Historia e lajmeve botërore

Mesazh i Kryeministres Theresa May mbi Ballkanin Perëndimor

Eshtë në interesin tonë të punojmë së bashku me rajonin për t’i adresuar këto sfida të përbashkëta, me të cilat nuk përballen vetëm të gjithë vendet e Ballkanit por edhe shtete të tjera në Evropë e botë. 

Western Balkans Summit

Western Balkans Summit

Kur të takoj udhëheqësit ndërkombëtarë në samitin e Bashkimit Evropian për Balkanin Perëndimor që mbahet në Bullgari sot, do të përqendrohem në përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar për të ndërtuar themelet e një stabiliteti afatgjatë e më shumë prosperiteti për të gjithë.

E shkuara e rajonit ka qenë padyshim e vështirë dhe progresi i Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë ende përballet me rreziqe të shumta.

Krimi i organizuar. Korrupsioni. Terrorizmi. Papunësia e të rinjve. Emigrimi i paligjshëm. Ekstremizmi fetar dhe politik.

Nëse nuk adresohen, këto sfida rrezikojnë të minojnë progresin e arritur me vështirësi dhe të bëhen pengesë për rritjen dhe reformimin e mëtejshëm.

Prandaj, është në interesin tonë të punojmë së bashku me rajonin për t’i adresuar këto sfida të përbashkëta, me të cilat nuk përballen vetëm të gjithë vendet e Ballkanit por edhe shtete të tjera në Evropë e botë.      Adresimi  i këtyrë rreziqeve do të jetë temë kryesore në punimet e Samitit të Ballkanit Përëndimor që do të mbahet në Londër në korrik, sepse historia na tregon se nëse Ballkani Perëndimor është i qëndrueshëm dhe i sigurtë, e gjithë Evropa është më e qëndrueshme dhe e sigurtë. Interesat tona dhe tuajat janë të lidhura ngushtë e kështu do të mbeten.

Samiti i Londrës do të përpiqet të forcojë bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë për të adresuar rreziqe të përbashkëta si korrupsioni dhe krimi i organizuar; përmirësimi i stabilitetit ekonomik dhe mjedisit të biznesit si edhe të nxisë bashkëpunim më të madh politik për ta ndihmuar Ballkanin Perëndimor të zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të tejkalojë çështjet e trashëgimisë që rrjedhin nga konfliket e viteve ‘90.

Samiti ynë, i pesti që mblidhet nën Procesin e Berlinit, së bashku me samitin e Sofies dhe takimet e tjera të nivelit të lartë këtë vit, janë një tregues i qartë se Ballkani Perëndimor është në krye të agjendës politike evropiane, dhe MB qëndron me vendosmëri në krah të rajonit.

MB ka një angazhim të gjatë e të qëndrueshëm në rajon- gjë që është vërejtur në rolin tonë udhëheqës në konfliktet e viteve ’90, marrëveshjet e paqes që erdhën më pas dhe tranzicionin e periudhës pas-konflikteve- dhe unë dua t’ju siguroj se ky angazhim do të vazhdojë.

Në Shqipëri ne jemi duke punuar së bashku me brezin e ri të sipërmarrësve shqiptarë, duke i ndihmuar ata të realizojnë potencialin e tyre, duke ndarë me to ekspertizën britanike përmes projektit UK-Albania Tech Hub. Vitin tjetër, MB do të largohet nga BE-ja, por ne nuk do të largohemi nga Evropa- ne do të vazhdojmë të promovojmë vlerat evropiane, të cilat i kemi të përbashkëta me Ballkanin Perëndimor.

Qeveria që unë drejtoj do të jetë gjithnjë në krah të atyre që dëshirojnë t’i mbrojnë këto vlera. Dhe unë besoj, se duke punuar së bashku ne mund t’i tejkalojmë sfidat e së tashmes dhe të sigurojmë një të ardhme më të shndritshme, më të fortë e më të begatë për Ballkanin Perëndimor e për të gjithë ne në Evropë.

Publikuar 17 May 2018