Fjalim

Uellsi: Gjuha dhe njerëzit

Fjala e Ambasadorit Britanik në Ditën e Shën Davidit.

Kjo u botua nën 2010 to 2015 Conservative and Liberal Democrat coalition government
Nicholas Cannon OBE

Më 1 Mars, banoret e Uellsit festojnë festën e tyre kombëtare, Ditën e Shën Davidit. Uellsi është një rajon malor në perëndim të Britanisë së Madhe, pak më i vogël se Shqipëria. Uellsi është shtëpia e gjuhës Uells, një gjuhë Kelte e lashtë dhe komplekse krejtësisht e palidhur me anglishten. Rreth 560.000 njerëz, rreth 20% e popullsisë së Uellsit, ende flasin gjuhën e Uellsit (ndonëse gati të gjithe tani mund të flasin edhe anglisht), plus rreth 150.000 njerëz në Angli dhe 5,000 me origjine nga Uellsi në Argjentinë. Ashtu si gjuha shqipe, gjuha e Uellsit është e ndarë në dialekte dhe variante të shumta, për shkak të terrenit të vështirë që ndau komunitetet nga njëri-tjetri. Në formën e saj të lashtë, ajo ishte folur fillimisht në të gjithë Britaninë e Madhe para ardhjes së pushtuesve anglisht-folës në shekullin e gjashtë.

Përveç gjuheve latine dhe greke, gjuha e Uellsit ka literaturën më të vjetër në Evropë. Poezi të hershme nga Uellsi, rreth 580, nga poetët Aneirin dhe Taliesin, përshkruan betejat e Uellsit kundër pushtuesve anglezë. Nga ato ditë të hershme, poetët e Uellsit formuan një lloj sindikate që përcaktoi stilet e poezisë, vitet e trajnimit që i duheshin një poeti, dhe madje edhe se sa që pritej të paguhej një poet nga një princ ose fisnik. Poetët e Uellsit ne vitet 1100-1300 ishin të njohur si “Poetët e Princave”. Ata mblidheshin në oborret e princave të pavarur të Uellsit. Pjesa më e madhe e poezisë së tyre përshkruan betejat heroike me anglezët, ose midis princave, ose fliste për tema fetare. Pas disfatës së Uellsit nga anglezet, ne vitet 1300-1500 kanë dalë edhe “poetët e fisnikërisë”, te cilet shkruan për bukuritë e natyrës ose rreth çështjeve te dashurise. Një prej këtyre poetëve, Dafydd ap Gwilym, shihet tani si më i madhi i poetëve te Uellsit, i cili shkroi mbi 170 poezi në një shumëllojshmëri stilesh. Literatura më e hershme prozë në gjuhën e Uellsit është “Mabinogion”, një koleksion i tregimeve mesjetare rreth kalorësve heroike dhe vajzave të bukura, duke përfshirë edhe shumë ngjarje të çuditshme dhe magjike. Mbreti Arthur, heroi i këtyre tregimeve, u përmend më vonë në letërsinë angleze dhe franceze si shembull i mbretit të përsosur në qendër të një rrethi të kalorësve të guximshëm të cilët jetojnë për të luftuar për drejtësi dhe kundër djallit. Edhe në këtë periudhë shumë të hershme, ka pasur një shumëllojshmëri të gjerë të letërsisë nga Uellsi, duke përfshirë edhe kodet e ligjit, historitë, dhe përshkrimet e jetëve të shenjtorëve te Uellsit.

Edhe pse dinastia Tudor që sundoi Anglinë dhe Uellsin nga vitet 1485-1603 ishte me origjinë nga Uellsi, gjatë kësaj periudhe Uellsi u zhyt në sistemin administrativ dhe ligjor Anglez dhe humbi traditat e veta të veçanta. Bibla u përkthye së pari në gjuhen Uells në 1588, duke krijuar një model për gjuhën letrare moderne. Por që nga ajo kohë letërsia dhe kultura e Uellsit filloi një rënie të ngadaltë. Shumë njerëz nga Uellsi braktisen gjuhën e tyre, duke preferuar të përdornin Anglishten. Nga shekulli i 19-të, gjithe arsimi në Uells ishte në gjuhën angleze, dhe në disa shkolla fëmijët u goditën nga mësuesit e tyre, nëse ata guxuan të flasin gjuhën Uells në klasë.

