Udhëzime

Ekzaminimi i aneurizmit të aortës abdominale (AAA) - një test falas për meshkujt e moshës 65 vjeç e lart (Albanian)

Përditësuar 9 Janar 2026

Applies to England

Ju mund të zgjidhni nëse do të merrni pjesë në ekzaminimin e aneurizmit të aortës abdominale. Kjo fletëpalosje synon t’ju ndihmojë të vendosni.

Pse NHS-ja e ofron ekzaminimin e aneurizmit të aortës abdominale (AAA)

Një aneurizëm i aortës abdominale, ose AAA, është një ënjtje në aortën tuaj. Aorta është ena kryesore e gjakut që transporton gjakun nga zemra në bark (stomak). Aneurizmat e mëdha të aortës abdominale mund të jenë serioze. Ne ofrojmë ekzaminim në mënyrë që të mund t’i gjejmë aneurizmat herët, dhe t’i monitorojmë ose trajtojmë ato.

Nëse keni një aneurizëm të aortës abdominale, mund të mos vini re asnjë simptomë. Kjo do të thotë që zakonisht nuk mund ta dalloni nëse keni një të tillë. Mënyra më e lehtë për ta zbuluar është të bëni një skanim me ultratinguj të barkut.

Kë ftojmë për ekzaminimin e aneurizmit të aortës abdominale

NHS-ja fton të gjithë meshkujt për ekzaminim në vitin kur mbushin 65 vjeç. Për t’u ftuar, duhet të jeni të regjistruar tek një mjek i përgjithshëm dhe të jetoni në Angli. Ju lutemi sigurohuni që mjeku juaj i përgjithshëm të ketë të dhënat tuaja të sakta, duke përfshirë: 

  • emrin  
  • datëlindjen 
  • adresën 
  • numrin e kontaktit 
  • adresën e emailit.

Ftesa juaj mund të mbërrijë më vonë, nëse nuk keni qenë i regjistruar te një mjek i përgjithshëm në vitin kur mbushët 65 vjeç, ose nëse nuk i kemi pasur të azhurnuara të dhënat tuaja të kontaktit.

Burrat e moshës mbi 65 vjeç që nuk janë ekzaminuar më parë, mund të kontaktojnë shërbimin e tyre lokal të ekzaminimit të aneurizmit të aortës abdominale për të caktuar një test.

Personat transgjinorë dhe jo-binarë

Personat e regjistruar si femra te mjeku i tyre i përgjithshëm nuk ftohen për ekzaminimin e aneurizmit të aortës abdominale. Personat transgjinorë dhe jo-binarë të përcaktuar meshkuj në lindje, dhe që janë 65 vjeç e lart, mund të kërkojnë të bëjnë ekzaminimin e aneurizmit të aortës abdominale. Mjeku juaj i përgjithshëm do të jetë në gjendje ta organizojë këtë për ju.

Aneurizmi i aortës abdominale

Aorta është ena kryesore e gjakut që furnizon trupin tuaj me gjak. Ajo shkon nga zemra juaj poshtë përmes gjoksit dhe barkut tuaj.

Tek disa njerëz, ndërsa rriten, muri i aortës në bark mund të dobësohet. Më pas, mund të fillojë të fryhet (si një tullumbace) dhe të formojë një aneurizëm.

Kjo sëmundje është më e zakonshme tek meshkujt e moshës 65 vjeç e lart.

Aorta mund të fryhet në bark dhe të formojë një aneurizëm të aortës abdominale.

Rreziqet nga aneurizmi i aortës abdominale

Aneurizmat e mëdha janë të rralla, por mund të jenë shumë serioze. Ndërsa muri i aortës shtriqet, ai mund të shpërthejë, duke shkaktuar gjakderdhje të brendshme. Si pasojë, rreth 85 nga çdo 100 njerëz vdesin me një aneurizëm të shpërthyer.

Nëse gjejmë një aneurizëm të vogël ose të mesëm, është e rëndësishme që të vazhdojmë ta kontrollojmë nëse po bëhet më i madh. Nëse keni një aneurizëm të vogël të aortës abdominale, ne do t’ju ftojmë për skanime çdo 12 muaj. Nëse keni një aneurizëm mesatar të aortës abdominale, ne do t’ju ftojmë çdo 3 muaj.

Si funksionon ekzaminimi i aneurizmit të aortës abdominale

Ne përdorim një skanim të thjeshtë me ultratinguj, të ngjashëm me atë që u ofrohet grave shtatzëna. Kjo është shumë e shpejtë. Skanimi zakonisht zgjat më pak se 10 minuta.

