anormale
Ndonjëherë nuk mund të merret rezultat nga mostra juaj. Nëse ndodh kjo, do t’ju ftojmë për një kontroll tjetër të qafës së mitrës pas 3 muajsh. Kjo nuk do të thotë që ka ndonjë problem.
7.1 HPV negative
Shumica e personave (rreth 87 në 100) e kanë këtë rezultat.
Kjo do të thotë që nuk kemi gjetur lloje të rrezikshme të HPV-së në mostrën tuaj.
Rreziku juaj për të zhvilluar kancer në qafën e mitrës është shumë i ulët. Nuk është e nevojshme të kontrollojmë mostrën tuaj për ndryshime të qelizave në qafën e mitrës.
Zakonisht do t’ju ftojmë sërish për kontroll pas 5 vitesh. Disa persona mund të ftohen më herët, në varësi të rezultateve të mëparshme të analizave. Letra me rezultatet tuaja do ta konfirmojë këtë.
7.2 HPV pozitive, pa qeliza anormale
Rreth 9 në 100 persona e kanë këtë rezultat.
Kjo do të thotë që kemi gjetur lloje të rrezikshme të HPV-së në mostrën tuaj, por nuk janë zbuluar ndryshime anormale të qelizave.
Do t’ju ftojmë për një kontroll tjetër pas 1 viti. Ju lutemi të vini më herët se zakonisht, në mënyrë që të kontrollojmë nëse trupi juaj e ka larguar HPV-në me rrezik të lartë, gjë që ndodh në shumicën e rasteve.
Nëse ende keni HPV me rrezik të lartë, por pa ndryshime anormale të qelizave, do t’ju ftojmë për një kontroll tjetër pas 1 viti. Nëse pas 2 vitesh ende keni HPV me rrezik të lartë, do t’ju ftojmë për një kolposkopi për të shqyrtuar më nga afër qafën e mitrës.
7.3 HPV pozitive dhe qeliza anormale
Rreth 4 në 100 persona e kanë këtë rezultat.
Kjo do të thotë që kemi gjetur lloje të rrezikshme të HPV-së në mostrën tuaj dhe ndryshime të parregullta në qelizat e qafës së mitrës. Letra juaj e rezultateve do ta shpjegojë këtë në më shumë detaje.
Do t’ju referojmë për një kolposkopi. Është e ngjashme me kontrollin e zakonshëm të qafës së mitrës, por kryhet në spital. Një infermiere ose mjek specialist do të shikojë qafën e mitrës përmes një lente zmadhimi. Kjo quhet kolposkop dhe qëndron jashtë trupit. Nëse është e nevojshme, mund të marrin një mostër të vogël indi që quhet biopsi. Lexoni më shumë rreth kryerjes së një kolposkopie në NHS.UK.
Shumica e personave që bëjnë kolposkopi nuk kanë kancer të qafës së mitrës.

Rezultatet për çdo 100 persona që që bëjnë kontrollin e qafës së mitrës
NHS regjistron rezultatin tuaj në një bazë të dhënash kombëtare. Kjo do të thotë që ne mund të krahasojmë rezultatet tuaja nga kontrolli në kontroll. Mostra juaj do të ruhet për 10 vjet.
8. Rreziqet e mundshme të kontrollit të qafës së mitrës
Asnjë test kontrolli nuk është 100% i besueshëm.
Në kontrollin e qafës së mitrës, kjo ndodh sepse:
-
një infeksion HPV ose qeliza të parregullta ndonjehere mund të mos zbulohen (rezultat ‘negativ i rremë’)
-
ka një mundësi të vogël që rezultati të tregojë se ka qeliza të parregullta, edhe kur qafa e mitrës është normale (rezultat ‘pozitiv i rremë’)
-
ekziston një rrezik i vogël që qelizat e parregullta të zhvillohen dhe të kthehen në kancer ndërmjet kontrolleve
Kontrolli i qafës së mitrës nuk është një test për kanceret e tjera të sistemit riprodhues, si kanceri i vezoreve, mitrës, vulvës apo vaginës. Nëse keni ndonjë shqetësim, ju lutem mos ngurroni të kontaktoni mjekun e familjes.
8.1 Rreziqet e mundshme nga kryerja e kolposkopisë
Shumica e njerëzve nuk do të kenë nevojë për një referim për kolposkopi dhe nuk do të kenë nevojë për heqjen e qelizave të parregullta. Nëse keni nevojë që të hiqen qeliza, ekziston një rrezik i vogël për gjakderdhje dhe infeksion. Ju do të merrni më shumë informacion për t’ju ndihmuar të vendosni nëse keni nevojë për një kolposkopi.
