Guidance

Notice of rights and entitlements Albanian (PACE Code H) (accessible version)

Updated 18 December 2019

Ligji kundër terrorizmit i vitit 2000

Mbani mend të drejtat tuaja ndërkohë që jeni nën arrest

Të drejtat në këtë njoftim ju garantohen sipas ligjit në Angli dhe Uells dhe janë në pajtim me Direktivën e BE-së 2012/13 për të drejtën e informacionit në procedurat penale.

Të drejtat tuaja në komisariatin e policisë janë përmbledhur në këtë faqe.

Ka më shumë informacion në paragrafët 1 deri 11 në faqet e mëtejshme.

Të dhënat e plota gjenden në Pjesën H të Kodit të Punës së policisë.

  1. Thuajini policisë nëse doni një avokat që t’ju ndihmojë ndërkohë që jeni në komisariatin e policisë. Ky shërbim është pa pagesë.

  2. Thuajini policisë nëse doni që të njoftohet dikush se ku jeni. Ky shërbim është pa pagesë.

  3. Thuajini policisë nëse doni të lexoni rregullat e tyre - ato quhen Kodi i Praktikës së Punës.

  4. Thuajini policisë nëse ju nevojitet ndihmë mjekësore. Thuajini policisë nëse ndiheni sëmurë ose jeni lënduar. Ndihma mjekësore është falas.

  5. Nëse ju bëjnë pyetje rreth përfshirjes së dyshuar në organizimin, përgatitjen ose nxitjen e akteve të terrorizmit, nuk jeni i detyruar të thoni asgjë. Megjithatë, mund t’ju dëmtojë mbrojtjen tuaj nëse nuk thoni kur pyeteni diçka që më vonë e deklaroni në gjykatë. Çdo gjë që thoni mund të paraqitet si dëshmi.

  6. Policia duhet t’ju tregojë për natyrën e përfshirjes suaj të dyshuar në organizimin, përgatitjen ose nxitjen e akteve të terrorizmit dhe përse jeni arrestuar dhe po mbaheni i ndaluar.

  7. Policia duhet t’ju lejojë juve ose avokatin tuaj të shikoni një kopje të shënimeve ose dokumenteve përse ju jeni arrestuar dhe po mbaheni i ndaluar dhe rreth kohës suaj në komisariatin e policisë.

  8. Nëse ju duhet një përkthyes, policia duhet të marrë një përkthyes për ju. Disa prej dokumenteve mund edhe që t’ju përkthehen me shkrim. Ky shërbim është pa pagesë.

  9. Thuajini policisë nëse nuk jeni britanik dhe doni të kontaktoni ambasadën ose konsullatën tuaj ose doni që ata të njoftohen se jeni ndaluar. Ky shërbim është pa pagesë.

  10. Policia duhet t’ju thotë se për sa kohë mund t’u mbajnë të ndaluar.

  11. Nëse ju ngrihet aktakuza dhe çështja juaj shkon në gjykatë, ju ose avokati juaj do të keni të drejtën të shikoni provat e prokurorisë përpara seancës gjyqësore.

Nëse nuk jeni i sigurt për ndonjë nga këto të drejta pyesni oficerin e arresteve

Shikoni faqet mbas përmbledhjes për më shumë informacion se si duhet t’ju trajtojë dhe të kujdeset për ju policia

Ky version i Njoftimit të të Drejtave zbatohet që nga data 21 gusht 2019

Ju lutemi mbajeni këtë informacion dhe lexojeni sa më parë që të jetë e mundur. Do t’ju ndihmojë të merrni vendime ndërkohë që jeni në komisariatin e policisë.

1. Marrja e një avokati që t’ju ndihmojë

  • Një avokat mund t’ju ndihmojë dhe t’ju këshillojë rreth ligjit.
  • Nëse kërkoni të flisni me një avokat, kjo nuk nënkupton se keni kryer një shkelje.
  • Oficeri i Arresteve të Policisë duhet t’ju pyesë nëse doni këshilla ligjore. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Policia duhet t’ju lejojë të flisni me një avokat në çdo kohë, ditën ose natën, kur jeni në një komisariat policie.
  • Nëse kërkoni këshilla ligjore, policia zakonisht nuk lejohet t’ju bëjë pyetje derisa ju të keni folur me një avokat. Kur policia ju merr në pyetje ju mund të kërkoni që një avokat të jetë në dhomë me ju.
  • Nëse i thoni policisë se nuk doni këshilla ligjore, por ndërroni mendjen, thuajini oficerit të arresteve të policisë i cili do t’ju ndihmojë të kontaktoni një avokat.
  • Nëse avokati nuk vjen ose nuk ju kontakton në komisariatin e policisë, ose ju duhet të flisni me një avokat sërish, kërkojini policisë që ta kontaktojë atë përsëri.
  • Mund të kërkoni të flisni me një avokat që njihni dhe nuk ju duhet të paguani nëse ai punon në skemën e ndihmës ligjore. Nëse nuk njihni ndonjë avokat ose avokati që njihni nuk mund të kontaktohet, mund të flisni me avokatin e caktuar. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Avokati i caktuar nuk ka lidhje me policinë.

