Projekt binjakëzimi mes Shqipërisë dhe MB-së në mbështetje të sistemit penitenciar
Projekti i financuar nga BE-ja premton ta transformojë sistemin shqiptar të burgjeve në më progresivin në Ballkan

UK-Albania twinning project to support the penitentiary system
Tiranë, 13 prill 2016- Një projekt shqiptaro-britanik i financuar nga Bashkimi Evropian në mbështetje të sistemit penitenciar dhe shërbimit të provës u prezantua sot në Tiranë. Të pranishëm në aktivitet ishin Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian. Ekpsertët britanikë do të punojnë së bashku me ata shqiptarë për të përmirësuar funksionimin e sistemit penitenciar dhe sjelljen e tij në linjë me standardet evropiane, duke forcuar kështu eficiencën dhe llogaridhënien.

UK-Albania twinning project to support the penitentiary system
Ky projekt binjakëzimi do të ndihmojë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të përmirësojë sistemin e vet menaxherial dhe praktikat e punës me qëllim rritjen e efikasitetit të sistemit penitenciar dhe shërbimit të provës në Shqipëri. Në veçanti, ekspertët britanikë do të punojnë në disa drejtime kryesore ndër të cilat: reduktimin e mbipopullimit në burgje, përmirësimin e sistemit të monitorimit elektronik, ndryshimin e ligjit për burgjet, menaxhimin e të burgosurve vulnerabël ose atyre që përbëjnë rrezikshmëri të lartë, prezantimin e një inspektorati të pavarur për burgjet dhe shërbimin e provës si edhe përmirësimin e strategjisë për burgjet dhe shërbimin e provës duke përfshirë reduktimin e korrupsionit.
Gjatë prezantimit të projektit, Ambasadori Cannon u ndal tek rëndësia e rehabilitimit të të burgosurve, duke theksuar se “është në interesin e publikut që të dënuarit të riintegrohen në shoqëri në mënyrë që të japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit”.

UK-Albania twinning project to support the penitentiary system
Duke iu bashkëngjitur këtij mesazhi, Ministri Manjani tha se synimi i Ministrisë së Drejtësisë është integrimi i kujtdo që gjendet në sistemin penitenciar për shkak të rrethanave të ndryshme. “Mbërritja në standardet e burgjeve të hapura është hapi i parë në projektet e Ministrisë së Drejtësisë”- tha Manjani.
Këshilltari resident i projektit, Greg Riley-Smith tha se ndërsa ky projekt synon të arrijë ndryshime jo të lehta që kërkojnë bashkëpunimin e disa institucioneve, ai ofron një perspektivë të qartë për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt dhe për ta çuar përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.