Simptomat e kancerit të qafës së mitrës
Simptomat e kancerit të qafës së mitrës mund të përfshijnë:
-
gjakderdhje vaginale që është e pazakontë për ju
-
gjakderdhje gjatë ose pas marrëdhënieve seksuale, ndërmjet periodave ose pas menopauzës (kur periodat kanë pushuar për 12 muaj ose më shumë)
-
perioda menstruale më të rënda se zakonisht
-
ndryshime në sekrecionet tuaja vaginale
-
dhimbje gjatë seksit
-
dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, ndërmjet kockave të ijeve (legenit) ose në pjesën e poshtme të barkut
Këto simptoma janë shumë të zakonshme dhe mund të kenë shkaqe të shumta, por është e rëndësishme të kontrollohen nga mjeku i familjes. Nëse shkaku është kanceri, zbulimi i hershëm e bën trajtimin më të efektshëm.
Nëse keni ndonjë gjendje tjetër si fibromat ose endometriozë, konsultohuni me mjekun nëse simptomat ndryshojnë, përkeqësohen ose nuk ndihen normale për ju.
9. Kush ka më shumë gjasa të prekët nga kanceri i qafës së mitrës
Kanceri i qafës së mitrës prek më së shumti gratë dhe personat me qafë të mitrës nën moshën 45 vjeç, por mund të ndodhë në çdo moshë.
Ju mund të keni më shumë gjasa të zhvilloni këtë lloj kanceri nëse:
-
jeni nën 45 vjeç – kanceri i qafës së mitrës është më i zakonshëm te të rinjtë
-
keni imunitet të dobësuar, për shembull nëse keni HIV ose AIDS
-
keni lindur shumë fëmijë ose keni lindur në moshë të re (nën 17 vjeç)
-
nëna juaj ka marrë ilaçin hormonal dietilstilbestrol gjatë shtatzënisë me ju
-
keni pasur më parë kancer vaginal, të vulvës, veshkave ose fshikëzës së urinës
-
pini duhan
-
keni marrë pilulën kontraceptive për më shumë se 5 vjet – kjo e rrit vetëm pak rrezikun
Ju mund të ulni rrezikun e prekjes nga kanceri i qafës së mitrës duke përdorur prezervativë, duke lënë duhanin dhe duke mbajtur një dietë të ekuilibruar.
Nuk mund të prekesh nga ky lloj kanceri nëse ke kryer ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e mitrës dhe qafës së mitrës.
10. Kanceri i qafës së mitrës dhe vaksina kundër HPV-së
Vaksina kundër HPV ndihmon në mbrojtjen kundër virusit HPV, i cili shkakton shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës.
Ajo rekomandohet për fëmijët e moshës 12 deri në 13 vjeç dhe për personat me rrezik më të lartë nga HPV. Nëse keni qenë të përfshirë në programin e vaksinimit por nuk e keni marrë vaksinën kur keni qenë 12 ose 13 vjeç, kontaktoni me mjekun tuaj të familjes.
Është ende shumë e rëndësishme të merrni pjesë në kontrollin e qafës së mitrës, edhe nëse keni marrë vaksinën kundër HPV. Vaksina nuk ju mbron nga të gjitha llojet e HPV-së, ndaj ekziston ende një rrezik i vogël për t’u prekur nga kanceri i qafës së mitrës.
Kombinimi i kontrollit të rregullt të qafës së mitrës dhe vaksinimit kundër HPV-së ofron mbrojtjen më të mirë kundër këtij lloj kanceri.
11. Provat klinike
Mund t’ju pyetet nëse dëshironi të merrni pjesë në një provë klinike. Këto janë studime kërkimore mjekësore. Çdo provë që ju ofrohet do të mbledhë informacion në lidhje me llojet më të mira të testeve ose trajtimeve të kontrollit, në mënyrë që të përmirësojmë shërbimet në të ardhmen. Ju mund të zgjidhni nëse do të merrni pjesë apo jo.
12. Më shumë informacion dhe mbështetje
Për këshilla mbi kontrollin e qafës së mitrës, mund të kontaktoni qendrën tuaj të mjekut të familjes ose klinikën e shëndetit seksual.
Ky informacion është i disponueshëm në formate alternative, përfshirë edhe në gjuhë të tjera. Eshtë gjithashtu i disponueshëm në lexim të thjeshtë.
Për të kërkuar një format tjetër, mund të telefononi në 0300 311 22 33 ose të dërgoni email në england.contactus@nhs.net.
Ju gjithashtu mund të:
-
gjeni më shumë informacion mbi ekzaminimin e qafës së mitrës
-
lexoni udhëzimi për personat që e kanë të vështirë të marrin pjesë në kontroll
-
lexoni informacione për personat transgjinorë dhe jobinarë rreth programeve të ekzaminimeve të NHS
The Eve Appeal është një bamirësi që merret me kanceret gjinekologjike. Ata ofrojnë këshillim falas dhe konfidencial për kontrollin e qafës së mitrës. Mund të dërgoni email në:nurse@eveappeal.org.uk ose telefononi në 0808 802 0019.
Zbuloni sesi mund të hiqni dorë nga ekzaminimi.