Për të organizuar këshilla ligjore falas:

  • Policia do të kontaktojë Qendrën e Telefonatave të Avokatëve Mbrojtës (Defence Solicitor Call Centre (DSCC)). DSCC do të organizojë që t’ju jepen këshilla ligjore, nga një avokat që keni kërkuar ose nga avokati në detyrë.
  • DSCC janë shërbime të pavarura përgjegjëse për të organizuar këshilla ligjore falas dhe nuk ka asnjë lidhje me policinë.

Nëse doni të paguani vetë për këshillimin ligjor:

  • Nëse dëshironi mund të paguani vetë për këshilla ligjore në të gjitha rastet.
  • DSCC do të kontaktojë avokatin tuaj në emrin tuaj.
  • Ju keni të drejtën të flisni privatisht me avokatin e zgjedhur nga ju në telefon ose ai mund të vendosë të vijë e t’ju takojë në komisariatin e policisë.
  • Nëse avokati që keni zgjedhur vetë nuk mund të kontaktohet, policia mundet që sërish të telefonojë DSCC për të organizuar këshilla ligjore falas nga avokati në detyrë.

2. Njoftimi i dikujt se jeni në komisariatin e policisë

  • Mund t’i kërkoni policisë që të kontaktojë një person që duhet të dijë se ju jeni në komisariatin e policisë. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Policia do ta kontaktojë personin që kërkoni ju sa më parë që të mundet.

3. Leximi i Kodit të Punës

  • Kodi i Punës përmban rregullat të cilat ju thonë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet të bëjë policia ndërkohë që ju ndodheni në komisariatin e policisë. Këto përfshijnë hollësi të të drejtave të përmbledhura në këtë Njoftim.
  • Policia do t’ju lejojë ta lexoni Kodin e Praktikës së Punës, por nuk mund ta bëni këtë nëse kjo pengon policinë të gjejë nëse ju keni shkelur ligjin.
  • Nëse doni ta lexoni Kodin e Punës, thuajini Oficerit të Arresteve të Policisë.

4. Marrja e ndihmës mjekësore nëse nuk jeni mirë ose jeni lënduar

  • Thuajini policisë nëse ndiheni sëmurë ose ju duhen barna. Ata do të thërrasin një mjek ose infermiere ose profesionistë të tjerë të shëndetit dhe ky shërbim është pa pagesë.
  • Mund t’ju lejohet të merrni barnat tuaja, por policisë do t’i duhet t’i kontrollojë ato më parë. Zakonisht si fillim do t’ju vizitojë një infermier, por policia do të dërgojë një mjek nëse ju duhet. Mund të kërkoni të vizitoheni nga një mjek, por mund t’ju duhet të paguani për këtë.

5. E drejta për të qëndruar i heshtur

Nëse ju bëjnë pyetje rreth përfshirjes së dyshuar në organizimin, përgatitjen ose nxitjen e akteve të terrorizmit, nuk jeni i detyruar të thoni asgjë.

Megjithatë, mund t’ju dëmtojë mbrojtjen tuaj nëse nuk përgjigjeni kur pyeteni për diçka që më vonë e deklaroni në gjykatë.

Çdo gjë që thoni mund të paraqitet si dëshmi.

6. Marrja e informacionit përse jeni arrestuar dhe ndaluar

  • Policia duhet t’ju ofrojë informacion në mënyrë që të jeni në gjendje të kuptoni pse jeni arrestuar dhe dyshoheni të jeni i përfshirë në organizimin, përgatitjen ose nxitjen e terrorizmit.
  • Në komisariatin e policisë, policia duhet t’ju thotë përse ata mendojnë se ju duhet të mbaheni të ndaluar.
  • Përpara se t’ju bëhet çdo pyetje rreth përfshirjes suaj të dyshuar në terrorizëm policia duhet t’ju japë juve ose avokatit tuaj informacion të mjaftueshëm rreth asaj se çfarë mendojnë se keni bërë në mënyrë që të mbroni veten, por pa dëmtuar hetimin e policisë.
  • Kjo zbatohet për çdo vepër tjetër penale për të cilën policia dyshon se e keni kryer.

