Historia e lajmeve botërore

Fjalimi i Lartëmadhërisë së Tij, Princit të Uellsit, në pritjen e organizuar për liderët e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Clarence House

Fjalimi i Lartëmadhërisë së Tij, Princit të Uellsit, në pritjen e organizuar për liderët e Samitit të Ballkanit Perëndimor

A speech by HRH The Prince of Wales

Shkëlqesitë e juaja, zonja dhe zotërinj, është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që t’ju mirëpres të gjithë këtu në këtë mbrëmje dhe që t’ju bashkohem në shënimin e përfundimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor.

Më duhet t’ju them se unë dhe gruaja ime kemi kujtime aq të veçanta nga vizita jonë në Ballkanin Perëndimor në vitin 2016. Ishte e rëndësishme për ne që të shkonim dhe të shihnim vet se sa përparim ishte bërë sa i përket pajtimit dhe të takonim shumë njerëz, të cilët, ndonëse se kishin vuajtur aq shumë, ishin të vendosur që ta ndërtonin një të ardhme më të begatë dhe më të sigurt. Unë nuk mund të filloj t’jua përshkruaj ndikimin që ajo vizitë e ka pasur në ne.

Dhe, gjatë ditëve që i kaluam në rajon, isha në gjendje të takohesha me përfaqësuesit e familjarëve të disave nga ata, nga të gjitha anët, që ende figurojnë si të zhdukur nga konfliktet e viteve të nëntëdhjeta. Më duhet të them isha tejet i prekur nga ankthi i paimagjinueshëm që e kishin përjetuar dhe, mbi të gjitha, nga dhembshuria që e kishin treguar për vuajtjet e njëri-tjetrit. Pas takimit, gjatë të cilit dëgjova histori aq të dhimbshme, doja të shihja nëse kishte ndonjë mënyrë në të cilën do të mund të kontribuoja personalisht në procesin jetik të pajtimit për çështjen e dhimbshme të mijëra të dashurve të personave të pagjetur. Kështu, vitin e kaluar, ishte një moment shumë i veçantë kur pata mundësi t’i mirëprisja disa familjarë këtu, në Clarence House. Siç mund ta imagjinoni, s’kam si të jem më i kënaqur që disa nga ta ishin në gjendje të na bashkoheshin këtu në këtë mbrëmje … Zonja dhe zotërinj, dinjiteti dhe humanizmi i tyre janë mësim për të gjithë ne dhe një përkujtesë se pajtimi nuk është thjesht koncept abstrakt teorik. Natyrisht, është çështje e veprimit praktik dhe të vështirë; e vendimeve të dhimbshme dhe e kompromisit të vështirë, por esencial.

Ashtu siç e kemi mësuar nga përvoja jonë në Irlandën e Veriut - dhe, në të vërtetë, në lidhje me tërë ishullin e Irlandës – fajësimi, mosbesimi dhe urrejtja kanë qenë reagime të natyrshme dhe instiktive për dekada, madje edhe shekuj të konfliktit dhe padrejtësisë – por ato nuk na ndihmojnë që të ndërrojmë kahje. Për këtë kërkohen përpjekje të mëdha për të falur, për të pasur mirëkuptim dhe, nëse mund të them kështu, për të pasur guxim të jashtëzakonshëm dhe udhëheqje të ndritur.

E di këtë sepse vitin e ardhshëm bëhen gati dyzet vjet qëkur xhaxhai im i madh, Lord-I Mountbatten, u vra në një sulm të tmerrshëm me bombë. Që nga ajo ditë e kobshme kam qenë i vendosur që ta ndiqja rrugën e gjatë dhe të vështirë drejt pajtimit të qëndrueshëm.

Natyrisht, asnjëherë nuk mund t’i harrojmë gabimet e së kaluarës, të cilat gjithmonë duhet të ndikojnë në vendimet që i marrim për të ardhmen. Por, nuk duhet të lejojmë që ato të na i kufizojnë horizontet tona apo mundësitë që i aspirojnë brezat e rinj.

Unë besoj fuqimisht se në Ballkanin Perëndimor - ashtu si në ishullin e Irlandës - vetëm pajtimi kuptimplotë ofron siguri se fëmijët dhe nipat tanë nuk do t’i përjetojnë vuajtjet e njëjta sikur gjeneratat para tyre, por, në vend të kësaj, mund të gëzojnë prosperitet dhe siguri.

Tani unë e di se sa përparim është bërë në këtë aspekt gjatë viteve të fundit, por edhe se duhet bërë shumë më shumë. Prandaj, jam i inkurajuar të dëgjoj se në këtë Samit udhëheqësit kanë rënë dakord t’u injektojnë më shumë energji dhe vrull këtyre përpjekje, përfshirë kërkimit të përshpejtuar të të zhdukurve.

Nëse mund të them kështu, zonja dhe zotërinj, ju jeni për t’u përgëzuar për gjithçka që bëni për të siguruar që Ballkani Perëndimor ta ketë të ardhmen e ndritur që e meriton, ndërsa unë vetëm mund t’ju nxis që të vazhdoni të punoni drejt këtij qëllimi. Të gjithë ne, më duket mua, e kemi një rol vendimtar për një të ardhme të tillë; dhe mund të jeni të sigurt se, gjatë muajve dhe viteve të ardhshme, Mbretëria e Bashkuar do të mbetet mik i vendosur i popullit të Ballkanit Perëndimor, ashtu siç do të jem edhe unë, sa më përket mua.

Publikuar 29 August 2018