Historia e lajmeve botërore

Kremtimi i Ditëlindjes së Mbretëreshës 2018 në Kosovë

Fjalimi i Ambasadorit Britanik Ruairí O'Connell me rastin e kremtimit të ditëlindjes së Mbretëreshës.

The Queen's Birthday Party 2018 in Kosovo

The Queen's Birthday Party 2018 in Kosovo

Zotëri President, Kryetar i Kuvendit, Kryeministër, Zëvendëskryeministra, Ministra, Kryetarë të Komunave, deputetë, gjeneralë, profesorë, gazetarë, udhëheqës të biznesit, miq,

Është kaq e mrekullueshme që ju shoh sonte këtu. Ju faleminderit që na u bashkuat për të kremtuar Ditëlindjen e 92-të të Lartmadhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabeta e Dytë. Sundimi i Mbretëreshës sonë ka shënuar një periudhë të shquar me ndryshime dhe zhvillim. Ajo ka parë transformimin dhe rritjen e Britanisë për më shumë se 60 vjet. Gjatë gjithë këtyre ndryshimeve qenësore, ajo ka qenë simbol dhe burim i stabilitetit dhe këmbënguljes, shembull i detyrës në shërbim të publikut.

Edhe Mbretëria e Bashkuar ka parë ndryshime madhore ashtu sikurse Kosova. Sonte, ne kremtojmë jo vetëm Ditëlindjen e Mbretëreshës sonë, por edhe përvjetorin e 10-të të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. 10 vjet më parë nisëm një fazë të re në marrëdhëniet tona. Ne krenohemi që ishim vendi i parë që njohu Kosovën dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me të. Unë krenohem personalisht që isha aty për të qenë dëshmitar - dhe për të ndihmuar, në mënyrën time modeste - në lindjen e Kosovës si Vend i Porsalindur (Newborn) i Evropës.

Sot ne po kremtojmë një marrëdhënie që ka lulëzuar gjatë dhjetë viteve të shkurtra. Kur mendoj për marrëdhënien, nuk mendoj vetëm për marrëdhëniet tona diplomatike, dokumentet themeltare të cilat janë të shfaqura këtu sonte. Mendoj për mbështetjen që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka dhënë Kosovës në atë kohë, për të ndihmuar në ndërtimin e një Kosove më të mirë për të gjithë. Mendoj për bashkëpunimin tonë në rritje kundër krimit, ku Kosova tani po na ndihmon të kapim kriminelët që na kërcënojnë të dy palët, mendoj për bashkëpunimin në rritje ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura Britanike; ne kemi trajnuar oficerë dhe pjesëtarë me grada tjera për dhjetë vjet, dhe gjersa po flas këtu, një oficer i FSK-së, Ismail Hoxha, po stërvit ushtarët britanikë në Mbretërinë e Bashkuar. Mendoj për mbrojtjen që Ushtria Britanike i ka dhënë Kosovës përmes KFOR-it, por edhe aktin e jashtëzakonshëm të trimërisë së Dervish Gashit, ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili i shpëtoi shumë jetë gjatë një sulmi terrorist në Londër. Kujtoj lobimin e pareshtur diplomatik që Mbretëria e Bashkuar ka bërë për të integruar Kosovën ndërkombëtarisht, por gjithashtu kujtoj solidaritetin që Kosova ka treguar me Mbretërinë e Bashkuar, duke iu bashkuar luftës kundër ISIS dhe duke ngritur zërin kundër sulmit të kobshëm kimik në Salisbury.

Në tërësi - shoh një marrëdhënie që po bëhet partneritet i vërtetë.

Dëshiroj të falënderoj Sponsorët e Diamantit për këtë mbrëmje, Telekomin e Kosovës dhe 4M, dhe të gjithë sponsorët tanë të tjerë që bënë të mundshëm këtë kremtim, por dhe Brit Talks që u mbajtën më herët sot. Entuziazmi juaj për t’u përfshirë tregon fuqinë e marrëdhënieve në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës! Dua të falënderoj ekipin tim, për punën e palodhur për javë të tëra për ta realizuar këtë ngjarje vigane. Dhe dua të falënderoj të gjithë këtu ngaqë jeni pjesë e gjallë e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Britanisë. Ngre dolli për dhjetë vitet e ardhshme!

Publikuar 20 April 2018