Në klinikë, ne do të kontrollojmë të dhënat tuaja personale dhe do t’ju shpjegojmë skanimin. Mund të na bëni çdo pyetje.

Pastaj, ne do t’ju kërkojmë të shtriheni. Do t’ju duhet të ngrini bluzën lart, ose të zbërtheni kopsat e këmishës, por nuk do të keni nevojë të zhvisheni.

Ne do të vendosim një xhel të ftohtë në barkun tuaj. Më pas do ta rrëshqasim sondën e skanimit mbi lëkurën tuaj. Skanimi është plotësisht pa dhimbje. Skaneri do të tregojë një foto të aortës në një ekran dhe ne do ta masim atë.

Ne do të jemi në gjendje t’jua tregojmë menjëherë rezultatin tuaj. Ne gjithashtu do t’i dërgojmë mjekut tuaj të përgjithshëm një kopje të rezultateve tuaja.

Ndonjëherë skanimi nuk është i qartë dhe aorta nuk mund të kontrollohet siç duhet. Kjo nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Do t’ju kërkohet të bëni një skanim tjetër, zakonisht në një ditë tjetër.

Rezultatet e ekzaminimit të aneurizmit të aortës abdominale

Ka 4 rezultate të mundshme:

  1. nuk ka aneurizëm të aortës abdominale
  2. ka një aneurizëm të vogël të aortës abdominale
  3. ka një aneurizëm mesatar të aortës abdominale
  4. ka një aneurizëm të madh të aortës abdominale

Nuk u gjet asnjë aneurizëm i aortës abdominale

Nëse aorta juaj është më pak se 3 cm e gjerë, kjo do të thotë se nuk keni një aneurizëm të aortës abdominale. Shumica e meshkujve e kanë këtë rezultat. Nuk keni nevojë për trajtim ose monitorim më pas. Ne nuk do t’ju ftojmë më për ekzaminim e aneurizmit të aortës abdominale.

U gjet një aneurizëm i vogël i aortës abdominale

Nëse aorta juaj është midis 3 cm dhe 4.4 cm e gjerë, ju keni një aneurizëm të vogël të aortës abdominale. Rreth 1 në 80 burra të ekzaminuar, kanë një aneurizëm të vogël të aortës abdominale. Do t’ju ftojmë përsëri për një skanim çdo 12 muaj për të kontrolluar nëse po bëhet më i madh.

U gjet një aneurizëm mesatar i aortës abdominale

Nëse aorta juaj është midis 4.5 cm dhe 5.4 cm e gjerë, ju keni një aneurizëm mesatar të aortës abdominale. Rreth 1 në 500 burra të ekzaminuar, kanë një aneurizëm mesatar të aortës abdominale. Do t’ju ftojmë përsëri për një skanim çdo 3 muaj për të kontrolluar nëse po bëhet më i madh.

U gjet një aneurizëm i madh i aortës abdominale

Nëse aorta juaj është 5.5 cm e gjerë ose më e madhe, ju keni një aneurizëm të madh të aortës abdominale. Rreth 1 në 2500 burra të ekzaminuar, kanë një aneurizëm të madh të aortës abdominale. Ne do t’ju ofrojmë një takim me një ekip specialistësh. Ata do t’ju bëjnë më shumë skanime dhe do të flasin me ju rreth opsioneve të mundshme të trajtimit, zakonisht një operacion.

Monitorimi i një aneurizmi të vogël ose mesatar të aortës abdominale                                                                                                             

Nëse keni një aneurizëm të vogël ose mesatar të aortës abdominale, do të keni nevojë për trajtim vetëm nëse bëhet më i madh.

Është e rëndësishme të monitorohet madhësia e aneurizmit tuaj të aortës abdominale. Kjo bëhet në rast se zhvillohet një aneurizëm më i madh i aortës abdominale.

Shumica e aneurizmave të aortës abdominale zmadhohen shumë ngadalë. Shumica e burrave me një aneurizëm të vogël ose mesatar të aortës abdominale mund të mos zhvillojnë kurrë një aneurizëm të madh të aortës abdominale dhe mund të mos kenë nevojë për trajtim.

Ne do të caktojmë një takim për ju për t’u vizituar nga një infermiere specialiste vaskulare, e cila do t’ju japë këshilla se si të zvogëloni rrezikun e zmadhimit të aneurizmit të aortës abdominale. Mjeku juaj i përgjithshëm mund t’ju japë gjithashtu tableta ose mund të shqyrtojë çdo ilaç që mund të jeni duke marrë. Mund t’ju kërkohet të kontrolloni tensionin e gjakut.

