Historia e lajmeve botërore

Sekretari Britanik për Punë të Jashtme flet për Kosovën dhe rajonin

Shkrim autorial nga Sekretari Britanik për Punë të Jashtme Boris Johnson me rastin e vizitës së tij në Kosovë.

Vizita ime e parë në Ballkan, si Sekretar i Punëve të Jashtme, vjen në një moment veçanërisht prekës. Të jesh në këtë cep të Evropës më 11 nëntor, përvjetori i 98-të i përfundimit të Luftës së Parë Botërore - është t’i kujtosh vuajtjet dhe shpresat e shkatërruara të asaj kohe tragjike.

Disa njerëz pyesin se çka do të thotë largimi i pashmangshëm i Britanisë nga BE-ja për Ballkanin - dhe këtu unë mund t’ju ofrojë siguri. Vendi im po e lë BE-në, por prerazi nuk e po lëmë Evropën.

Përkundrazi, qëllimi ynë do të jetë forcimi i lidhjeve tona me miqtë tanë evropian, duke përfshirë edhe Ballkanin. Pasi që ta lëmë BE-në, dua që Britania t’i rritë ambiciet e politikave të jashtme të saj dhe të bëhet edhe më shumë aktive në skenën botërore.

Në këtë udhëtim, unë do të vizitojë Beogradin, Prishtinën, Zagrebin, Valletën dhe Pragën. Të gjithë ne i ndajmë të njejtat vlera dhe ballafaqohemi me kërcënime të ngjashme, duke filluar nga krimi i organizuar e deri tek terrorizmi dhe radikalizmi.

Ne së bashku përballemi me këto probleme, dhe këtë e bëjmë në bazë të marrëdhënies që shkon prapa shumë shekuj. Perandori Konstantin kishte lindur në Ballkan, por ai u kurorëzua Perandor në Jork në veri të Anglisë.

Jam krenar për rolin që Britania ka luajtur në Ballkan. Në vitet e 90-ta, ne u përqendruam në stabilizimin e rajonit dhe sjelljen e paqes, duke bërë zgjedhje të vështira për të cilat e di se jo të gjithë u pajtuan. Sot, Ballkani Perëndimor ka lëvizur nga ditët e konfliktit dhe jemi duke punuar me ju për të siguruar që këto përfitime të mos kthehen mbrapsht.

Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar. Kjo është arsyeja pse me kënaqësi po ju njoftoj se Britania do të jetë nikoqir i Samitit për Ballkanin Perëndimor në vitin 2018. Samiti do t’i sjellë së bashku liderët nga rajoni dhe e gjithë Evropa për të ofruar qëllimet tona të përbashkëta të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit.

Britania do të vazhdojë t’i ndihmojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre euro-atlantike. Kjo është koha e vitit kur publikohet Pakoja vjetore e Komisionit Evropian për zgjerim. Askush nuk befasohet nga thirrjet e saj për më shumë hapa për t’i hapur ekonomitë kombëtare dhe për ta përmirësuar respektimin e sundimit të ligjit. Në fund të fundit, vendet e rajonit i kanë përcaktuar këto qëllime vet.

Mbretëria e Bashkuar është vendosur mirë për t’ju ndihmuar në arritjen e këtyre qëllimeve. Jemi duke e shtuar mbështetjen tonë praktike për përpjekjet tuaja, duke u mbështetur në kompanitë britanike dhe në asistencën teknike që mund ta ofrojmë. Mbretëria e Bashkuar e ka ekspertizën e klasit botëror, duke përfshirë reformën rregullatore, sipërmarrjen, inovacionin dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Sigurisht se i ndajmë bashkë kërcënimet si dhe mundësitë. Jemi të prekur nga lufta e kobshme civile në Siri, e cila ka nxitur migrimin dhe fuqizimin e terroristëve. Ne nuk mund t’i trajtojmë këto sfida të vetëm; ne duhet të punojmë së bashku, të ndajmë informacione dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Dëshirojmë të ndërtojmë partneritet me ju në këto fusha, dhe unë mirëpres diskutimin e mëtejshëm gjatë vizitës sime.

Në Prishtinë do t’i diskutoj me udhëheqësit e Kosovës mendimet e tyre mbi të ardhmen e vendit, duke përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë - që me siguri se është detyra më e rëndësishme nga të gjitha. Unë do e lansoj një program të ri nga Fondacioni Westminster për Demokraci, i projektuar për ta ndihmuar forcimin e demokracisë më të re në Evropë. Do i takoj edhe ata nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Kosova të cilët janë duke punuar së bashku në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionin dhe radikalizmin, si dhe trashëgiminë e hidhur të viteve 90-të.

Dhe së fundi, mirëpres hapjen e ambasadës së re britanike në Prishtinë - një simbol të dukshëm të angazhimit tonë për miqësinë me Kosovën dhe popullin e saj, të farkëtuar në luftë, por të ushqyer në paqe. Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar, dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar suksesin tuaj.

Publikuar 10 November 2016