Historia e lajmeve botërore

Ambasada Britanike përkrah luftën kundër korrupsionit në Kosovë

Ruairí O’Connell flet gjatë prezantimit të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi 'Peshqit e vegjël kapen, të mëdhenjtë lihen të lirë'.

British Embassy supports the fight against corruption in Kosovo

E nderuara znj. Ministre Hoxha, I nderuar z. Idrizi, I nderuar z. Isufaj, Të nderuar gjyqtar, prokuror, përfaqësues të medias, dhe ju të pranishëm,

Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot këtu në mesin e prokurorëve, gjyqtarëve, shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë kyç, në publikimin e raportit të dytë të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Siç e dini sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë një ndër pasionet e mia.

Puna e sistemit gjyqësor, në përgjithësi, dhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veçanti, janë thelbësore për sundimin e ligjit. Kemi parë që në këtë vit numri i aktakuzave është rritur, dhe kjo është diçka për t’u uruar. Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial kanë hartuar planet e veprimit dhe strategjitë relevante për prioritetet e punës së tyre, edhe kjo është diçka e mirë gjithashtu. Ministrja Hoxha në anën tjetër ka marrë përsipër një punë të madhe të rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit. Këto janë politika të nevojshme dhe të domosdoshme që duhen mbështetur maksimalisht.

Mirëpo, në anën tjetër, implementimi i politikave jep rezultate. E kur flasim për rezultate, atëherë shofim që edhe në këtë raport të Institutit Kosovar për Drejtësi, rezultatet fatkeqësisht është shumë vështirë t’i gjesh.

Në njërën anë, ka mungesë të rezultateve të prekshme të luftimit të korrupsionit të nivelit të lart, dhe në anën tjetër, proceset e brendshme të zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha niveleve, janë të paqarta dhe të kontestueshme. Këto zhvillime e kanë bërë gjyqësorin të brishtë dhe lehtë të kritikueshëm.

Bashkësia ndërkombëtare, përmes investimeve direkte dhe indirekte, dhe përmes vëzhgimit të afërt të zhvillimeve në gjyqësor po mundohet të ndihmoj institucionet e gjyqësorit drejt fuqizimit, ngritjes së efikasitetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies, dhe çka është më e rëndësishmja për të fituar besimin e publikut që të jetë i pavarur jo vetëm me kushtetutë dhe ligj por edhe në praktikë.

Pavarësia, përmirësimi dhe ndryshimi në gjyqësor duhet të vi nga vetë akterët e gjyqësorit. Kjo do i jepte imazh të fort dhe do e ngriste besimin e qytetarëve në institucionet e tyre. Qytetarët meritojnë të marrin drejtësi nga këto institucione. Këto institucione duhet të bëjnë çmos që qytetarët të besojnë në drejtësi.

Kjo është lehtë e realizushme, por duhet të këtë vullnet praktik. Ne duhet të shohim veprime konkrete, ku nga fjalimet e mira të kalojmë në vepra, dhe kjo arrihet kur meritokracia është kriteri përcaktues. Në një shoqëri demokratike, që aspiron integrimin dhe vlerat evropiane – dhe të mos kemi dyshime, Kosova është pjeë e Evropës - nepotizmi, jo-profesionalizmi dhe pandëshkueshmëria janë relikt i vjetër, por asesi mënyrë e jetesës. Britania dhe Kosova kanë një interes të përbashkët, që të kemi një gjyqësor të fortë, që njerëzit në udhëheqje të gjyqësorit të jenë të denjë, profesionist dhe me integritet, dhe assesi të promovohen ata me skandale dhe afera publike. Kjo do e shtronte rrugën për investime dhe do siguronte që çdo çështje të jetë e zgjidhshme me efikasitet dhe profesionalizëm. Ne kemi siç kam thënë një interes të përbashkët. Britania do të jetë gjithmonë mështetëse e Kosovës në këtë drejtim. Por gjithashtu kërkojmë diçka – sepse nëse nuk ka sundim të ligjit në Kosovë edhe ne vuajmë në Britani. Por a po ndodh kjo? Vështirë që mund të them se po ndodh. Përkundrazi, zhvillimet e fundit janë tejet shqëtësuese.

