Historia e lajmeve botërore

Sulmi në Salisbury është sulm ndaj të gjithëve

Vështrim mbi sulmin në Salisbury nga Ambasadori Britanik Ruairí O'Connell.

British Ambassador Ruairí O'Connell

British Ambassador Ruairí O'Connell

Më 4 mars në Salisbury, një qytet me një nga katedralet më të bukura të Britanisë së Madhe, dhe për herë të parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, një baba dhe bija e tij u sulmuan me agjent nervor.

Sergei dhe Yulia Skripal janë ende të shtruar në spital. Një oficer i policisë që u shkoi në ndihmë ndodhet në gjendje kritike. Tridhjetë e pesë persona të tjerë u detyruan të kërkonin trajtim mjekësor, sepse gjendeshin në afërsi të vendit ku u lirua agjenti nervor.

Duhet të jemi të qartë: kjo ishte një përpjekje e hapur për të ekzekutuar civilë në tokë britanike, duke rrezikuar këdo - me çfarëdo shtetësie - që ndodhej në afërsi. Nëse kjo mund të ndodhë në Salisbury, atëherë një incident i tillë mund të ndodhë kudo.

Shkencëtarët tanë e identifikuan substancën e përdorur kundër Skripalëve si një agjent nervor ushtarak rus të njohur si “Novichok”. Sot, vetëm Rusia shpalos një rekord të vrasjeve të sponsorizuara nga shteti me një motiv të deklaruar për shënjestrimin e Sergei Skripalit, si dhe ka një histori të prodhimit të agjentëve “Novichok”.

Pas sulmit, qeveria britanike i dha Kremlinit një mundësi për të shpjeguar nëse kishte humbur ndonjë pjesë e stokut të këtyre substancave. Por kjo kërkesë u injorua me përbuzje, duke e lënë qeverinë pa zgjidhje, përveçse për të arritur në përfundimin se shteti rus ishte fajtor për vrasje në tentativë në një qytet britanik, duke përdorur një agjent vdekjeprurës nervor, të ndaluar nga Konventa e Armëve Kimike.

Incidenti në Salisbury ndjek një model të sjelljes së paligjshme të Kremlinit. Që nga viti 2014, Rusia ka aneksuar Krimenë, ka ndezur flakët e konfliktit në Ukrainën lindore, ka hakuar Bundestagun gjerman dhe qeverinë daneze. Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet evropiane, duke përfshirë, në vitin 2016, ndërhyrjen në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi që kulminuan me një përpjekje grushti shteti të orkestruar nga agjentët e inteligjencës ruse.

Tash, ata kanë shkuar aq larg sa të përdorin një agjent nervor të ndaluar në tokën evropiane. Fakti që më shumë njerëz nuk përfunduan në spital në Salisbury është fat i pastër. Natyrisht, autorët nuk donin t’ia dinin sa të pafajshëm kanë rrezikuar.

Britania u përgjigj duke dëbuar 23 oficerë të padeklaruar të inteligjencës nga Ambasada Ruse në Londër. Por i gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë i bashkuar për të respektuar rregullat nga të cilat varet siguria e çdo kombi.

Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë shteti rus do të vazhdojë modelin e sjelljes së rrezikshme dhe destruktive.

Grindja jonë nuk është me popullin rus, historia e të cilit rrezaton arritje kulturore dhe letrare përgjatë shekujve. Ne nuk do ta harrojmë kurrë forcën e treguar nga populli rus gjatë Luftës së Dytë Botërore, as aleancën tonë të përbashkët kundër nazizmit.

Por ne të gjithë e kemi një detyrim të përbashkët që ta kundërshtojmë ambicien e Kremlinit për ta ndarë dhe dobësuar komunitetin ndërkombëtar.

Ndonëse përgjigja e Britanisë ka qenë e fuqishme, ne iu përmbahemi vlerave tona si demokraci liberale që beson në sundimin e ligjit. Shumë rusë e kanë kthyer Britaninë në shtëpinë e tyre. Ata u përmbahen ligjeve tona, japin një kontribut të rëndësishëm për shoqërinë tonë dhe mbeten të mirëpritur.

Por çdo herë që shteti rus shkel rregullat ndërkombëtare, ai kthehet në rrezik. Ky akt i turpshëm u krye në një qytet provincial paqësor në Britani; herën tjetër mund të ndodhë në tokën kosovare, ose në qytetin tuaj.

Publikuar 22 March 2018