7. Shikimi i shënimeve dhe dokumenteve rreth arrestit dhe ndalimit tuaj

  • Kur ndaloheni në një komisariat policie, polica duhet:
    • Të regjistrojë në dosjet e arrestit arsyen dhe përse jeni arrestuar si dhe përse ata mendojnë se duhet të mbaheni i ndaluar.
    • T’ju lejojë juve dhe avokatin tuaj t’i shikoni këto shënime. Oficeri i arresteve të policisë do ta organizojë këtë gjë.
  • Policia duhet t’ju japë juve ose avokatit tuaj të shikoni dokumentet dhe materialet që janë thelbësore për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit dhe ndalimit tuaj.

8. Marrja e një përkthyesi dhe përkthimi me shkrim i disa dokumenteve për t’ju ndihmuar

  • Nëse ju nuk flisni ose nuk kuptoni anglisht policia do të organizojë që dikush që flet gjuhën tuaj t’ju ndihmojë. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Nëse jeni shurdh ose keni vështirësi në të folur, policia do të organizojë një përkthyes të Gjuhës Britanike të Shenjave që t’ju ndihmojë. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Nëse nuk flisni ose nuk kuptoni anglisht, policia do të marrë një përkthyes për t’ju thënë përse ju kanë ndaluar. Kjo duhet bërë sa herë që merret një vendim që të mbaheni i ndaluar.
  • Pasi të merret çdo vendim për t’ju mbajtur në ndalim dhe pasi t’ju jetë ngritur aktakuza për një vepër penale, policia duhet t’ju japë edhe një dokument në gjuhën tuaj që ju shpjegon përse jeni ndaluar dhe çdo vepër penale për të cilën ju është ngritur akt-akuzë, përveçse kur ka arsye të veçanta që të mos e bëjë këtë gjë. Ato janë:
    • Nëse vendosni se nuk ju duhen shënimet për të mbrojtur veten sepse e kuptoni plotësisht se çfarë po ndodh dhe i kuptoni pasojat e mosmarrjes së shënimeve dhe keni pasur mundësinë që të pyesni një avokat për ndihmë që të vendosni. Duhet edhe që të jepni pëlqimin tuaj me shkrim.
    • Nëse një përkthim me gojë ose një përmbledhje nëpërmjet një përkthyesi në vend të përkthimit me shkrim është i mjaftueshëm për ju që të mbroheni dhe të kuptoni plotësisht se çfarë ndodh. Këtë gjë e autorizon oficeri i arresteve.
  • Kur policia ju bën pyetje dhe nuk e incizon intervistën, përkthyesi do t’i mbajë shënim pyetjet dhe përgjigjet tuaja në gjuhën tuaj. Ju do të mund t’i kontrolloni ato përpara se të nënshkruani se janë shënime të sakta.
  • Nëse doni t’i paraqisni policisë një deklaratë me shkrim, një përkthyes do të bëjë një kopje të kësaj deklarate në gjuhën tuaj që ju ta kontrolloni dhe ta nënshkruani si të saktë.
  • Keni të drejtën edhe që ky njoftim t’ju përkthehet. Nëse nuk ka përkthim me shkrim të këtij njoftimi, informacioni duhet t’ju jepet nëpërmjet një përkthyesi dhe t’ju jepet një përkthim me shkrim pa vonesë.

9. Kontaktimi i ambasadës ose konsullatës suaj

Nëse nuk jeni britanik, ju mund t’i thoni policisë se doni të kontaktoni Komisionin e Lartë, Ambasadën ose Konsullatën që t’i njoftoni se ku jeni dhe pse jeni në komisariatin e policisë. Ata mund edhe t’ju vizitojnë privatisht ose të organizojnë që t’ju takojë një avokat.

