Historia e lajmeve botërore

Ambasada Britanike lanson projektin e ri për fuqizimin e Sistemit Gjyqësor dhe Sistemit Prokurorial në Kosovë

Projekti do të implementohet nga Axiom International dhe Agencia, kompani të specializuara britanike dhe drejtuese në fushën e sundimit të ligjit.

British Embassy launches new project to strengthen Kosovo's Judicial and Prosecutorial Systems

Ambasadori Britanik në Kosovë, Ruairí O’Connell, këtë javë lansoi projektin e ri për sundimin e ligjit, në ngjarje publike me Ministrin e Drejtësisë dhe me Kryesuesit përkatës të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KGJK dhe KPK).

Ambasada Britanike në Prishtinë është e përkushtuar të fuqizojë kapacitetet dhe rolin e Ministrisë së Drejtësisë (MD), KGJK-së dhe KPK-së në Kosovë. Ky projekt do ti ofrojë përkrahje Shqyrtimit Funksional të Gjyqësorit në Kosovë, i cili është në zhvillim e sipër. Projekti do të fillojë me një analizë të pa-anshme të llogaridhënies dhe integritetit në sektorin e drejtësisë, dhe do të ofrojë katër ekspertë ligjorë për të punuar në kuadër të MD-së. Projekti demonstron edhe angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të fuqizuar kapacitetet dhe rolin e KGJK-së dhe KPK-së. Pasi ekspertët britanikë të kenë identifikuar çështjet dhe sfidat më urgjente me të cilat ballafaqohen KGJK dhe KPK, implementuesit e projektit do të punojnë me ta për të përgatitur plane veprimi për adresimin efikas të këtyre çështjeve. Implementuesi britanik do të monitorojë edhe proceset e reja për rekrutimin e gjyqtarëve dhe emërimin e zyrtarëve të lartë gjyqësorë, si dhe do të sigurojë një program të përshtatur mentorimi dhe trajnimi për gjyqtarë të përzgjedhur, duke përfshirë ekspozimin ndaj praktikave më të mira në Mbretërinë e Bashkuar në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, si dhe ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit të profilit të lartë. Ne besojmë se këto aktivitete do të kontribojnë për një sistem më të fortë të drejtësisë në Kosovë, të aftë për të sfiduar korrupsionin dhe mos-ndëshkueshmërinë, dhe për ti gjykuar me efikasitet rastet e rënda.

Në eventin e lansimit me Ministrin e Drejtësisë, Ambasadori u shpreh:

Ka ardhur koha që Kosova të jetë dhe të ndihet plotësisht e përgjegjëshme për sundimin e ligjit në Kosovë. Përgjegjësia e plotë mbetet tek ju. Kjo është një punë e madhe dhe shumë e domosdoshme për Kosovën dhe gjithashtu për partnerët e Kosovës si Mbretëria e Bashkuar… Duke pasur strukturën e fortë, vullnetin e plotë politik dhe përkrahje të fuqishme, është e vetmja mënyrë për të luftuar dukuritë negative që cënojnë Kosovën por gjithashtu edhe Evropën… Çdo gjë që cënon integritetin e sistemit, cënon edhe rezultatet. Kjo është përgjegjësi e Kosovës, por unë besoj se ka njerëz brenda sistemit që do të bëhen heronjë të Kosovës.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me KGJK-në dhe KPK-në, Ambasadori O’Connell tha:

Kosova ka nevojë për një partner të fuqishëm, sikur Mbretëria e Bashkuar. Jam shumë i lumtur sot, që po lansojmë projektin tonë “Forcimi i sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale të Kosovës”, i cili do të implementohet, në bashkëpunim me ju, nga implementuesi britanik Axiom International. Axiom-i ka ekspertizën, njohurinë dhe përvojën për t’ju përkrahur. Do të jetë kënaqësi të punojmë me ju, me të dyja Këshillat, që të identifikohen prioritetet, të hartohen plane veprimi dhe të zbatohen në mënyrë efikase. KPK-ja dhe KGJK-ja luajnë rol thelbësor në funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë. Qëllimin e kemi të përbashkët. Ne duam që KGJK-ja dhe KPK-ja të fuqizohen dhe të kenë një zë të fortë.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri u shpreh:

Sot po përmbyllim fazën e parë të reformës më të madhe në sundimin e ligjit, dhe tashmë po fillojmë fazën e dytë me një projekt të ri që është mbështetur nga Ambasada Britanike… Qëllim kemi që në fund të vitit 2020 të arrijmë ta kemi një sistem të drejtësisë i cili nuk ballafaqohet me problemet dhe sfidat që është duke u ballafaquar tani.

Kryesuesi i KGJK-së Nehat Idrizi tha:

Nënshkrimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi shprehë vazhdimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për të fuqizuar kapacitetet e gjyqësorit, në veçanti nevojat e KGJK-së për të avancuar më tutje, sistemin e rekrutimit të gjyqtarëve, rëndësinë e programeve të trajnimit të gjyqëtarëve, si dhe kapacitetet e gjyqësorit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e profilit të lartë.

Kryesuesi i KPK-së Blerim Isufaj tha:

Projekti do ta përkrahë Këshillin për rekrutimin transparent, profesional dhe meritokratik të prokurorëve, si dhe do të ofrojë ekspertizë për rritjen e transparencës dhe efiçencës së sistemit prokurorial. Për më tepër, projekti synon që përmes programeve të specializuara të trajnimit të forcojë shkathtësitë profesionale, integritetin dhe konfidencën e prokurorëve. Këshilli Prokurorial është i hapur për bashkëpunim, duke pasur besim dhe duke theksuar se Ambasada nuk vjen me një projekt që imponon zgjidhje paraprakisht, por i adreson nevojat e KPK-së, aty ku këto nevoja përputhen me objektivat e Projektit.

Publikuar 9 October 2018