Historia e lajmeve botërore

Kremtimi i Ditëlindjes së Mbretëreshës 2017 në Kosovë

Fjalimi i Ambasadorit Britanik Ruairí O'Connell gjatë kremtimit të ditëlindjes së Mbretëreshës.

The Queen's Birthday Party 2017 in Kosovo

The Queen's Birthday Party 2017 in Kosovo

Zoti President, Kryetar i Kuvendit, zëvendëskryeministra, ministra, kryetarë të komunave, deputetë, gjeneral, profesorë, gazetarë, udhëheqës të bizneseve, miq

Është e mrekullueshme t’ju shoh kaq shumë prej jush këtu sonte. Është kënaqësi të mendosh se të gjithë jeni këtu për të kremtuar marrëdhënien shumë të veçantë në mes të Kosovës dhe Britanisë.

Oh, e ndoshta edhe të kemi një ndejë.

Ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për të dy vendet tona. Në Mbretërinë e Bashkuar, ne kemi pasur një referendum verën e kaluar vetëm pak ditë pasi kishim kremtuar Ditëlindjen e Mbretëreshës. Qeveria ime e ka bërë shumë të qartë: do të punojnë për të zbatuar atë vendim dhe për të ndërtuar një të ardhme të re për Mbretërinë e bashkuar, jo më në BE por me një marrëdhënie të thellë dhe të veçantë mes nesh.

Por një gjë e kam po ashtu të qartë. Marrëdhënia e thellë dhe e veçantë që ka Britania me Kosovën nuk do të ndryshojë kur të dalim nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që njerëzit në këtë sallë sonte do të na ndihmojnë lidhur me këtë.

Kjo marrëdhënie ka rëndësi për Mbretërinë e Bashkuar; për Qeverinë Britanike; për Popullin Britanik; dhe për mua. Ka po aq rëndësi sa ka pasur gjithmonë. Sepse suksesi i Britanisë varet nga suksesi i të tjerëve. Prandaj, një Kosovë prosperuese, e sigurt dhe e lumtur që ecën përpara është po ashtu edhe në interesin tonë. Ne duam t’ju ndihmojmë derisa ju e ndërtoni një Kosovë të tillë.

Ka shumë njerëz në këtë sallë që e kanë bërë hisen e vet të punës për ta bërë Kosovën sa më të mirë që mund të jetë. Këtë vit jemi ngazëllyer nga suksesi i yjeve të sportit kosovar, si Majlinda Kelmendi, mysafire e jona e nderit vitin e kaluar, si dhe të ekipit të basketbollit Prishtina, kampione e Ligës Ballkanike, kapiteni i të cilës, Edmond Azemi, është me ne sonte. Jemi kënaqur me arritjet e yjeve kosovare të muzikës, si Era Istrefi, dhe natyrisht Dua Lipa dhe Rita Ora.

Jemi mburrur me togerin Ismail Hoxha dhe togerin Xhevahir Hasanaj, fitues të shpatës dhe çmimit si oficerët-kadetët më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë Mbretërore në Sandhurst. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, e kemi përshëndetur filmin e metrazhit të shkurtër HOME, fitues i çmimit BAFTA, producentët e të cilit janë këtu me ne sonte.

Jemi mahnitur edhe me shumë e shumë suksese të tjera. Të gjitha ato e bëjnë Kosovën krenare.

Por sonte këtu është një grup i veçantë i njerëzve, që dua t’i veçoj për lëvdatë. Është një grup i ndryshëm i njerëzve.

Ai përfshin Robert Wilton-in, Jehona Gjurgjealën dhe Adrian Davies-in, të cilët sot në mëngjes në serinë BritTalks folën për përvojat e tyre me programet The Ideas Partnership, TOKA dhe George Williams Youth Association.

Këtu përfshihet Leona Jahirin, e cila ka organizuar qindra të rinj e të reja në Ferizaj për të punuar në përmirësimin e jetës së komunitetit të tyre, dhe Vladimir Zhivkoviqin, i cili punon me të rinjtë në Graçanicë.

Përfshin Denis Dautajn, kapiten i ekipit ragbi Kosovo Roosters, i cili ka punuar për vite të tëra që ta sjell këtë sport që ai e do në Kosovë.