10. Sa gjatë mund të mbaheni i ndaluar?

  • Ju mund të mbaheni i ndaluar për më shumë se 48 orë pa u ngritur aktakuza ndaj jush nëse gjykata i lejon policisë më shumë kohë për t’ju mbajtur të ndaluar. Gjykatat kanë kompetencën të zgjasin periudhën e ndalimit pa aktakuzë deri në maksimumi 14 ditë nga arrestimi juaj.
  • Herë pas here një oficer i lartë i policisë duhet ta kontrollojë çështjen tuaj për të parë nëse ju duhet të mbaheni ende i ndaluar. Ky quhet rishikim. Përveç rasteve kur nuk jeni në gjendje të mirë shëndetësore, ju keni të drejtën të jepni mendimin rreth këtij vendimi. Avokati juaj po ashtu ka të drejtën të japë opinion e tij rreth këtij vendimi në emrin tuaj.
  • Nëse oficeri i rishikimit nuk ju liron, duhet t’ju thuhet përse dhe arsyeja të shënohet në dosjen tuaj të arrestit.
  • Nëse ndalimi juaj nuk është më i nevojshëm, ju duhet të liroheni.
  • Kur policia i kërkon një gjykate të zgjasë ndalimin tuaj:
    • Duhet t’ju jepet një njoftim me shkrim që ju informon se kur do të zhvillohet seanca dëgjimore dhe arsyet për kërkimin e zgjatjes së ndalimit tuaj.
    • Ju duhet të silleni në gjykatë për seancën, përveç rasteve nëse është bërë një lidhje televizive që ju të mund të shihni dhe dëgjoni njerëzit në gjykatë dhe ata mund t’ju shohin dhe t’ju dëgjojnë juve.
    • Në gjykatë keni të drejtën të keni një avokat me vete.
    • Policia do të lejohet t’ju mbajë në ndalim vetëm nëse gjykata beson se është e nevojshme dhe se policia po e heton çështjen tuaj me kujdes dhe pa humbur kohë.
  • Nëse policia ka dëshmi të mjaftueshme për t’ju dërguar në gjykatë, mund t’ju ngrihet aktakuza në komisariatin e policisë ose t’ju dërgohet me postë, që të paraqiteni në gjykatë për t’u gjykuar.

Rishikimet dhe zgjatja e ndalimit

  • Mund të ketë raste kur ju mund të ndaloheni më gjatë se 48 orë pasi jeni arrestuar. Në këto rrethana, duhet t’ju jepet ç’ka më poshtë:
    • Një dokument me shkrim që tregon se aplikimi për zgjatjen e ndalimit tuaj është bërë;
    • Koha kur është bërë aplikimi;
    • Koha kur do të dëgjohet në gjykatë aplikimi dhe
    • Arsyeja apo arsyet përse kërkohet ndalimi i mëtejshëm.

Duhet që ju (dhe përfaqësuesit tuaj ligjor) t’ju jepet një njoftim sa herë që bëhet një aplikim për zgjatjen e parë ose të mëtejshme të ndalimit tuaj.

11. Aksesi te dëshmitë nëse çështja juaj shkon në gjykatë

Nëse ju është ngritur aktakuza për një shkelje, ju ose avokati juaj duhet të lejoheni të shikoni dëshmitë kundër jush si dhe dëshmitë që mund ta ndihmojnë mbrojtjen tuaj. Kjo duhet bërë përpara se të fillojë gjyqi juaj. Policia dhe Shërbimi i Prokurorisë së Mbretërisë duhet ta organizojnë këtë dhe t’ju japin dokumentet dhe materialet përkatëse për t’i parë.

Gjëra të tjera që duhet të dini rreth qëndrimit në një komisariat policie

Si duhet të trajtoheni dhe si duhet të kujdesen për ju

Këto shënime ju thonë se çfarë duhet të prisni ndërkohë që mbaheni në komisariatin e policisë. Për më shumë informacion, kërkoni të shikoni Kodin e Punës. Në të është përfshirë një listë se ku mund të gjeni më shumë informacion rreth secilës prej këtyre gjërave. Pyesni oficerin e arrestit të policisë nëse keni ndonjë pyetje.