Unë mendoj që Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial duhet të i kushtojnë vëmendje draftimit dhe miratimit të legjislacionit sekondar e të mos përsëriten raste kur një rregullore miratohet dhe më pas amandamentohet brenda një kohe të shkurtër; ose kur ndryshohen rregulloret në mes të proceseve të rëndësishme. Gjithashtu, rëndësi të veçantë ka edhe vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. E dimë të gjithë që një gjë e tillë nuk ka ndodhur që nga viti 2011, me përjashtim të rasteve të vlerësimit gjatë mandatit fillestar. Për më tepër, kemi edhe anëtarë mandati i të cilëve ka skaduar! Kjo tregon edhe mungesën e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë por gjithashtu frikëson edhe shkatërron besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Më vjen keq që po vazhdojmë të jemi dëshmitarë të këtyre zhvillimeve që po ndikojnë negativisht në imazhin dhe besueshmërin e gjyqësorit. Kemi diskutuar për këto çështje vite me radhë dhe kjo nuk guxon të ndodh. E përsëris se ne si bashkësi ndërkombëtare jemi të shqetësuar me këto zhvillime. Për më tepër, të gjeturat e raportit të IKD-së tregojnë se edhe gjykatat por edhe prokuroritë ende ngurrojnë të jenë transparent ndaj medias dhe shoqërisë civile.

Pse po ndodh kjo? Pse duhet të hezitoj një prokuror të jetë transparent nëse ka hudhur një aktakuzë ose ka pushuar hetimet? Për më tepër, në raport është dokumentuar se mbi 50 % të kërkesave për qasje në dokumente publike kanë mbetur pa përgjigje.

Përsëri mbetet shqëtësuese fakti se prokurorët hudhin raportet duke mos iu referuar fare dispozitave ligjore dhe duke shkelur afatet ligjore. Shkeljet e afateve ligjore dhe prolongimi i proceseve gjyqësore paraqesin shkelje kushtetuese të të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës për një gjykim të drejtë dhe në afat të arsyeshëm kohor.

Neve ndërkombëtarëve na tregohet si sukses krijimi i databazës elektronike ku janë shënjestruar një numër i lëndëve të korrupsionit të lartë. Mos mendoni se ne nuk presim seriozitet nga gjyqtarët dhe prokurorët vendor të trajtimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne presim, sepse është insteresi i Britanisë dhe Evropës që Kosova të mos jetë një vend i lirë për korrupsion dhe krim të organizuar. Por, në përgjithësi, ju duhet ta bëni punën tuaj për hirë të qytetarëve jo të ndërkombëtarëve. Të gjitha databazat apo ckado tjetër duhet të i shërbejnë qëllimit të rezultatit. Me keqardhje më duhet ta them - rezultatet janë të mangta.

Kemi rastin e Universitetit të Prishtinës ku dëshmohet se shkeljet e afateve ligjore mundësuan që ndjekja penale ndaj disa personave për marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar të parashkruhet. Kemi raste kur shqyrtimet gjyqësore nuk caktohen me muaj, e në raste të caktuara, edhe me vite dhe tash siç po e shoh edhe me dekada.

Duke parë të gjitha këto sfida të gjyqësorit që ndër vite kalojnë duke mos u përmirësuar, shihet qartë nevoja urgjente për ndryshime.

Unë fuqimisht besoj në popullin e Kosovës, në njerëzit që e duan këtë vend dhe që japin maksimumin për të mirën e këtij vendi dhe të cilët nuk do të heshtin e nuk do të tolerojnë në vazhdimsi. Unë e di fort mirë se disa gjyqtarë dhe prokurorë ndajnë të njejtin besim me mua.

Unë sot do të isha shumë krenar dhe i lumtur që në këtë tryezë të trajtonim raste suksesi, rezultatet konkrete. Unë dhe shteti që përfaqësoj duam të shohim një Kosovë prosperuese, ku sundon ligji dhe ku Ambasada Britanike të jetë e stërngarkuar me kërkesa nga kompani dhe firma britanike që dëshirojnë të investojnë në Kosovë, që përmes ekonomisë, kulturës, sportit, shkencës, populli britanik dhe populli i Kosovës të ndërtojnë ura të reja bashkëpunimi.

Unë nuk kam aspak dyshim se Kosova ka shumë njerëz të mirë, të cilët i kam përmendur në tryezën e kaluar dhe që e duan këtë vend, që duan ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, duan një jetë më të mirë, duan drejtësi të pavarur, të paanshme dhe të bazuar në vlera dhe standarde të larta.

Unë jam plotësisht i bindur që ka njerëz të tillë brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Menodj që është shumë e rëndësishme që të thekosoj se kan ardhur koha për rezultate konkrete. Mos e humbisni shansën që Ju të jeni ndryshimi, që Ju të jeni ata që përmirësoni këtë gjendje, që Ju të luftoni të keqën dhe të shërbeni si shembull, si heroj se si luftohet dhe punohet për këtë vend.

Ju faleminderit për vëmendje.

Publikuar 28 March 2017