Trajtimi i një aneurizmi të madh të aortës abdominale

Nëse zbulojmë një aneurizëm të madh të aortës abdominale, do t’ju referojmë tek një ekip specialist. Ata do të kryejnë disa teste të tjera dhe një specialist do të diskutojë me ju trajtimin e mundshëm. Ky zakonisht do të jetë një operacion brenda dy muajve nga takimi juaj, nëse vendosni ta bëni.

Trajtimi për aneurizmat e gjetura gjatë ekzaminimit është zakonisht i sigurt dhe shumë efektiv. Ekzistojnë rreziqe nga trajtimi. Specialisti do t’jua shpjegojë këto me detaje.

Jo të gjithë ata që kanë një aneurizëm të madh të aortës abdominale do të kryejnë një operacion.

Rreziqet e mundshme të ekzaminimit të aneurizmit të aortës abdominale

Asnjë test i ekzaminimit nuk është plotësisht efektiv, por skanimi i përdorur për të zbuluar aneurizmat e aortës abdominale është shumë i besueshëm. Është e rrallë që një burrë të zhvillojë një aneurizëm të madh të aortës abdominale nëse ekzaminimi nuk gjen asnjë aneurizëm. Ekzaminimi për aneurizmin e aortës abdominale nuk e eliminon plotësisht rrezikun e shpërthimit të saj, por është mënyra më e mirë për ta zvogëluar rrezikun tuaj.

Nga vetë testi i ekzaminimit nuk ka rrezik, por ka rreziqe nëse keni nevojë për ndërhyrje kirurgjikale për ta trajtuar një aneurizëm të aortës abdominale. Rreth 30 në çdo 10 000 burra të ekzaminuar do të kryejnë një operacion. Mesatarisht, 1 në 67 burra që e kryejnë ndërhyrjen kirurgjikale nuk do të mbijetojnë. Ka një mundësi të vogël që aneurizmi i aortës abdominale të tyre mund të mos kishte shpërthyer kurrë nëse nuk do të trajtohej.

Kush ka më shumë gjasa të preket nga aneurizmi i aortës abdominale

Burrat kanë 4 herë më shumë gjasa të kenë një aneurizëm të aortës abdominale sesa gratë. Kjo është arsyeja pse grave nuk u ofrohet ekzaminimi. Mundësia për të pasur një aneurizëm rritet gjithashtu me moshën.

Mundësia juaj për të pasur një aneurizëm të aortës abdominale gjithashtu mund të rritet nëse:

  • ju jeni ose keni qenë ndonjëherë duhanpirës
  • keni tension të lartë të gjakut
  • vëllai, motra ose prindi juaj ka ose ka pasur një aneurizëm të aortës abdominale.

Më shumë informacion dhe mbështetje

Për më shumë informacion mbi ekzaminimin e aneurizmit së aortës abdominale, kontaktoni shërbimin tuaj lokal të ekzaminimit. Ju lutemi t’i njoftoni ata para takimit tuaj nëse keni nevojë për mbështetje shtesë. Kjo mund të përfshijë një kujdestar që vjen me ju, një takim më të gjatë ose të shkoni në një vend tjetër.

Të dhënat e tyre të kontaktit do të përfshihen në ftesën tuaj. Ju gjithashtu mund të flisni me mjekun tuaj të përgjithshëm.

Gjeni detajet e kontaktit për shërbimin tuaj lokal të ekzaminimit të aneurizmit të aortës abdominale.

Ky informacion është i disponueshëm në formate të tjera, duke përfshirë lexim të thjeshtë  dhe gjuhë të tjera. Për ta kërkuar këtë informacion në një format tjetër, telefononi 0300 311 22 33 ose dërgoni email te: england.contactus@nhs.net.

Ju gjithashtu mund të: 

Fondacioni Circulation dhe Fondacioni British Heart mbështesin personat me sëmundje vaskulare. Kjo përfshin njerëzit me aneurizma të aortës abdominale.

Programet e ekzaminimit nga NHS-ja përdorin të dhënat tuaja personale për t’ju thërritur për ekzaminim në kohën e duhur. Ky informacion na ndihmon të përmirësojmë programet e ekzaminimit dhe të ofrojmë kujdes cilësor. Lexoni më shumë rreth mënyrës se si ne e përdorim dhe e mbrojmë informacionin tuaj.

Zbuloni se si mund të hiqni dorë nga ekzaminimi.