Personat që kanë nevojë për ndihmë

  • Nëse jeni nën 18 vjeç ose jeni vulnerabël, për shembull nëse keni vështirësi në të nxënë ose probleme të shëndetit mendor, atëherë keni të drejtën që të keni një person me vete kur policia bën disa gjëra. Ky person quhet “i rrituri i përshtatshëm” dhe atij do t’i jepet një kopje e këtij Njoftimi.
  • I rrituri juaj i përshtatshëm do t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë po ndodh dhe do të kujdeset për interesat tuaja. Ai apo ajo duhet të jetë me ju kur policia ju thotë të drejtat tuaja dhe ju thotë se pse po mbaheni në komisariatin e policisë e policisë. Ai ose ajo duhet të jenë me ju edhe kur policia ju lexon paralajmërimin e policisë.
  • I rrituri i përshtatshëm mund të kërkojë edhe një avokat në emrin tuaj.
  • Ju mund të flisni me avokatin tuaj pa të rriturin e përshtatshëm në dhomë nëse doni.
  • Policisë mund t’i duhet të bëjë edhe një nga gjërat në listën e mëposhtme ndërkohë që ju jeni në stacionin e policisë. Përveç rasteve kur ka arsye të veçanta, i rrituri i përshtatshëm duhet të jetë me ju gjatë të gjithë kohës nëse policia bën çdo një nga këto gjëra:
    • Ju interviston ose ju kërkon të nënshkruani një deklaratë të shkruar ose shënimet e policisë.
    • Ju heq më shumë se veshjet e sipërme që t’ju kontrollojë.
    • Ju merr shenjat e gishtërinjve, ju bën fotografi ose ju merr ADN-në ose një kampion tjetër.
    • Bën çdo gjë që ka të bëjë me një procedurë identifikimi të dëshmitarit.
  • Të rriturit të përshtatshëm duhet t’i jepet një mundësi që të jetë i pranishëm personalisht ose në telefon për t’ju ndihmuar kur policia e rishikon çështjen tuaj për të parë nëse duhet të ndaloheni më gjatë.
  • Nëse i rrituri i i përshtatshëm është i disponueshëm, ai duhet të jetë i pranishëm kur policia ju ngre aktakuzën për një shkelje.

Marrja e të dhënave për kohën tuaj në komisariatin e policisë

  • Çdo gjë që ju ndodh gjatë kohës që jeni në komisariatin e policisë regjistrohet. Kjo gjë quhet Regjistrimi i Arrestit.
  • Kur largoheni nga komisariati i policisë, ju, avokati juaj ose i rrituri i përshtatshëm mund të kërkoni një kopje të Regjistrimit të Arrestit. Policia duhet t’ju japë një kopje të Regjistrimit të Arrestit tuaj sa më parë që të mundet.
  • Mund t’i kërkoni policisë një kopje të Regjistrimit të Arrestit tuaj deri 12 muaj pasi të jeni larguar nga stacioni i policisë.

Mbajtja në kontakt

  • Përveç bisedës me një avokat dhe njoftimit të një personi se ju jeni arrestuar, zakonisht ju do të lejoheni të bëni një telefonatë.
  • Pyesni policinë nëse doni të bëni një telefonatë.
  • Mund të kërkoni dhe laps e letër.
  • Ju mund të jeni në gjendje të keni vizitorë, por oficeri i arresteve ka të drejtën që ta refuzojë këtë gjë.

Qelia juaj

  • Nëse është e mundur ju duhet të mbaheni në një qeli vetëm.
  • Ajo duhet të jetë e pastër, e ngrohtë dhe me dritë.
  • Shtrojat tuaja duhet të jenë të pastra dhe të rregullta.
  • Duhet të lejoheni të përdorni banjën dhe të laheni.

Nevojat personale - shëndeti, higjiena dhe mirëqenia

  • Ju duhet të pyeteni nëse dëshironi të flisni privatisht me një anëtar të personelit të paraburgimit për çdo nevojë personale që lidhet me shëndetin, higjienën dhe mirëqenien tuaj që mund të ndikojë mbi ju ose t’ju shqetësojë gjatë kohës që jeni në paraburgim.
  • Policia do të organizojë që të sigurohen produktet që konsiderohen të nevojshme për të përmbushur nevojat tuaja. Nëse dëshironi, personi me të cilin flisni mund të jetë i të njëjtës gjini si ju.
  • Nëse jeni një femër e moshës 18 vjeç e lart, duhet të pyeteni nëse keni nevojë ose keni të ngjarë t’ju duhen produkte sanitare gjatë kohës që jeni në paraburgim dhe duhet t’ju thuhet se:
    • produktet do të ofrohen pa pagesë;
    • disponohen produkte zëvendësuese; dhe
    • produktet mund të ofrohen nga familja ose miqtë tuaj me shpenzimet e tyre nëse oficeri i paraburgimit bie dakord.
  • Nëse jeni një vajzë nën 18 vjeç, oficeri i ndalimit do të sigurojë që një grua në komisariat të jetë në dispozicion për t’u kujdesur për ju dhe për t’ju pyetur në lidhje me nevojat tuaja personale dhe produktet e higjienës personale.