Megjithatë, që nga fillimi i shekullit të 20-të, gjuha Uells ka bërë një ringjallje. Tani rreth 20% e shkollave në Uells mësojne në gjuhën e Uellsit, fëmijët në shkollat në gjuhën angleze në Uells janë të detyruar të marrin mësime të Uellsit, dhe çdo universitet në Uells ka një seksion te gjuhes Uells. S4C, një kanal televiziv ne gjuhen Uells eshte bërë popullor. Të gjitha shenjat e rrugëve në Uells janë në të dy gjuhët. Punë të caktuara në sektorin publik, të tilla si në, polici, qeverisje lokale dhe Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë, janë të rezervuara për ata që mund të komunikojnë me publikun në të dyja gjuhët. Anëtarët e publikut të cilët dërgojnë letra ose dokumente tek qeveria ne gjuhen Uells, kanë të drejtën, sipas ligjit, për të marrë një përgjigje në gjuhën e tyre.

Nga një traditë e lashtë britanike, djali më i vjetër i Mbretit ose Mbretëreshes se Mbretërisë së Bashkuar është i njohur si Princi i Uellsit, aktualisht Lartësia e Tij Mbretërore Princi Çarls. Origjina e kësaj kthehet pas në pushtimin e Uellsit nga Mbreti Anglez Edward I në 1301. Pasi mundi princat e Uellsit në betejë, ai i mblodhi në kështjellën e Karnavonit. Ai premtoi atyre se nëse ata betoheshin për besnikëri ndaj tij, ai do të emëronte si udhëheqësin e tyre dike i cili ishte lindur në Uells dhe nuk fliste asnje fjalë të gjuhës angleze. Princat u kënaqen, duke besuar se një prej tyre do të bëhej Mbret i Uellsit. Por pasi ata ishin betuar, Mbreti Eduard u prezantoi djalin e tij foshnje, i lindur në kështjellë nje ditë më parë, si udhëheqës të tyre në të ardhmen.

Në nëntor të vitit 2008, gjuha Uells u përdorur në një takim të Bashkimit Evropian për herë të parë. Ministri britanik Alun Ffred Jones ju drejtua Këshillit të Ministrave te BE-së në gjuhën Uells, duke thënë: “Uellsi mund të jetë një nga gjuhët më të vjetra të përdorura në Mbretërinë e Bashkuar, por ajo mbetet një nga më të gjallat. Letërsia jonë, artet tona, festivalet tona, tradita jonë e madhe e këngëve, të gjitha gjejnë shprehje nëpërmjet gjuhës sonë. Dhe ky është një demonstrim i fuqishëm se si kultura jonë, thelbi i asaj se kush jemi ne, është shprehur përmes gjuhës “.

Historia e gjuhës Uells në botën moderne tregon se një popull i vogël mund të mbajë kulturën dhe identitetin e vet brenda institucioneve të Bashkimit Evropian. Por, në mënyrë që kjo të ndodhë, intelektualët e komunitetit, mësues, akademikë, shkrimtarë, gazetarë, duhet të kujdesen për të ruajtur traditat e tyre, për të mësuar gjuhën mirë, dhe për të përdorur të gjitha mundësitë e saj si një mjet për shprehjen e Kulturës.

Në Ditën e Shën Davidit, ju uroj, sic thonë në Uells, “Iechyd da i chwi yn awr ac yn oesoedd” - “Shëndet për ju tani dhe përgjithmonë”.

Publikuar 1 March 2013