Përfshin Edita Dulën nga Charity Partner (Nënat dhe fëmijët e lumtur) për këtë mbrëmje, e cila vet e ka krijuar një rrjet vullnetarësh në tërë Kosovën për të ndihmuar disa prej familjeve më të varfra në Kosovë. Ju mund të mbështesni punën e tyre në këtë mbrëmje duke blerë fotografi nga ekipi.

Përfshin Dr Rabihane Demën e cila që nga vitet e 1990-ta në mënyrë të palodhshme e ka dedikuar kohën dhe ekspertizën e saj për të ndihmuar gratë dhe fëmijët në nevojë; dhe Dokufestin i cili filloi me një grup miqsh që punuan së bashku për të ri-hapur një kinema në Prizren dhe që tani është bërë ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë.

Dhe përfshin Afërdita Tahirin, e zgjedhur si vullnetarja e vitit 2017 në Kosovë, për punën e saj të palodhshme me fëmijë të verbër dhe me të parë të dëmtuar.

Ata, dhe qindra e mijëra të tjerë si ta, janë pjesë e komunitetit të vullnetarëve në Kosovë, që janë shtylla e shoqërisë kosovare. Ata se kursejnë kohën e tyre për të bërë ndryshime. Ata nuk presin që ndryshimin ta bëjnë të tjerët. Ata nuk bazohen në qeveri, e as në ndërkombëtarë. Ata e dinë se mund t’ia dalin vet.

Ata nuk u binden urdhrave të askujt. Askush nuk i paguan kështu që askush nuk i ka në ‘pronësi’. Ata ngrihen dhe e bëjnë punën. Pse e bëjnë? Jam i sigurt se secili i ka arsyet e veta. Por jam i sigurt se, nëse i pyesni sonte, do të dëgjoni se ata besojnë se Kosova mund t’ia del më mirë, dhe se vullnetarizmi i bën që të ndjehen të fuqizuar që ndryshimin ta bëjnë vet.

Ata janë aktivistë politikë, udhëheqës të komunitetit, aktivistë rinorë, trajnerë sportiv, artistë e shumë të tjerë. Ata janë shembull për të gjithë ne. Ata janë personat që do ta ndërtojnë të ardhmen e Kosovës, dhe shpresoj se vetëmohimi dhe përkushtimi i tyre për ndërtimin e të ardhmes më të mirë të Kosovës mund të bëhet shembull për udhëheqësit e Kosovës, ku shumica e tyre janë sonte këtu. Dëshiroj ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe t’i falënderojë të gjithë vullnetarët e Kosovës për gjithçka që bëjnë.

Tani, kemi edhe pak punë për të bërë. Meqë jemi këtu sonte për të festuar lidhjet ndërmjet dy vendeve tona të mrekullueshme, Ambasada Britanike ka organizuar një konkurs të fotografive për të ilustruar lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Dhe kemi pasur një fitues të qartë, atë që tregonte thellësinë e dashurisë që populli i Kosovës ndjen për Mbretërinë e Bashkuar.

Fotografia fituese ishte ajo e Ismajl Gergurit nga Shoqata e Tifozëve Kosovarë të Liverpulit. Tani, siç disa prej jush mund ta dini, unë jam tifoz i klubit tjetër – atij origjinal – të qytetit të mrekullueshëm të Liverpulit, Evertonit. Kështu që kur e pamë fotografinë fituese, e dinim se ky ishte një rast jo vetëm për të festuar forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënies Kosovë/Mbretëri e Bashkuar, por edhe për të bërë veprim të vogël domethënës të pajtimit. Prandaj, për ta dorëzuar shpërblimin, dua të ftoj në skenë Vigan Hoxhën, nga Klubi Zyrtar i Tifozëve të Evertonit në Kosovë.

Dhe në fund, më mbetet të falënderoj sponsorët tonë të artë për këtë mbrëmje, Bankën për Biznes dhe Meridian Corporation, dhe të gjithë sponsorët e tjerë që e mundësuan këtë mbrëmje dhe Brit Talks. Dua të falënderoj ekipin tim, që ka punuar pa u lodhur për javë të tëra për të organizuar këtë ngjarje të madhe së bashku. Dhe dua të falënderoj secilin këtu që jeni pjesë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Britanisë.

Dhe tani është koha të festojmë ditëlindjen e Madhërisë së Saj siç duhet!

Publikuar 26 April 2017