Veshjet

Nëse ju janë marrë rrobat, atëherë policia duhet t’ju japë veshje të tjera alternative.

Ushqimi dhe pijet

Duhet t’ju ofrohen 3 vakte në ditë me lëngje. Ju gjithashtu mund të pini lëngje gjatë vakteve të ngrënies.

Ushtrimet fizike

Nëse është e mundur ju duhet të lejoheni jashtë çdo ditë për ajër të pastër.

Kur policia ju merr në pyetje

  • Dhoma duhet të jetë e pastër, e ngrohtë dhe me dritë.
  • Ju nuk duhet të qëndroni në këmbë.
  • Oficerët e policisë duhet t’ju thonë emrin dhe gradën e tyre.
  • Ju duhet të bëni pushim në kohën e zakonshme të vakteve të ngrënies dhe një pushim për të pirë diçka pas dy orësh.
  • Juve duhet t’ju lejohet të paktën 8 orë pushim në një periudhë prej 24 orësh që jeni nën ndalim.

Nevojat për besimin fetar

Thuajini policisë nëse ju duhet ndonjë gjë për t’ju ndihmuar të praktikoni besimin tuaj ndërkohë që jeni në komisariatin e policisë. Ata mund t‘ju japin libra dhe sende të tjera fetare, sipas nevojës.

Rastet kur rregullat normale janë të ndryshme

Marrja e një avokati që t’ju ndihmojë

Në disa raste policia duhet t’ju bëjë pyetje urgjentisht përpara se ju të keni folur me një avokat. Informacionet rreth këtyre rasteve të veçanta janë dhënë në Kodin e Praktikës së Punës. Këto përcaktojnë çfarë mundet ose nuk mundet të bëjë policia kur ju jeni në komisariatin e policisë. Nëse doni të shikoni hollësitë, ato ndodhen në paragrafin 6.7 të Kodit të Praktikës së Punës në Pjesën H.

Në një rast të veçantë policia nuk do t’ju lejojë të flisni me avokatin që keni zgjedhur. Nëse kjo gjë ndodh ju duhet të lejoheni të zgjidhni një avokat tjetër. Nëse doni të shikoni hollësitë, ato janë në Shtojcën B të Kodit të Praktikës së Punës, Pjesa H.

Ka një rast kur policia nuk do t’ju lejojë të flisni me avokatin tuaj privatisht. Kjo ndodh kur një oficer policie shumë i lartë jep autorizimin që një inspektor me uniformë të jetë i pranishëm. Nëse doni të shikoni hollësitë, ato ndodhen në paragrafin 6.5 të Kodit të Praktikës së Punës në Pjesën H.

Njoftimi i dikujt se jeni në komisariatin e policisë

Ka disa raste të veçanta kur policia nuk do t’ju lejojë të kontaktoni askënd. Informacioni rreth këtyre rasteve të veçanta është dhënë në Kodin e Praktikës së Punës. Nëse doni të shikoni hollësitë, ato janë në Shtojcën B të Kodit të Praktikës së Punës, Pjesa H.

Vizitorët e pavarur gjatë kohës që jeni nën arrest

Ka pjesëtarë të komunitetit të cilëve u lejohet të vizitojnë komisariatin e policisë pa njoftuar. Ata njihen si vizitorë të pavarur të arresteve dhe punojnë mbi baza vullnetare për të siguruar që personat e mbajtur nën arrest trajtohen siç duhet dhe i dinë të drejtat e tyre.

Nuk keni të drejtën të takoheni me një vizitor të pavarur të arrestit ose t’u kërkoni t’ju vizitojnë, por një vizitor mund të kërkojë që të takohet me ju. Nëse një vizitor i pavarur i arresteve ju viziton ndërkohë që ju jeni nën arrest ai do të veprojë në mënyrë të pavarur nga policia për të kontrolluar se mirëqenia dhe të drejtat tuaja janë mbrojtur. Megjithatë, ju nuk jeni i detyruar të flisni me të nëse nuk dëshironi.

Si të bëni një ankesë

Nëse doni të ankoheni rreth mënyrës se si jeni trajtuar, kërkoni të flisni me një oficer policie i cili është një inspektor ose i një grade më të lartë. Pasi të liroheni, ju po ashtu mund të bëni një ankesë në çdo komisariat policie, te Zyra për Sjelljen e Policisë (IOPC) ose nëpërmjet një avokati, ose Anëtarit tuaj të Parlamentit në emrin tuaj.