Historia e lajmeve botërore

Fjalimi i Sekretarit Britanik për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës

Sekretarit Britanik për Punë të Jashtme iu drejtua Kuvendit të Kosovës gjatë vizitës së tij në Kosovë

Foreign Secretary Boris Johnson

Jam i kënaqur që jam këtu në Prishtinë, në këtë Kuvend të lirë dhe të pavarur. Në demokracinë më të re evropiane.

Sepse shtatëmbëdhjetë vjet më parë, unë isha këtu në Prishtinë dhe pashë një qytet shumë më ndryshe. Unë isha aty kur ushtria britanike hyri në Kosovë. Më kujtohet gëzimi në fytyrat e fshatarëve dhe se si ata hudhnin trëndafila përgjatë rrugës ku kalonin makinat e Ushtrisë Britanike. Më kujtohet tek shihja xhamitë duke u djegur dhe fshatrat e shkatërruar, disa gati të rrafshuara plotësisht nga forcat e armatosura që po tërhiqeshin. Gjithashtu më kujtohen fytyrat e shokuara të refugjatëve të cilët po largoheshin në kolona të gjata të traktorëve dhe karrocave nga fermat e stërgjyshërve të tyre, shpesh për të mos u kthyer më.

E pyesja veten atëherë duke shikuar Prishtinën, çfarë e ardhme e pret këtë shtet të lashtë e të bukur, dhe çfarë qeverie dhe shoqërie po ndihmojmë ne për të krijuar. Sepse ne në NATO padyshim që po ndihmonin në krijimin e një shoqërie të re. Dhe më kujtohet tek pyesja veten a thua jemi në rrugë të drejtë; dhe nga kaq shumë dhimbje dhe vuajtje a do të lindë këtu një demokraci funksionale.

Dhe këtu është përgjigjja juaj për ato pyetje. Sot shoh një vend të transformuar, populli i Kosovës e kontrollon fatin e vet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur këtu në këtë Kuvend, dhe jashtë, Prishtina ka një shoqëri të gjallërishme dhe sekulare.

Në një kohë kur vlerat, që besoj i ndajmë të gjithë- besim në demokraci, liri dhe pluralizëm, dhe kur këto vlera janë të pakontestueshme nëpër botë, Kosova mund të shërbej si një shembull i ndritshëm dhe i fuqishëm për atë se çka mund të arrihet.

Prandaj, jam krenar që Britania ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Ishim aleatë atëherë; jemi aleatë tani. Pra, në frymën e miqësisë, më lejoni t’u jap disa mendime me sinqeritet të plotë për Kosovën sot.

Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga 112 shtete tjera. Kjo do të thotë se ju jeni përgjegjës për punët tuaja. Detyra për t’i shërbyer popullit tuaj qëndron mbi supet tuaja. Pasojat që rrjedhin nga ky realitet janë të mëdha dhe sfiduese.

Ashtu si shumë sisteme të tjera politike, i juaji duhet vazhdimisht të përshtatet dhe të përmirësohet. Procesi i reformës dhe ripërtëritjes në Kosovë më nuk duhet të lejohet të stagnojë. Në vend që të jenë makinë për pushtet dhe patronazh, partitë politike duhet të përpiqen t’i shërbejnë interesave të çdo qytetari.

Populli e ka një të drejtë - në të vërtetë një detyrim - të kërkojë më shumë nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe t’i mbajë ata llogaridhënës. E di se, ashtu si unë, edhe ju flisni me votuesit tuaj në lidhje me shqetësimet e tyre dhe jam i sigurt se shqetësimet e tyre do të përfshijnë atë se sa i vështirë është punësimi në Kosovë nëse nuk i keni lidhjet e duhura.

Emërimi i njerëzve në bazë të meritave do të thotë nëse jeni student dhe punoni shumë, keni gjasa të mira të punësimit. Nuk do të shtyheni prapa bërrylave të ndonjë dembeli i cili nuk ka studiuar fare, por që është me fat sepse i ka lidhjet më të mira se ju.

Kështu që jam i kënaqur që Britania po ju ndihmon në luftimin e plagës së nepotizmit me një projekt të Ambasadës Britanike, i cili u lansua kohëve të fundit me mbështetjen publike të Kryeministrit dhe nga ju, z. Kryetar i Kuvendit.

Gjithashtu jam i kënaqur që lidhjet tregtare midis dy vendeve tona janë duke u zhvilluar mirë. Një konferencë e suksesshme u mbajt në Londër javën e kaluar për të promovuar investimet britanike në Kosovë; kjo ishte arsyeja për takimin tim të parë me kryeministrin Mustafa. Ne mbështesim fuqishëm zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, më vjen keq vetëm se vizita ime nuk përkon me sezonin e skijimit; mund të ju siguroj që përndryshe unë do të isha lart në pistë për t’u solidarizuar me industrinë e skijimit në Kosovë, pasi që besoj që turizmi do të luaj një rol qenësor në të ardhmen tuaj.

Britania dëshiron të punojë me ju si partner. Ka shumë gjëra që mund t’i arrijmë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne duhet t’i luftojmë këto kërcënime së bashku; për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar kemi një problem të veçantë me bandat e krimit shqiptar etnik - dhe dëshirojmë të punojmë me miqtë tanë në rajon për t’i luftuar.

Kur flasim për rajonin më të gjerë, Britania dëshiron që Kosova të jetë një forcë për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo duhet të përfshijë arritjen e një marrëdhënie normale me Serbinë. Mirëpres rastin që t’i diskutoj këto çështje edhe në Beograd. E kaluara është e mbushur me aq dhimbje dhe pikëllim sa që asnjë shoqëri njerëzore nuk mund t’i lë këto përvoja mënjanë. Por Kosova dhe Serbia kanë një interes jetik për marrëdhënie normale. Kjo kërkon guxim politik dhe lidership vizionar, por nuk kam asnjë dyshim se kjo mund të arrihet.

Kjo gjithashtu kërkon një përpjekje të sinqertë për t’i zgjidhur gabimet e së kaluarës. Është e pakundërshtueshme nëse thuhet se të gjithë ata fajtorë për krime lufte, në të gjitha anët, duhet të mbyllen. Do t’i them të njejtat gjëra në Beograd, dhe në tërë Ballkanin. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi me Gjykatën Speciale për krimet e luftës është aq i rëndësishëm për Kosovën, pavarësisht se sa është e vështirë. Britania dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do ta vëzhgojnë punën e Gjykatës nga afër.

Dëshiroj të përfitoj nga ky rast për të shprehur ngushëllimet e mia për familjen dhe miqtë e Astrit Deharit, i cili kohët e fundit vdiq në paraburgim. I mbështes thirrjet e bëra nga të gjitha anët për një hetim transparent të vdekjes së tij. I përçoj këto mesazhe në frymën e miqësisë. Dhe e bëj këtë me përulësi të madhe, pasi që më kujtohet çdo gjë që keni arritur nga pavarësia.

Dëshiroj të përmbyll këtë fjalim duke përsëritur atë që thashë më parë. Shoh një qytet absolutisht të transformuar që nga viti 1999. Një qytet që vlon nga restoranet e të gjitha llojeve, një shtet, një shtet ku të paktën 8 të rinj gëzohen në emrin e Tony Blair. Ka shumë gjëra që po ndodhin: atletë fitues të medaljeve të arta Olimpike, sipërmarrës të rinj në teknologji që kanë lidhje me Londrën, yje kosovarë të Pop-it që po kryesojnë toplistat botërore dhe futbollistë të klasit botëror. Një shtet i ri dhe pjellor, potenciali i të cilët vetëm sa ka filluar. S’do të kalojë shumë kohë dhe britanikët do të vijnë këtu për festat e tyre.

Ju keni sfida përpara. Cili shtet nuk ka sfida? Por jam i sigurt se ju do t’i kaloni këto sfida në mënyra që kanë qenë të pamundshme para 17 viteve. Duke parë atë që keni arritur, jam i sigurt që ju do të keni një të ardhme të ndritur; dhe duke e arritur këtë të ardhme të ndritur do të kuptoni potencialin e këtij vendi. Dëshiroj të ju siguroj që ju keni miq dhe përkrahës në Mbretërinë e Bashkuar.

Publikuar 12 November 2016